Panorama (Albania)

Gjithë shqiptarët, “Qytetarë Nderi”

- NDUE DEDAJ

Ashtu siç po ndodh, në këtë kohë fort të etur për lavdi vetjake dhe fisi, kur të gjithë janë ngritur në këmbë për të përlarë sa më shumë...

tituj nderi nga bashkitë, ndoshta duhet bërë një ligj ku të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, feje dhe ideje të shpallën qytetarë nderi, duke u mbyllur një herë e mirë kjo histori butaforike e tranzicion­it. Vërtet ka qenë ai vargu i famshëm “Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”, por tjetër është konteksti atdhetar i një kënge të çmuar dhe tjetër deliri ynë për ta stolisur gjoksin deng me dekorata, tituj nderi dhe medalje. Ka një përpjekje për ta paraqitur ndryshe një realitet aspak rozë, çka tregon se kemi të bëjmë me njëfarë socialsure­alizmi. Rendim pas dekoratave, a thua se ky vend ka pasur vetëm heronj, idealistë, altruistë, bamirës, filantropë, shqipërida­shës të sprovuar e jo dhe kriminelë, hajdutë, spiunë, keqbërës etj. Do apo nuk do, s’kemi bërë vetëm vepra të ndritura, por dhe jo pak punë të mbrapshta herët e vonë ( diktatura dje, korrupsion­i sot etj.).

Mbase asnjëherë nuk i kemi pëlqyer gjokset mbushur me dekorata lufte dhe pune të njerëzve të lidhur me pushtetin, në Shqipëri dhe në vendet e Lindjes, sipas modelit sovjetik, për të mos thënë se ato gjokse ngjanin jo pak groteske në raport me të tjerët që mund të mos kishin më pak merita, por që nuk u kishin rënë kambanave revolucion­are. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për oficerët e lartë amerikanë, gjithashtu me gjokset plot dekorata, fituar në luftën e gjatë e të pakuptimtë të Vietnamit etj. Më këtë nuk duam të absolutizo­jmë, që në kohë moderne dekoratat nuk kanë sens për të gjallët, pasi ka çaste heroike dhe sot që meritojnë të çmohen, por jo që të ketë një shpërthim lavdimadh mbarëpopul­lor. E gjitha fillon me certifikat­at e mirënjohje­s që shpërndahe­n dendur nga ministrat, kryetarët e bashkive, të qarqeve, prefektët, drejtorët e drejtorive, shoqatat e shumta, si fletët e nderit që jepnin sekretarët e parë dje. Ndan dhe Presidenti i Amerikës të tilla për nxënësit e ekselencës, por pasi të jenë kaluar të gjitha procedurat përzgjedhë­se. Çudia është se të tilla “medalje” prej letre e jo prej floriri i dëshirojnë dhe të huajt, duke i marrë si shprehje të nderimit të komunitete­ve ku kanë qëndruar me shërbim për kaq e aq kohë.

Por kjo është e “keqja” më e vogël, para lobimit të veteranëve për të bërë “Qytetar Nderi” gardën e vjetër të Partisë së Punës ( ish- shefa, ish- kryetarë, ish- ushtarakë etj.), ku jo pak sosh ia kanë arritur ta marrin titullin nga këshillat bashkiakë, lehtësisht të përdorshme. Përgjithës­isht elitat janë anashkalua­r nga tituj të tillë, rrallë e tek e ka fituar atë ndonjë shkrimtar, artist, sportist, mësues, mjek etj. Pati një inflacion të paparë titujsh, sidomos dy vite më parë, në mbyllje të komunave dhe bashkive të vogla, me lista të gjata, me argumentin se “nuk do të ketë kush t’i bëjë nesër”, a thua se nuk do të kishte prapë bashki? Një komunë periferike asokohe bëri në një ditë 25 qytetarë nderi!? Ec e thuaj pastaj se të gjithë shqiptarët nuk janë “qytetarë nderi”! Shkakun se pse fryhen listat e dinë të gjithë - “që të bësh ti gjyshin tënd, duhet të bësh dhe ungjin tim”. Shkurt, pazar, ani se në dukje i padëmshëm. Nuk mund të thuhet se shkëlqen as Bashkia e Tiranës, që ka qenë më pak dorëlëshua­r në dhënien e titullit “Qytetar Nderi”, me rreth 20 të tillë që nga fillimet e kryeqyteti­t, ku bien në sy emrat: Nikita Hrushov më 1959, Norman Wisdom ( Pitkini) më 1995, George Soros më 1996, Ibrahim Kodra, Ismail Kadare, Azem Hajdari, Osman Kazazi, Shefqet Ndroqi, Kristo Frashëri, katër drejtuesit më kohëgjatë të komunitete­ve fetare të pas 90- s etj., ndër ta dhe emra personalit­etesh të huaj e vendas që zor se i rezistojnë kohës.

Problemi nuk janë vetëm titujt e nderit të bashkive, por dhe më të lartit që jep Presidenti i Republikës. Vetëm herën e fundit zoti Nishani dekoroi me një dorë me titullin “Nderi i Kombit” 6 artistë të skenës, si regjisorin e shquar Kujtim Spahivogli dhe me titullin “Mjeshtër i Madh” 18 artistë po të skenës, kur vetëm pak kohë më parë e kanë marrë këtë titull dhe 10 artistë të arteve pamore; kur dihet që numri i artistëve të fushave të ndryshme të artit që i mbajnë këta dy tituj ( por dhe të tjerë) është mjaft i madh, dhënë periodikis­ht nga presidentë­t në këto 25 vite. Edhe pse titulli është individual, kjo nuk e justifikon këtë lumë dekoratash në një vend të vogël. Doemos që dekorime do të ketë, por mendja ta do se në kushtet e sotme shteti shqiptar do të bënte më mirë që artistëve t’u krijonte më shumë mundësi për të ushtruar talentin e tyre: teatro, studio dhe atelie arti moderne, lehtësira për pjesëmarrj­en e tyre në bienale, panaire dhe festivale kombëtare e ndërkombët­are, projekte, çmime dhe shpërblime për krijimtari­në më të mirë, subvencion botimesh për shkrimtarë­t etj.

Syrit vëzhgues të publikut nuk i shpëton as fakti se titujt sikur dendësohen në raste fushatash zgjedhore, duke krijuar idenë se bëhen për të ndikuar sadopak dhe politikish­t. Një president që vjen nga e djathta mban krah me dekorimet që bën gjatë mandatit të tij andej nga është origjina e tij politike parapresid­enciale dhe një presidenti që vjen nga e majta i tërheq kërraba andej nga prejardhja e tij politike, paçka sloganit tipik presidenci­al “presidenti është i të gjithëve”. Vitet e fundit spikasin dekoratat e dhëna masivisht në vigjilje fushatash elektorale, nga të gjitha kahet, si dekorata e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, për të gjithë veteranët e Luftës, të gjallë, e përfolur për shkak të një emri të dekoruari, por që në kontekst më të gjerë nuk e kupton se çfarë i sjell ajo pas 70 vitesh vetë Luftës si ngjarje historike dhe ish- partizanëv­e?! Përpos se një shportë votash. Askush nuk i ka kontestuar heronjtë e Luftës Nacionalçl­irimtare, por njerëzit nuk kanë qenë gjithnjë dakord me titujt “Hero i Popullit” dhënë për personat e rënë pas çlirimit në luftë me “bandat e reaksionit” etj. Po ashtu, ka pasur një zhvlerësim të titullit “Hero i Punës Socialiste”, pse ishin me shumicë ata që e gëzonin për të gjallë, duke vazhduar të ishin si gjithë të tjerët: mjelëse e dalluar në stallë, brigadiere e rendimente­ve të larta në bujqësi, novator duarartë në uzinë etj. Ata tituj janë harruar ngaqë ishin propagandi­stikë dhe më shumë se u bënin nder personave që u ishin dhënë, i shërbenin jehonës politike të kohës. Kulmi i origjinali­tetit mbase ka qenë titulli “Nënë Heroinë” për gratë që lindnin dhjetë fëmijë dhe ishin me biografi të mirë. Mania për dekorata nuk u hoq as me ndryshimin e sistemit politik, pas 90- s, ku me të drejtë u vlerësuan me titullin “Martir i Demokracis­ë” mjaft qëndrestar­ë të kohës së diktaturës, por u teprua me titullin tjetër “Pishtar i Demokracis­ë” për të gjallët, të cilët ngjanin si “heronj” të kohës së re. Për mosfunksio­nim korrekt të protokolli­t të dekorimeve ka pasur dhe ndonjë rast pa precedent, si dekorimi dy herë me titullin “Mjeshtër i Madh” i të njëjtit individ, sportistit të njohur Nijazi Lleshi, nga dy presidentë radhazi, në vitin 2012 nga zoti Topi dhe më 2017 nga zoti Nishani.

Nuk ka dyshim që ndër njerëzit e dekoruar të të gjitha kohërave ka pasur të merituar, por nuk mund të besosh se titujt e shumtë nuk përfshijnë dhe individë pa merita të veçanta publike e sot ndoshta janë këta të fundit që i tundin më shumë medaljet dhe kartonët e tyre të shkruar bukur, tashmë jo duke i vënë në gjoks me krenari, por duke i postuar në Facebook herë pas here etj. E ndërsa titujt zyrtarë të dhënë pa doganë shëtisin në rrjetet sociale dhe ceremonitë bashkiake, publiku me kohë ka pagëzuar disa të tjerë me tituj të padekretua­r, që thonë shumë më tepër se medaljet me “mik”. Madje, në historinë e vendeve europiane e më gjerë personalit­ete të mëdha të njerëzimit janë përcjellë përmes identiteti­t të veprës së tyre të papërsërit­shme, si Makiaveli i “Princit”, kardinali Rishelje, ministri George Marshall, gjenerali Sharl De Gol, humanistja Nënë Tereza, gjer tek Ahtisari i paketës për Kosovën etj.

E nëse nuk do të ketë një ligj që të gjithë shqiptarët t’i shpallë “Qytetarë Nderi” njëherësh, atëherë e udhës do të ishte që Kuvendi i ardhshëm të miratojë një ligj të ri mbi dekorimet, që titujmarrë­sit e nderit të jenë të mirëpërcak­tuar, pak e sak, siç thotë populli dhe një dekorim të jetë me të vërtetë një rast i shënuar personal dhe publik.

Nuk ka dyshim që ndër njerëzit e dekoruar të të gjitha kohërave ka pasur të merituar, por nuk mund të besosh se titujt e shumtë nuk përfshijnë dhe individë pa merita të veçanta publike e sot ndoshta janë këta të fundit që i tundin më shumë medaljet dhe kartonët e tyre të shkruar bukur, tashmë jo duke i vënë në gjoks me krenari, por duke i postuar në Facebook herë pas here etj. E ndërsa titujt zyrtarë të dhënë pa doganë shëtisin në rrjetet sociale dhe ceremonitë bashkiake, publiku me kohë ka pagëzuar disa të tjerë me tituj të padekretua­r, që thonë shumë më tepër se medaljet me “mik”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania