Panorama (Albania)

Vodhi llogarinë në FB, 100 orë punë të detyruar

-

TIRANE - Vjedhja e një profili privat në rrjetin social në internet, "Facebook", i ka kushtuar një dënim me 4 muaj burg një të riu në Tiranë. I pandehuri J. Ç. është shpallur fajtor për akuzën e "ndërhyrjes në të dhënat kompjuteri­ke" në dëm të një vajze. Ai nuk do të shkojë asnjë ditë në qeli, pasi përfundimi­sht Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimi­t të dënimit me burg dhe detyrimin e tij për të punuar 100 orë punë të papaguar në interes të publikut. Sipas gjykatës, në maj të vitit 2015, i pandehuri ka ndërhyrë në llogarinë e të dëmtuarës në "Facebook", e hapur me emrin e saj. Pas ndërhyrjes, i pandehuri ka kryer veprime në këtë llogari, si postime fotosh dhe komunikime me persona të ndryshëm. Sipas Gjykatës, i pandehuri ka hapur dhe përdorur këtë llogari duke e ndryshuar emrin e saj. Nga kjo llogari ai i ka shkruar më tej një tjetër vajze dhe ka postuar foto të saj. Ai ka komunikuar me të, duke u paraqitur i mbuluar me maskë dhe i ka kërkuar një shumë prej 50 mijë lekësh. Në një nga këto komunikime ai i ka kërkuar të takoheshin dhe për këtë i ka dhënë edhe dy numra telefoni. Me një prej tyre ai e ka telefonuar më vonë. Në vijim i pandehuri J. Ç. nga llogaria e tij në "Facebook" i ka dërguar të dëmtuarës edhe një fotografi personale. Pas kallëzimit të bërë, operatori përkatës telefonik ka konfirmuar për prokurorin­ë se numri i përkiste babait të të pandehurit. Gjatë gjykimit i pandehuri ka pranuar se ishte ai personi i cili kishte komunikuar me vajzën dhe se ai që kishte ndërhyrë në llogarinë tjetër në "Facebook" dhe ka mbajtur qëndrim pendues për të gjitha veprimet e kryera prej tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania