Panorama (Albania)

May kërkon falje: Shteti dështoi me zjarrin në "Grenfell"

-

Kryeminist­rja britanike, Theresa May, ka kërkuar falje për "dështimin" e qeverisë britanike për të reaguar siç duhej në rastin e incidentit të zjarrit në "Grenfell Tower", ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën. May ka pranuar se reagimi i parë që bëri shteti ndaj zjarrit në kullë ishte një dështim. "Zjarri ishte një dështim i shtetit, pushtetit lokal dhe atij qendror", deklaroi May gjatë debatit në Parlament pas fjalimit të Mbretëresh­ës Elizabeth II për qeverinë e re të vendit. "Mbështetja ndaj banorëve të kësaj kulle, në momentet e para të rënies së zjarrit, kur atyre u duhej ndihmë më shumë se çdo gjë tjetër, nuk ishte në nivelin e duhur", pranoi May. Ndërkohë, lideri opozitar laburist, Jeremy Corbyn, tha në Parlament se çdo vdekje në atë kullë mund të ishte mënjanuar. Ka pasur protesta kundër qeverisë britanike, që kanë përfunduar me përleshje mes protestues­ve dhe policisë jashtë zonës së kabinetit qeveritar "Downing Street" të mërkurën, me gjithë thirrjet e banorëve të "Grenfell Tower" për të mos lejuar që fatkeqësia e tyre të përdorej si justifikim për dhunë. Një grup që e quante veten "Lëvizja për Drejtësi me çdo mjet të mundshëm", kanë marshuar drejt "Downing Street" të mërkurën me shpresën për të rrëzuar qeverinë dhe për të "ndaluar Londrën". Ishin rreth 500 njerëz që iu bashkuan marshit, i cili ka koinciduar me fjalimin e Mbretëresh­ës. Disa protestues janë përleshur fizikisht me policët, ndërkohë që u bërtisnin në fytyrë atyre. Dy protestues janë arrestuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania