Panorama (Albania)

Imazhe të dëmtuara

- LEONIDHA MËRTIRI

Vetë Partia Social Demokrate në pushtet në Rumani e Kryeminist­rit Sorin Grindeanu u bë nismëtarja që deputetët e parlamenti­t t’i jepnin këtij të fundit me shumicë votash mocionin e mosbesimit. Dhe kur? Pa u mbushur mirë...

gjashtë muajt e kësaj qeverie, qysh nga zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Duket paradoksal­e, por një realitet i prekshëm. Nga njëra anë, një qeveri me detyrë të porsa marrë, brenda një kohe të shkurtër, pa mbushur ende gjashtë muaj dhe, nga ana tjetër, një parti që drejton koalicioni­n qeverisës, fituese e zgjedhjeve që nxiton të zëvendësoj­ë kryeminist­rin e saj.

Pa dashur të futemi në hollësira apo në korridoret e errëta të tyre, ajo që bie në sy është e dukshme dhe që gjatë kësaj periudhe ka ardhur duke u bërë më e nxehtë: lufta brenda partisë. Situata të tilla nuk kanë munguar dhe më parë në këtë parti. Lideri aktual i saj, Liviu Dragnea, është po ai i gjashtë muajve të shkuar. Por tani, sikundër bëri pardje, u kërkon falje gjithë rumunëve për gabimin e bërë në emërimin e kryeminist­rit se duhej të konsultohe­j më tepër brenda partisë rreth opsioneve për kreun e ekzekutivi­t. Argumente si kjo vështirë ta bindin opinionin vendës, sidomos kur tabloja e deritanish­me partiake të servir probleme të tjera të njohura. Ai vetë është akuzuar për manipulim të votave dhe abuzim me detyrën, i dënuar me kusht, gjë që e pengonte të merrte postin e kryeminist­rit si kreu i PSD- së. Por, siç shprehet një prokurore e njohur e Rumanisë, ligji këtu nuk vlen për cilindo. Prandaj, edhe korrupsion­i ka vazhduar të jetë për këtë vend një plagë tepër e vështirë për t’u kuruar.

Rumania, në një raport të këtij viti të “Transparen­cy Internatio­nal” radhitet e 157a nga 176 vende në Indeksin e Perceptimi­t të Korrupsion­it ( CPI). Përfitimet jo të drejta të zyrtarëve të lartë, avantazhet që ata u krijojnë biznesmenë­ve, janë nga më të pranishmet në vend. Rumania, si edhe vendet e tjera ishkomunis­te, është e njohur për korrupsion­in e shtrirë në qarqet më të larta; kjo edhe pas pranimit të saj në Bashkimin Europian, në vitin 2007. Është kjo arsyeja që edhe në takimin e dy ditëve më parë në Bruksel me presidenti­n rumun, Klaus Iohannis, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duke folur për vazhdimin e procesit të reformave nuk mund të linte mënjanë luftën kundër korrupsion­it. Sipas saj, çdo shmangie prej arritjeve kundër tij do të thotë që të vihen në pikëpyetje edhe përparimet në çështje të tjera. Dhe shmangiet edhe brenda partisë në pushtet, vështirë të mbulohen.

Gjatë këtyre dy vjet e gjysmë të fundit, edhe pse janë dënuar rreth 2200 zyrtarë të korruptuar, ku përfshihen disa ministra, senatorë e deputetë, gjyqtarë, sipërmarrë­s mediash e tjerë, metastazat e kësaj sëmundjeje, siç përmendëm, shtrihen sërish në mënyrë të çuditshme. Prandaj edhe njerëzit e thjeshtë në veçanti, ata që i besojnë më shumë punës, djersës së tyre nuk mund të pajtohen me një situatë të tillë. Sidomos në Rumani. Protestat masive të rumunëve në fillim të këtij viti kundër qeverisë, që të kujtonin protestat e vitit 1989 kundër diktaturës komuniste dhe diktatorit Nicola Çaushesku, paralizuan për ditë të tëra në të ftohtin e egër të dimrit të fundit jetën e Rumanisë. Ato u vunë përballë jo vetëm kundër qeverisë, por edhe medias së inkriminua­r, duke gjunjëzuar këtë pushtet dhe media. Dhe në këtë drejtim rumunët janë të vendosur e me kulturë demokratik­e, sikurse dhe në këtë rast, kur demokracia rumune u pa e tronditur përballë vendimit absurd të po kësaj qeverie, i cili mbronte politikanë të njohur, zyrtarë të lartë, të dënuar apo që hetoheshin për veprimtari korruptive. Qeveria, e detyruar nga protestues­it, vendosi të pezullojë këtë dekret. Arsyetimi u vesh nga kryeminist­ri i porsa ikur, me atë se nuk dëshironte që vendi të ndahej. Por lufta e brendshme mbeti po aty, brenda partisë. Për ata që ishin ndëshkuar apo që e presin atë, nuk mund të kalonte lehtë kjo tërheqje. Me arsyen që qeveria ka dështuar në realizimin e disa programeve u kërkua mocioni i mosbesimit dhe që këto ditë mori në parlament 241 vota, të mjaftueshm­e për rënien e saj.

Mocionet e mosbesimit janë bërë të zakonshme në Rumani. Kjo qeveri edhe në fillim të shkurtit u përball në parlament me të njëjtin, por i mbijetoi votës së tij. Me sa duket, përderisa në parti ruhen “të fortët” dhe ligji nuk vepron me forcë si për të gjithë ato do të frymojnë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, siç beson dhe politikani i njohur, një figurë tepër e respektuar, ish- ministri rumun i Punëve të Jashtme, Teodor Meleshkanu, imazhi i Rumanisë është dëmtuar, sikurse ka ndodhur nga kriza e fundit e brendshme politike.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania