Panorama (Albania)

Si të sillesh me traumën e terrorit dhe frikës

- JULIA VERGIN* * D. W.

Statistika­t, në bazë të të cilave më shumë gjasa ka që të të godasë një rrufe, sesa të biesh viktimë e një atentati terrorist, mund të qetësojnë ata që vërtet kanë frikë nga terrorizmi, por që e njohin atë vetëm nga mediet. Por si është puna me ata që kanë qenë të pranishëm në një akt terrorist? Si e ndien veten dikush që ka përjetuar se si një frikë abstrakte, e largët, bëhet papritur realitet?

SULMI I QËLLIMSHËM, SHKATËRRIM MAKSIMAL PSIKIK

Kriza paniku, vuajtje shpirtëror­e, dëshpërim. “Ekziston një numër i madh reagimesh të mundshme”, thotë Andreas Heinz, drejtuesi i Klinikës për Psikiatrin­ë dhe Psikoterap­inë në spitalin “Charite” në Berlin. “Te disa njerëz shfaqen çrregullim­e stresante posttrauma­tike, te të cilët ngjarja mizore përjetohet herë pas here në mendime ose rikthehet në formën e makthit. Këta persona tërhiqen shpesh fort nga jeta dhe përpiqen që të shmangin çdo kujtim për atë që ka ndodhur.” Heinz e njeh gjendjen e viktimave të terrorit dhe të torturave, ai i ka shoqëruar ata në disa projekte në Afganistan.

Një atentat terrorist bën efekt kaq lëndues psikologji­k, sepse ai sulmon në mënyrë të qëllimshme njerëz me cilësi të caktuara, shpjegon Heinz. Varësisht se për cilin lloj terrori bëhet fjalë, mund të jetë ngjyra e lëkurës, gjinia ose përkatësia fetare, ose një përkatësi shtetërore perëndimor­e. “Kur të sulmojnë për shkak të llojit të njeriut që je, atëherë kjo ka gjithmonë pasojat më të këqija psikologji­ke”, thotë Heinz.

TERAPIA E TRAUMËS, SHPESH JO E NEVOJSHME

Nuk është për t’u çuditur që reagimet e para pas një përjetimi, si një atentat terrorist, janë të ashpra. “Edhe tërbimi, agresioni dhe ndjenjat e hakmarrjes mund të jenë emocionet e para”, thotë Olaf Schulte- Hebrüggen, mjek specialist për psikiatrin­ë dhe psikoterap­inë. Si terapet për traumat, ai kujdeset edhe për trajtimin e viktimave të dhunës në Berlin. Në këtë kuadër ai është marrë në “Charite” në Berlin edhe me viktimat e atentatit terrorist në sheshin “Breitschei­d”.

Këto reagime të para akute nuk janë në asnjë mënyrë patologjik­e, por krejt normale, thotë Schulte- Hebrüggen. Kjo u duhet përcjellë patjetër pacientëve. “Këta njerëz i ndiejnë reagimet akute shpesh si kërcënuese ose vuajnë nën të ashtuquajt­urin stres të simptomave”, shpjegon Schulte-Hebrüggen. Ky stres e keqëson vuajtjen edhe më tepër. Prandaj në 48- 72 orët pas ngjarjes së frikshme, lejohen të gjitha emocionet. Po pastaj? “Në fillim, ne presim. Në traumatolo­gji, për një kohë të gjatë mbrohej teza, se çdo njeri që ka përjetuar një gjë kaq të keqe, duhet të sëmuret”, thotë Schulte- Hebrüggen. “Por shumica e njerëzve nuk sëmuren, as pas ngjarjeve më të rënda.”

RIKTHIMI NË JETË

Disa njerëz kujtimet i mundojnë edhe javë ose muaj më vonë. “Shumë njerëz vijnë te unë dhe dëshirojnë nga unë që t’i çliroj nga kujtimet e tyre”, thotë Schulte- Hebrüggen. Dëshirën për fshirjen e kujtesës, terapeti i traumës nuk mund t’ua plotësojë. Në vend të kësaj, ai punon ndër të tjera me të ashtuquajt­urën terapi të ekspozimit: “Terapeti e konfronton për këtë pacientin me situatën që i ka shkaktuar frikën, në këtë rast me kujtimin për këtë situatë dhe pacienti mund të bëjë përvojën që nuk i ndodh asgjë.”

Nganjëherë, në plan afatgjatë, ndodhin gjëra pozitive. Njerëzit dalin më të fortë nga një ngjarje e tmerrshme. “Kjo quhet rritje posttrauma­tike”, shpjegon Schulte- Hebrüggen. Këta njerëz janë të ndërgjegjs­hëm për të kaluarën e tyre dhe prandaj kanë mundësi të jetojnë në mënyrë më intensive. Por për fat të keq, këto raste nuk janë të shpeshta, thotë Schulte- Hebrüggen.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania