Panorama (Albania)

Merr fund arratia e 2 të dënuarve përjetë

Ishin në kërkim për vrasje në Vlorë e në Durrës

- Bledar Bushaj

Ditën e djeshme ka marrë fund arratia e dy personave të dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare. Ata figuronin në listën e më të kërkuarve të Interpolit. Të dy ishin dënuar në mungesë për vrasje, në Vlorë e në Durrës. I pari është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimi në vendin tonë, ndërsa i dyti është ekstraduar nga Gjermania. Policia e Shtetit tha dje se në Greqi është arrestuar 59vjeçari Xhemal Dule nga Vlora. Dule ishte shpallur në kërkim ndërkombët­ar, pasi Gjykata e Vlorës me një vendim të datës 18 prill të vitit 2000, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale "Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpuni­m" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake". Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 11 janar të vitit 1998, rreth orës 19: 00, në lagjen "Partizani" të Vlorës. Pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Xhemal Dule, në bashkëpuni­m me djalin e tij, Florjan Dule, 33 vjeç, kanë vrarë me automatik shtetasin E. B. Djali i tij është dënuar në mungesë me 12 vjet e 6 muaj heqje lirie dhe vijon të jetë në kërkim nga Interpoli. Ndërsa pasditen e djeshme u ekstradua nga Gjermania personi tjetër i dënuar me burgim të përjetshëm, për akuzën e vrasjes së një personi dhe plagosjes së dy të tjerëve. Policia e Shtetit tha dje se si rezultat i bashkëpuni­mit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden, u krye ekstradimi nga Frankfurti drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Bledar Bushaj, 29 vjeç, banues në Draç të Durrësit. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombët­ar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin e datës 13 tetor 2015, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për kryerjen e veprave penale të "Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese mbetur në tentativë" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit". Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur më 11 tetor të vitit 2013, rreth orës 09: 20, në Ishëm të Durrësit. Bledar Bushaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy vëllezërve dhe nënës së tyre, të cilët kanë qenë duke prerë dru për të pastruar vendin ku do të ndërtohej një rrugë. Për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Albert Bushaj, 25 vjeç, dhe janë plagosur dy shtetasit F. B. dhe V. B. ( nënë e bir).

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania