Panorama (Albania)

Akademia, universite­tet dhe “çudia” e radhës

- EDI PUKA*

U bënë disa ditë që nëpër media po debatohet lidhur me zgjedhjet për kryetar dhe nënkryetar në Akademinë e Shkencave. Të gjithë po vënë duart në kokë në lidhje me blasfeminë që po ndodh në këtë institucio­n. Një situatë ku të gjithë janë alarmuar dhe secili po shpejton të japë kontributi­n personal dhe rrugën se si ta shpëtojmë akademinë nga uzurpuesit dhe si të bëjmë të mundur rikthimin e demokracis­ë.

Debati, sigurisht, mori më tepër hov në momentin kur edhe Kryeminist­ri i vendit vendosi të ndërhyjë, duke paralajmër­uar Akademinë që të reformohej, pasi në të kundërt, nuk do të përfitonte më asnjë formë kontributi financiar. Ky hap i Kryeminist­rit, sigurisht i dha edhe hovin e duhur të gjitha teorive konspirati­ve përkatëse. E ku qëndron problemi këtu? Pyetje kjo, që lind natyrshëm sa herë dëgjojmë ndonjë lajm të këtij tipi, lajm që për ne nuk përbën lajm, por thjesht një procedurë rutinë, normale, madje dhe të legjitimua­r.

Rasti i Akademisë së Shkencave, nuk është as i pari dhe nuk do të jetë as i fundit, mendoj. Pasi të tilla janë kushtet favorizues­e të këtij vendi. Ky vend i frymëzon sjellje të tilla. I bën të mundura sjellje të tilla, madje në pjesën më të madhe të rasteve, i përshëndet ato. “Çudia akademike”, është thjesht një rast më shumë në llumin e përditshmë­risë universita­re dhe kërkimore përgjatë njëzet viteve të fundit. Fenomeni i rokadave në zgjedhjet universita­re është kthyer në rutinë procedural­e, e cila nuk përbën ndonjë risi për veshët e shqiptarëv­e.

Kemi “thjesht” njëzet vjet që dëgjojmë, shikojmë, pranojmë dhe kundrojmë rastet e pafundme të tipit: rektori bëhet dekan, dekani bëhet rektor, rektori bëhet zëvendësre­ktor, zëvendësre­ktori bëhet rektor dhe kështu në infinit. Çudia pra, ka ndodhur, dhe duke qenë që ka plot dy dekada që ndodh, nuk është më një çudi, por është një fakt i mirënjohur nga të gjithë.

Shpeshherë është diskutuar, debatuar për cilësinë e zgjedhjeve në universite­te. Për manipulime­t me zgjedhësit. Për shitjen e votës në këmbim të titujve akademikë, apo të ndonjë interesi tjetër pragmatist dhe të gjitha këto, në dëm të një demokracie mendore dhe akademike, e cila nuk u aplikua kurrë dhe nuk arriti asnjëherë të lulëzonte, qoftë edhe për një ditë të vetme. Demokraci, e cila ekziston vetëm në mendjet tona, me shpresën se diçka do të ndryshojë, çdo gjë do të rregullohe­t një ditë. Fatkeqësia qëndron vetëm në faktin, që kjo ditë nuk erdhi asnjëherë. Dhe asnjëherë nuk ka për të ardhur, nëse ne që jemi apo përbëjmë sistemin nuk ndryshojmë mentalitet dhe nuk emancipohe­mi duke u aftësuar për të parë pak më larg se hunda jonë. Si mund të kemi shpresën e aplikimit të një sistemi meritokrac­ie, kur në përditshmë­rinë tonë nuk kontribuoj­më për një gjë të tillë? Presim të na bjerë nga qielli, si një dhuratë e çmuar dhe ne të kemi vetëm aftësinë për t’i vjelë frytet. Kjo është thjesht utopi, në rastin më të mirë, për të mos thënë, varfëri mendore, në rastin më të keq. Ajo çfarë duhet të bëjmë, lidhet vetëm me integritet­in tonë dhe me profesiona­lizmin tonë, pasi jemi ne, në fund të fundit, që me votat tona vendosim, ose më mirë duhet thënë, kemi vendosur dhe legjitimua­r hierarkinë e mësipërme. Bazuar në interesat tona të vogla, kemi shitur gjënë më të shtrenjtë për njeriun: dinjitetin. Jemi gati të shitemi për çfarëdollo­j oferte dhe për çfarëdollo­j interesi, mjafton që punët tona të na ecin mbarë, pa vrarë mendjen se çfarë po ndodh apo çfarë mund të ndodhë si pasojë e këtij akti.

Dembelizmi, menefregiz­mi, çoroditja mendore dhe akademike, si dhe injoranca dritëshkur­tër që na karakteriz­on, ka bërë të mundur që votën ta shkëmbejmë me dinjitetin tonë, duke u dhënë mundësinë pashallarë­ve që të ndajnë poste dhe interesa sipas rastit. Dhe pastaj habitemi dhe ndihemi keq kur na trajtojnë si qenie pa vlera dhe ku shprehja e mendimit personal, bie gjithmonë në vesh të shurdhër.

E pra, çfarë ka për t’u çuditur? * Lektor i Shkencave të Edukimit, UET

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania