Panorama (Albania)

At Zef Pllumi: Koleksioni im i ' shpirtnave të këqij'

Pjesë nga libri “Rrno vetëm për me tregue” për Torovicën

-

"… Familja ime jetonte me blegtori, sepse mali nuk kishte toka buke e të vadituna. Mbjellshin jonxhë, asull e kallamboq. Në mal ishin pak shtëpi e shumë bagëti. Shtëpia jonë mbante shumë dele. Në atë kohë kishim vetëm nji dhi. Në rranxë të malit ishte këneta. Ajo ishte nji pasuni e madhe jo vetëm për peshkun, që xehej fare lehtë, por edhe për kullotjen e lopëve e të kuajve. Pak pa fillue ujnat e vjeshtës, ajo kishte gram të mirë edhe për blegtorinë e trashë. Na kishim në breg të kënetës dy ksolla shumë të mëdha: njana rrinte hapë për me hi e me dalë lopët e qetë kur të duen, sidomos në mot të keq, ndërsa tjetra rrinte e ndryeme me derë, aty lidheshin viçat. Në këtë mënyrë njeriu shfrytëzon­te ndiesinë e natyrës amnore. Kur viçi pëlliste me të madhe se e kish marrë uja, nana e vet lopë ia njihte zanin dhe delte prej kënetet a kulloset dhe shkonte me i dhanë gji. N'atë breg kënete aq të izoluem, shtëpia jonë kishte edhe nji sul për me lundrue. Sul thirrej nji trup i madh plepit i zgavrruem e i bamë në trajtë të lundrës, me te gjuejshin peshk. Un pothuej përditë e merrshem at sul e u mundojshem me vozitë në ujin e kënetës ku ishte ma i thellë. Pjesën ma të madhe të kohës e kalojshem në pyll o tue lexue ndonji libër, ose tue u marrë me banorët e pyllit që janë aq shumë. Gjatë asaj kohe pata arritë me ba nji koleksjon shumë të bukur, sidomos, insektesh e fluturash. Nji ditë gjeta nji lkurë gjarpni, prej atyne të hollave që ata e ndërrojnë në pranverë. Ishte nji ekzemplar i rrallë, kund 2.50 metra e gjatë. Shkova n'e nesret herët në mëngjes, e palosa dhe e çova në shtëpi bashkë me koleksioni­n e insekteve të bukura, aty në nji raft. U kënaqeshe me atë koleksjon dhe kështu nuk e ndiejshe aq shumë mërzinë që më kishte hi ndër tru. Por nji ditë… im atë kishte hapë raftin e pa gjithë ato insekte xixëlluese e flutura shumëngjyr­ëshe. E papritun nji pamje e tilë. Ai kishte bërtitë me të madhe:

- Po kush i ka pru këtu në shtëpi të gjithë shpirtënt e këqij që ka mali?! - dhe me idhnim i kishte përplasë për tokë. E le ma kur kishte dalë në truell edhe lëkura e gjarpnit, nuk ishte përmbajtë fare.

Si, edhe lëkuren e shejtanit e ka pru këtu në shtëpi? Na nuk kemi nevojë për magji e shorti. Na besojmë në Krishtin, në fenë e vërtetë! Jashtë! Jashtë, mi qitni atje dhe mi digjni me zjarm. Nuk i due shpirtnat e këqij! Kemi mjaft e tepër këta që i kemi në qafë! - thonte për komunistat…". Torovicë, 1951

 ??  ??
 ??  ?? At Zef Pllumi
At Zef Pllumi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania