Panorama (Albania)

Liri Lubonja: ' Sheshi i Kuq' i kampit dhe qelitë pa dritare

-

"… Në tabelën ' Malecaj 3' makina la rrugën automobili­stike kryesore, në të majtë të së cilës ishte Torovica, që i kishte dhënë emrin kampit e zbriti në të djathtë, në një rrugë të mbajtur keq, gjithë gropa. Mbaruam rrugën dhe papritur, na u shfaqën ca plepa, ca drurë frutorë, sofate lulesh e ca tenda hardhie mbi një belvedere të shtruar me çimento. U lehtësova për një çast nga pesha e malit thiktë, të zhveshur e të lartë, drejt të cilit po shkonim. Mirëpo, ky kopsht i lulëzuar, që ishte ambienti, që rrethonte dikur ndërtesat e ish- komandës, nuk zgjaste shumë. Në fund të tij, u shfaq porta e madhe e kampit, gjysma e kthyer horizontal­isht me tokën, gjysma tjetër e shkulur. Ajo ndante ambientet e gjelbëruar­a të ish- komandës nga pjesa tjetër e ish- kampit, e cila na doli përpara me shëmtimin e saj të dukshëm. Ca ndërtesa gjysmë të shkatërrua­ra njëkatëshe, të zhveshura nga dyert, dritaret, aty- këtu edhe nga tjegullat. Disa shkallë si amfiteatër ku bënin mbledhjet me të burgosurit dhe, ngjitur me të, pallati i parë, i ndërtuar si mos më keq e i vendosur rrëzë një kodre. Pastaj vinte ndërtesa tjetër dhe përpara tyre një shesh i madh, i shtruar me pluhur të kuq. Karshi ngrihej një vendroje pa ushtar, goxha i lartë, i shkrirë në hekur e beton e një tjetër, i njëllojtë, në anën tjetër. Në një qoshe të sheshit, në krah të ndërtesës së dytë, ishte një ndërtesë si kotec, me dritaret sa një sopraluçe. Na u deshën pak çaste për të kuptuar se ishin qelitë ndëshkimor­e. E fundit nuk kishte fare dritare. ' Sheshi i Kuq' i kampit ishte mjaft i ndyrë, jo vetëm prej mbeturinav­e që i hidhnin aty e nuk i hiqte njeri, por edhe nga ca pllanga, njolla të mëdha lagështie, që rrinin në shesh. Ishin ujërat e zeza që dilnin nga tubacionet hidrosanit­are që i kishin thyer vetë banorët e kampit për t'i zhbllokuar. Disa prej tyre vinin nga fshatra të thellë të veriut, wc- të ndryshonin aq shumë nga ato të apartament­eve të qytetit, prandaj s'e kishin idenë se ata tuba të ngushtë nuk pranonin asgjë të fortë, inerte…". ( Liri, Lubonja, Larg dhe mes njerëzve, Fjala, Tiranë 2003).

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania