Panorama (Albania)

Padia, italiania u trafikua në Tiranë për prostituci­on

-

TIRANE - Denoncimi i një shtetaseje italiane çoi në pranga, dje në kryeqytet, një shqiptar të akuzuar për trafikim qeniesh njerëzore, ndërsa dy bashkëpunë­torë të tij u shpallën në kërkim. Ndërsa ngjarjet e kronikës kanë pasur gjithnjë precedentë të trafikimit të vajzave nga Shqipëria drejt vendeve të tjera, rasti më i fundit duket se bën përjashtim dhe është në kahun e kundërt. Kjo për arsye se shtetasja italiane, e cila bëri denoncimin në Policinë e Tiranës, është trafikuar nga Italia në vendin tonë. Burimet zyrtare të Policisë, njoftuan dje se Policia ndaloi një shtetas dhe shpalli në kërkim dy të tjerë, të akuzuar se kanë trafikuar drejt Shqipërisë, me qëllim shfrytëzim­i për prostituci­on, shtetasen e huaj 23 vjeçe, me banim në Itali. "Më datë 04.09.2017, specialist­ët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm pranë Sektorit për Krimin e Organizuar pranë D. V. P. Tiranë, kanë bërë të mundur ndalimin e shtetasit Bardhok Prenga, 46 vjeç, banues në Tiranë", bëri me dije Policia. Sipas saj, ndërkohë janë shpallur në kërkim policor shtetasit me iniciale M. Gj., 46 vjeç, dhe M. B., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë. Policia theksoi se ndalimi i shtetasit të dyshuar është bërë i mundur pasi shtetasja e huaj, 23 vjeçe, ka bërë kallëzim në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ndaj shtetasve Bardhok Prenga, 46 vjeç, M. B., 31 vjeç dhe M. Gj, 46 vjeç, të cilët e kanë trafikuar nga Italia në Shqipëri, me qëllim shfrytëzim­i për prostituci­on. Menjëherë pas marrjes së denoncimit nga shtetasja italiane, Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe ka identifiku­ar tre personat e dyshuar. Njëri prej tyre ra në pranga, kurse dy të tjerët janë shpallur në kërkim për akuzat "trafikim i personave të rritur". Shtetasja italiane ka pretenduar se është njohur me shqiptarët në Itali dhe është gënjyer prej tyre për të ardhur në Shqipëri. Pasi ka mbërritur në Tiranë, 23- vjeçarja pretendon se është mbajtur jashtë dëshirës së saj, në një ambient ku i është kërkuar të kryejë marrëdhëni­e seksuale kundrejt pagesës me klientë të ndryshëm që i gjenin tre të dyshuarit. Sipas dëshmisë, në një moment, 23- vjeçarja nga Italia ka arritur që të largohet nga ambienti ku mbahej prej të dyshuarve dhe menjëherë është paraqitur në polici duke bërë denoncimin ndaj tyre. Tashmë çështja është referuar në Prokurori për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore në lidhje me akuzat ndaj tre personave.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania