Panorama (Albania)

"Një shoqëri s'mund të quhet e mbarë, nëse s'mbron pjesën delikate"

-

Me sa duket, gjithçka nis nga përfillja e tjetrit. Të gjithë e brohorasin, por pak e bëjnë. Sidomos me ritmet e sotme të jetës përgjithës­isht egoiste, në garë të vazhdueshm­e për mbijetesë, për të kapur kohën e humbur, për të ecur përpara. Mirëpo, ka edhe raste, kur ngjarje jo fort të bujshme, na kujtojnë se në këtë botë nuk jemi vetëm, jemi të rrethuar nga njerëz fort të suksesshëm, nga të suksesshëm normalë, nga pak të suksesshëm e më në fund, nga ata që ne i harrojmë duke mos i kujtuar si pjesë e jona, e mishit dhe ashtit të shoqërisë sonë. Këta janë pjesa më e pambrojtur e jona, mbase më e harruara: fëmijë me aftësi të kufizuara, të harruar ndër skutat e tyre, pa kujdes, të mbledhur në vetminë e tyre, zakonisht të errët.

Për të na kujtuar neve, të tjerëve, se një shoqëri nuk mund të quhet e mbarë, përderisa nuk e mbron pjesën e saj më delikate, "Word Vision" ka vendosur që përgjatë dy ditëve, 4 dhe 5 shtator, të mbledhë në qendër të Tiranës aktivistët e saj të shumtë dhe t'i bëjë bashkë me ekspertë dhe figura të rëndësishm­e që merren me këto plagë sociale. Aktiviteti është quajtur "Festivali për Drejtësi Sociale" dhe synon të ndërgjegjë­sojë shoqërinë për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, qofshin këta me aftësi të kufizuara, apo jo.

Sipas një sondazhi të fundit të "Word Vision", në Shqipëri ka 70 mijë, afër 10.7 për qind të fëmijëve, që janë të prekur nga forma të ndryshme të aftësisë së kufizuar. Nga këta, vetëm 92 për qind marrin kujdesin e nevojshëm. Shifrat janë alarmante, duhet të frikësojnë çdokënd, prind, ose jo.

Në Pazarin e Ri, të rinovuar, do të mund të ndjekim një ekspozitë tashmë të të mirënjohur­it fotograf, Bevis Fusha. Kjo do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator. Një ditë më pas, duke nisur nga paraditja, aktivistë të "WV" do të diskutojnë me zyrtarë e ekspertë në Kompleksin Kulturor të Katedrales Ortodokse në Tiranë, për shkundjen e opinionit tonë publik në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve. Ata shpresojnë një gjë të vetme: që zëri i tyre të dëgjohet. Nuk është shumë për një shoqëri që ka nisur që tani ta quajë veten si të europianiz­uar. ( f. b.)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania