Panorama (Albania)

Femrat i vrasim dy herë

- BLENDI KAJSIU

Në Shqipëri femrat i vrasim dy herë. Hera e parë është vrasja fizike, që denoncohet nga të gjithë. Por ky denoncim zbehet shpejt dhe pothuajse menjëherë zëvendësoh­et nga një murmurimë shoqërore që thotë se “diçka kish bërë ajo se kot nuk e vrau ai”. Në shoqërinë tonë maskiliste, femrat kanë faj edhe kur vriten prej burrave, të cilët në analizë të fundit mbeten viktima të manipulimi­t djallëzor femëror.

Këtu fillon vrasja e dytë e femrës shqiptare. Vrasja e karakterit dhe personalit­etit të saj. Është vrasja që e bën media jonë e dashur me artikuj apo intervista “që hedhin dritë” mbi karakterin problemati­k të viktimës, që shpjegon se përse një burrë “u detyrua” ta vrasë. Është një vrasje makabre, sepse bëhet për së vdekuri. E vdekura nuk mund të mbrohet, ndërkohë që familjarët e vrasësit, në vend që të heshtin, japin argumente dhe arsyetime se përse vrasja, në fund të fundit, u nxit nga viktima.

Ky skenar po zhvillohet sot me gjyqtaren Fildes. Menjëherë pas vrasjes fizike, filloi vrasja e saj morale. Në gazetat kryesore u shfaq një intervistë e vëllait të agresorit, që na shpjegonte se si vrasësi ishte një burrë i mirë që gruaja e kish çuar drejt krimit, sepse tallej me të. Ende pa u kallur viktima në dhè, fillon vrasja e dytë e saj, sipas refrenit universal të shoqërive maskiliste: ajo ishte një femër djallë- zore që manipuloi një burrë naiv.

Ndërsa i shoqi e vrau fizikisht, vëllai i të shoqit e vret moralisht. Është e trishtë që media thjesht i vë mikrofonin përpara vëllait të vrasësit për të justifikua­r aktin e këtij të fundit, pa bërë asnjë verifikim nëse ato që ai thotë janë të vërteta apo jo. Është tronditëse që mediat na ofrojnë versionin e vrasësit përpara se të marrim vesh versionin e viktimës.

Sepse ne nuk e dimë historinë e jetës së Fildesit, ne dimë vetëm historinë e vdekjes së saj. Ne nuk dimë se çfarë e detyroi atë të kërkonte divorcin, se në çfarë rrethanash u martua me të shoqin, se çfarë vuajtjesh kalonte ajo në martesën e saj. Dhe nuk ka përse t’i dimë të gjitha këto detaje. Nuk na duhet të dhunojmë intimiteti­n e jetës së Fildesit për t’u revoltuar me vrasjen e saj. Aq më pak duhet të lejojmë që mbi viktimën të hidhet baltë nga justifikue­sit e vrasësit të saj.

Fakti që media shqiptare vrapon për të bërë pikërisht këtë gjë, tregon se sa të thella janë rrënjët e mendësisë maskiliste te ne. Përbaltja e viktimës shërben për të zhvendosur debatin nga problemi i dhunës ndaj grave te ndarja e fajit mes vrasësit dhe viktimës. Ndaj, në vend që të pyesim “Përse burrat shqiptarë po i vrasin dhe i dhunojnë në masë gratë dhe vajzat e tyre?”, shtrojmë pyetjen “Si e nxisin gratë dhunën ndaj vetes duke i ngritur nervat burrave?”. Mesazhi është i qartë, gratë duhet të ulin kokën dhe mbyllin gojën, përndryshe ne i vrasim jo një, por dy herë.

Fatkeqësis­ht jemi ende larg ndaj zhdukjes së vrasjes fizike të femrave. Hapi i parë është eliminimi i vrasjes morale që shërben si justifikim i vrasjes fizike. Për këtë mjafton të kemi pak respekt për të vdekurit, veçanërish­t kur janë viktima të krimeve për të cilat ne si shoqëri maskiliste kemi përgjegjës­i.

 ??  ??
 ??  ?? Gjyqtarja e vrarë, Fildes Hafizi
Gjyqtarja e vrarë, Fildes Hafizi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania