Panorama (Albania)

Familja e ngujuar, fëmijës 10 vjeç nuk i jepet “besa” për t’u shkolluar në fshat

I ati vrau bashkëfsha­tarin, familja e hasmit i jep “leje”: Ik nga fshati ynë, bëje shkollën, por vetëm te dajat e tu

- SHKODER/

Prej 7 vitesh, Reshit Gjata dhe familja e tij nuk mund ta kalojnë pragun e derës në fshatin Barbullush të Shkodrës.

Djali i Reshitit, Agim Gjata, vrau bashkëfsha­tarin e tij, Ndoc Çeliku, pas një sherri të momentit. Por pas krimit të tij, e gjithë familja është ngujuar, përfshirë edhe të birin 10 vjeç, Ambri. Frika se hasmi mund të marrë hak te fëmija 10- vjeçar, ka detyruar familjarët e tij ta çojnë atë të bëjë shkollën te dajat e tij në fshatin Postribë. Më saktë, vetë familja e gjakësit i ka dhënë besë që Ambri ta bëjë vetëm atje shkollën dhe jo në fshatin ku jetojnë. Prej tre vitesh, fëmija është detyruar të lërë banesën ku jetonte me nënën dhe gjyshërit për t’u shkolluar në Postribë.

Vetë Ambri, nuk ngurron të shprehë i përlotur dëshirat e tij që për të mbeten ende ëndrra në sirtar. Fëmija kërkon të shkollohet në fshatin e tij. Ai ka qenë vetëm rreth 3 vjeç kur ndodhi ngjarja e rëndë në të cilën u përfshi i ati. Por tashmë, ai ka kuptuar se e ka të pamundur jetesën normale si shokët e tij, për shkak se familja e tij është e ngujuar. Ambri shprehet se nuk ka shkuar asnjëherë në plazh dhe se nuk e ka shijuar asnjëherë lirinë e plotë si të gjithë fëmijët e tjerë.

“Unë nuk mund të shkoj në shkollë këtu në Barbullush. Jemi të ngujuar dhe e bëj shkollën në Postribë te daja im. Nuk kam çfarë të bëj. Unë kam shumë dëshira, por s’mund t’i realizoj. Nuk kam ende libra dhe as rroba për shkollën. Këtu në Barbullush nuk mund të dal. Ne jetojmë me frikë. Unë nuk kam shkuar kurrë në plazh dhe nuk kam luajtur kurrë me shokët ashtu siç duhet. Ata vijnë këtu te shtëpia ime sepse s’kam zgjidhje tjetër”, shprehet mes lotësh fëmija.

Agim Gjata, autor i vrasjes së bashkëfsha­tarit të tij, është penduar për atë që ka bërë dhe ka pranuar fajin. Ai i ësh- të drejtuar familjes Çeliku me një letër, ku jo vetëm pranon se është fajtor, por i gatshëm edhe t’u dalë plumbave përballë, në mënyrë që familja e tij të mos qëndrojë më e ngujuar. Në letrën e shkruar para dy viteve, kërkon që familja Çeliku t’i japë besë familjes së tij, por kjo nuk është pranuar prej tyre.

Gjyshi i Ambrit, Reshit Gjata, dënon ashpër krimin e të birit. Ai kërkon ndihmë nga shteti, ndërsa familjes Çeliku i kërkon që minimalish­t t’i japin besë pjesës tjetër të familjes sepse ata janë të gjithë të pafajshëm.

“Unë, si babai i djalit që ka vrarë bashkëfsha­tarin tim, e kam dënuar krimin që ka bërë djali im. Atë natë kur ka ndodhur, po ta kisha parë ndokund, edhe mund ta kisha sulmuar. Me familjen Çeliku ne kemi pasur marrëdhëni­e të shkëlqyera ndër gjithë këto vite, por në qershor të 2011 ndodhi ngjarja e rëndë. Që atëherë ne kemi qëndruar të ngujuar dhe nuk kemi mundur të dalim jashtë. Dy djemtë e mi janë në Milano dhe qëndrojnë të mbyllur për shkak se katër djemtë e famil- jes tjetër janë edhe ata në Milano, vetëm 30 kilometër larg nga fëmijët e mi. Punojnë vetëm gratë e djemve nga pak sa për të mbajtur frymën gjallë. Unë kërkoj ndihmë nga shteti, ndërsa familjes tjetër, zonjës së shtëpisë, Rexhina Çeliku, i kërkoj që ne të tjerëve të na lejojë që të dalim lirisht sepse jemi të pafajshëm. Ajo s’ka pranuar asnjëherë që ne të tjerëve të na japë besë dhe ne qëndrojmë të ngujuar. Unë i kam dërguar fjalë me pleqtë që le të merren me dorasin, pra djalin tim që është në burg dhe del pas afro një viti. Me atë të bëjnë çfarë të duan, por ne të tjerëve duhet që të na lënë të dalim sepse po jetojmë me shumë vështirësi”, shprehet i zoti i shtëpisë.

 ??  ?? Kryefamilj­ari Reshit Gjata duke apeluar për ndihmë
Kryefamilj­ari Reshit Gjata duke apeluar për ndihmë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania