Panorama (Albania)

“Pablo” organizoi pritën me armë ndaj Policisë në Lazarat

-

TIRANE - Një emër i ri doli dje në skenë në gjyqin që po zhvillohet te Krimet e Rënda për vrasjen e oficerit të RENEA- s në Lazarat, Ibrahim Basha. Duket se personat që kanë organizuar “kurthin” dhe pritën me armë ndaj forcave të policisë nuk janë arrestuar të gjithë. Madje, Prokuroria ka në hetim një dosje që tregon se organizato­rët e sulmit me armë ndaj Policisë në Lazarat, në qershor 2015, ku mbeti i vdekur efektivi i RENEA- s, Ibrahim Basha, ende nuk janë arrestuar të gjithë. Ditën e djeshme, në procesin gjyqësor ndaj 11 personave të arrestuar për sulmin me armë ndaj Policisë në Lazarat me dyer të mbyllura, ka dëshmuar Eligent Basha. Ai ka sqaruar se pak ditë para ngjarjes së vrasjes së oficerit të policisë në Lazarat, ka takuar në kafe Elison Kazmëm, i pandehur në këtë gjyq. Dëshmitari theksoi se disa të rinj ishin organizuar në dy grupe me qëllim që të përzinin Policinë nga fshati dhe më pas të rikthenin mbjelljen e kanabisit siç kishte qenë para ndërhyrjes së Policisë. Dëshmitari theksoi se ai nuk ka pranuar të bëhej pjesë e planit kriminal për sulmin ndaj Policisë, por më pas u shoqërua nga Policia. Eligent Basha bëri me dije në gjykatë se ndaj tij është ushtruar dhunë psikologji­ke për të fajësuar të rinjtë e arrestuar dhe të akuzuar në këtë proces. Gjatë marrjes në pyetje, në një moment i riu sqaroi se hetuesit e policisë i kanë nxjerrë fotografin­ë e një personi dhe e pyesnin nëse ky ishte “Pablo” dhe nëse e njihte atë person. Por dalja e këtij detaji në gjyq ka sjellë reagimin e prokurorit. Menjëherë sapo dëshmitari ka përmendur emrin e “Pablos”, ka ndërhyrë prokurori i çështjes, i cili ka sqaruar që dëshmitari të mos pyetej për këtë çështje, pasi ka një hetim të veçuar, i cili vazhdon në një dosje të veçuar në prokurori. Sipas organit të akuzës, hetimet për këtë procedim janë në fazë paraprake dhe informacio­net janë sekret. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije se “Pablo” dyshohet se është një nga organizato­rët e sulmit ndaj forcave të Policisë që shkuan të hynin në Lazarat. Ditën e djeshme, në seancën gjyqësore dëshmuan edhe tre efektivë të RENEA- s, të cilët kanë qenë pjesë e operacioni­t ku mbeti i vrarë kolegu i tyre nga një plumb në kokë. Dëshmitë e tyre janë marrë nga Gjykata me dyer të mbyllura me argumentin e sekretit policor. Ibrahim Basha, efektivi i RENEA- s, mbeti i vrarë me plumb në kokë mëngjesin e 24 qershorit 2015 në Lazarat. Ai kishte një vit që ishte inkuadruar në forcat e RENEA- s, pasi për 7 vjet ka qenë në shërbime të ndryshme jashtë Shqipërisë si ushtarak dhe pjesë forcave ushtarake “Eagle” në Afganistan.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania