Panorama (Albania)

“Si i kërkuan Sadijes të kritikonte librin e të shoqit”

"Mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzion­et e atij plenumi"

-

Kishte botuar tre libra më parë, por "Zhurma e erërave të dikurshme" duket se nuk do të botohej pa zhurmë. "Gabime ideologjik­e", "errësim i realitetit"... Për një gazetar të "Zërit të Popullit", gjëra të tilla ishin të papranuesh­me. Përveçse u censurua, vëllimi me tregime i Dritëro Agollit do të kritikohej rëndë, madje do të bëhej subjekt kritikash nëpër shkollat e mesme. Për të "luftuar" gabimet ideologjik­e, edhe Sadijes, atëherë mësuese letërsie, iu kërkua që të kritikonte librin e të shoqit. Për më tepër tregon vetë Dritëroi, i cili nuk e fsheh që nga ajo fushatë kritikash e shpëtoi vetë Enver Hoxha.

Çdo libër ka një histori që lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin "Zhurma e erërave të dikurshme". Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ' 60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën "Ylli", ku kryeredakt­or ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm me ide përparimta­re, shkrimtar me një humor të rrallë, modern dhe njeri me shije të hollë artistike.

Libri u botua më 1964, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë, Safo Markua ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Nga botimi i librit unë mora pesë kopje. Ishte një rregull që pesë kopje dërgoheshi­n në drejtorinë e shtypit të KQ- së të Partisë së Punës. Kaloi një kohë dhe libri "Zhurma e erërave të dikurshme" nuk po dilte nëpër librari. Nuk vonoi edhe shumë dhe mua më thirrën në Komitetin Qendror, bashkë me redaktorin e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit të shtëpisë botuese "Naim Frashëri". Në atë takim ishim përgjegjës­i i shtypit, drejtori i Drejtorisë së Propagandë­s dhe një tjetër. Në takim u diskutua, me libër përpara, se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullont­e nëpër librari, apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizoh­ej Lufta Antifashis­te Nacionalçl­irimtare: personazhe­t e partizanëv­e pasqyrohes­hin të zymtë dhe me shumë kontradikt­a mes tyre, pushkatohe­shin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një ndër pjesëmarrë­sit, që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj.

Pasi më bënë disa vërejtje të tjera dhe disa këshillime, se si gazetar i "Zërit të Popullit", ku punoja, duhej të isha shembull për pasqyrimin e realitetit dhe të mos bëja gabime ideologjik­e, vendosën që libri të shkonte përsëri në shtëpinë botuese "Naim Frashëri", të hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoh­eshin me disa të tjera, të cilat të kishin në qendër "heronj pozitivë".

Sipas këtij këshillimi, unë hoqa disa tregime si, fjala vjen, "Nje- riu me veladon", "Egërsia" dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësua­r me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequra nga shtypshkro­nja mbetën në duar të dashamirës­ve.

Me gjithë këtë ndryshim, "Zhurma e erërave të dikurshme" filloi të bënte zhurmë. Në shtyp, ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjik­e. Kritikat u shtuan pas Plenumit të 15- të të KQ- së të PPSH- së së vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Isamail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzion­et e atij plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për mua, ai tha se Dritëro Agolli është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën "Devoll, Devoll".

Koha bënte të sajën. Librit tim me tregime i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi, iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendesh­in nga Partia. Kjo barrë iu ngarkua mësuesve të letërsisë. Gruas sime, Sadijes, 23- vjeçare, në atë vit e martuar me mua, mësuese e letërsisë në shkollën "Partizani", i ra shorti të kritikonte burrin e saj, me të cilin kishte tre muaj e martuar. Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m'u drejtua: "Më thanë në drejtorinë e shkollës që të të kritikoj ty për librin...". Iu përgjigja: "Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!". Sadija m'u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t'ia shpjegoja gabimet ideologjik­e që përmbante "Zhurma e erërave të dikurshme". Po kjo është një histori e gjatë, që këto shënime do të dukej pakëz e tepërt. Megjithatë, duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi "Zhurmën...". E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund të fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo!

Dhe ç'të them akoma? Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë. Armët e shpikura vetëm mund t'ia ndalojnë pakëz udhëtimin, por ajo ecën, mjafton që shkrimtari të mos trembet as nga kritikët e sferave të larta zyrtare, as nga kritikët letrarë dritëshkur­tër apo dritëgjatë. Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika, dyshon për vlerën e veprës së tij. Çuditërish­t unë nuk iu tremba aq kritikave të djeshme, po aq edhe kritikave të sotme. Edhe kur mendoj për të djeshmen, them me vete: e djeshmja vërtet nuk nxiton, por ngacmon të sotmen.

Kjo është e djeshmja. Është një ditë që ka ikur dhe nuk mund ta kthesh si një fletë letre për ta redaktuar. Fatkeqësis­ht, ka shkrimtarë që e redaktojnë ditën e shkuar të tyre dhe bëhen qesharakë. Unë gëzohem kur shoh një plak të qeshur dhe trishtohem kur takoj një plak qesharak. Mendoj se libri im "Zhurma" bën pjesë te pleqtë e qeshur dhe jo te pleqtë qesharakë.

19 tetor 2006 ( Pjesë nga parathënia e librit "Zhurma e erërave të dikurshme")

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania