Panorama (Albania)

Kadare: Ime motër shpëtoi prej meje, një grua vdiq në burg

"Është letra e vetme që i kam dërguar diktatorit. Më vunë kusht ta shkruaja me dorën time e të mos mbaja kopje"

-

Hapja e dosjeve, botimi herë pas here i dokumentev­e të ish- Sigurimit të Shtetit ka hapur jo pak debate, në të cilat është përzierë edhe emri i shkrimtari­t Ismail Kadare.

Madje, ai ka qenë në qendër të tyre. Në një intervistë ekskluzive në "Studio e hapur" të Eni Vasilit, në “News 24”, Ismail Kadare ka dhënë mendimin e tij në lidhje me këto debate, atë të lindur nga botimi i një letre që i ka dërguar diktatorit Enver Hoxha në vitin 1982, për motrën e tij dhe deponimin në hetuesi të Fatos Lubonjës, pas burgosjes së tij dhe të të atit, Todit. Po ashtu, ai i është përgjigjur pyetjeve të gazetares mbi një tjetër debat aktual, që lidhet me figurën e Skënderbeu­t. Kadare, edhe një herë do të përmendte identiteti­n europian të shqiptarëv­e dhe se Skënderbeu është ai që e mishëron atë.

Botimi i librit të Dashnor Kaloçit, "Kadare në dokumentet e Pallatit të Ëndrrave", nga botuesi Henri Çili, ju ka përfshirë në një polemikë me analistin Fatos Lubonja. Po kështu do të doja të flisja edhe për një botim të ri ditët e fundit nga gazeta "Mapo", që ka të bëjë me një dokument të dëshmisë së Lubonjës në lidhje me polemikën ku jeni përfshirë ju. Përpara kësaj, a mund të na tregoni diçka më tepër për letrën që ju i drejtuat Çilit, pasi ai ju bëri një thirrje për hapjen e dokumentev­e që kanë emrin tuaj në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Së pari, çfarë e konsideron­i këtë letrën tuaj dhe gjithë debatin rreth saj?

Kjo është diçka e njohur. Unë prej shumë vitesh kam kërkuar hapjen e arkivave të fshehta, dokumentev­e të fshehta, organizmav­e të fshehta, të shërbimit famëkeq të Sigurimit. Kjo nuk është një gjë e pazakonshm­e. Në çdo vend që pretendon të kalojë nga tirania në liri, një nga aktet e para është të kërkojë hapjen e gjërave të fshehta që janë mbuluar me kujdes gjatë viteve të diktaturës. Një diktaturë sundon me mijëra mënyra, me mënyra të fshehura, por thelbi i saj është përgjimi i fshehtë. Dhe kështu që është një gjë e njohur. Gjermania e filloi, po kështu edhe vendet ish- komuniste. Gjermanët u treguan më të ndjeshëm, pasi ishin djegur dy herë, nga dy diktatura të ndryshme, por edhe të ngjashme shumë, nazizmi dhe komunizmi. Shumë njerëz nuk iu pëlqen krahasimi i këto dy lloj tiranish, që kanë luftuar me njëratjetr­ën, por tiranitë shpesh ngjajnë, dhe do tentojnë prapë të ngjajnë nëse njerëzimi nuk do marrë masat për t'i shkulur me rrënjë. Dhe një nga masat për t'i shkulur është zbulimi i arkivave të fshehta të tyre që të mos ketë më enigma, mistere, të dimë ato ç'kanë ndodhur, sepse kanë ndodhur shumë gjëra dhe ne nuk dimë të vërtetën. Dimë një lloj të vërtete të stisur, dhe të paraqitur në formë gjysmë teatrale, dhe më keq akoma.

Le ta fillojmë me një letër që është botuar së fundmi në shtyp dhe që ka të bëjë me motrën tuaj, një letër që i drejtohej udhëheqësi­t. A mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj?

Po, unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip, "Libri i zi i komunizmit", që ka një encikloped­i të diktaturav­e komuniste; më intervisto­i dhe më pyeti: "Z. Kadare, a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu kujton se nuk ka lënë ndonjë gjurmë diku, dhe mbase ju keni lënë ndonjë dokument që s'do donit të hapej". Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla, të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshë­m për mua, dhe e botoi këtë. Kur e botova këtu në Shqipëri 5- 6 vite përpara, shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojmë njëherë se çfarë ka dhe ky. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S'ka tjetër, dhe po e përsëris sot te ju këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t'i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut sh- qiptar gjatë 40 viteve. Është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t'i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: "Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t'i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre". Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzo­re për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikoni­n ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani, kur u botua për herë të parë në shtypin shqiptar. Ju e mbanit mend? E mbaja mend si letër. Diku edhe Elena, ime shoqe, në kujtimet e saj e ka thënë që unë i kam bërë një letër për shkak të motrës sime, sepse jam thirrur zyrtarisht në Komitetin Qendror, për të më njoftuar se motra ime ka vite që hetohet nga Sigurimi i Shtetit. Dhe unë si shkrimtar i njohur, "i privilegju­ar" sipas disave, duhet ta dija këtë gjë, dhe mundësisht të isha i ndërgjegjs­hëm për këtë gjë.

Përpara se të flasim për detajet e letrës, si mendoni se ka dalë në shtyp? Kush e ka zotëruar këtë letrën?

Ky është turpi i vendit tonë sot, që kjo gjë vazhdon akoma. Kanë kaluar javë të tëra, njeriu që e ka nxjerrë nuk e di çfarë është, njëri thotë ish- agjent i Sigurimit, tjetri thotë është rrugaç, tjetri aventurier, të tjerë s'e njohin. Por nga ka dalë ky njeri, dhe si e ka nxjerrë. Ju keni krijuar një ide tuajën për këtë? Jo, nuk kam. Ky njeri e ka nxjerrë këtë letër me mënyra të dënueshme, nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit njëherë. Shërbimi i fshehtë i një vendi diktatoria­l të përsosur, në kuptimin më të keq të fjalës. Siç jua thashë në fillim, unë nuk kisha të drejtë të mbaja kopje për veten time. Kjo ka dalë nga thelbi i sekreteve të diktaturës dhe unë nuk e di se ç'bën ky shtet që nuk e sqaron këtë. S'është në gjendje ta sqarojë ndoshta.

Si mendoni, cili është qëllimi i këtij botimi, i kësaj letre? Pse në këtë moment?

Kjo letër nga një pikëpamje është pa ndonjë kuptim të madh, se nuk tregon asgjë për mua. Përkundraz­i, do të thosha, ndoshta nuk po e teproj, më bën nder. Kjo letër tregon se njëri nga familja ime hetohej ditë e natë nga Sigurimi i Shtetit. Unë e shkruaj atje që është një gjë që ma tha shteti, që motra jote është në vëzhgim të vazhdueshë­m. Mos ma merrni për mburrje, por në atë kohë unë isha shkrimtari më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe një familjar i imi përgjohej ditë e natë. Dhe i kam thënë se kjo ndikon në gjithë jetën time, në punën time të përditshme. Dhe duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell, që pse më bëhet kjo poshtërsi apo jo, por doja t'i thosha se ju duhet ta dini që me mua po ndodh ky hetim. Edhe unë vetë duhet ta di pse bëhet kjo gjë. A më pengon kjo mua në jetën time apo jo.

A u ndjetë i rrezikuar nga ky hetim për jetën tuaj, për veprën tuaj?

Nuk di ç'të them, se në atë kohë ishin rreziqet kaq të mëdha dhe njeriu nuk duhet të abuzojë me këtë gjë. Gjithë njerëzit kanë qenë të rrezikuar. Nuk është ndonjë zbulim i madh që bëra unë, por mendova se përse ma thanë mua. Ishte një paralajmër­im që më bënë. Ndoshta vetë ata tani s'e mbajnë mend, a janë në këtë botë a s'janë. Unë nuk e di, s'e kam të qartë. Është një mister që e mbulon punën e kësaj letre. Po mua ajo s'më prek fare në biografinë time, s'më bën asgjë. A kam unë përgjegjës­i që motra ime u përgjoka nga Sigurimi i Shtetit? Unë kisha një lloj krenarie boshe që edhe motra me përgjohej, dhe imagjino edhe vetë sa shumë përgjohesh­a. Nga ai grup ku bënte pjesë motra ime, dhe që u arrestua pothuajse i gjithi, njëra nga gratë vdiq në burg, dhe sot asnjë s'po bën një hetim, edhe pse duhet të ishte bërë. Kanë qenë 4 a 5 gra, njëra ka vdekur në burg, të tjerat janë liruar, Zoti e di kur, s'dihet se çfarë ka ndodhur me to, a janë torturuar. Motra ime është ajo që është kursyer, për shkak se është motra ime. Ka qenë një gjë shumë e hidhur, shumë e trishtuar, por që nuk është marrë njeri seriozisht me të.

E mban peng e shkuara të ardhmen e Shqipërisë? Kjo lloj e shkuare, e pazbardhur, e patreguar mirë, e manipuluar herëherë?

Sigurisht e mban peng. Çdo gjë e fshehtë që ka lidhje me krimet e një tiranie, mban një seri pengjesh, dhe në Shqipëri ka shumë pengje që ne s'na shkon mendja, që mbahen nga kjo gjë. Ka veprimtari, njerëz, rryma të fshehta që gëlojnë akoma, që ne nuk e dimë nga e kanë burimin, sigurisht që mbahen të fshehta.

Ditët e fundit, gazeta "Mapo" ka publikuar një dokument të ri në vazhdën e një botimi të disa dokumentev­e të tilla nga Henri Çili, i cili pas botimit të librit të Kaloçit, "Kadare në Pallatin e Ëndrrave", ka botuar edhe në gazetë disa dokumente origjinale sa u takon seancave të gjyqit të Todit dhe Fatos Lubonjës. Tani dihet që Fatos Lubonja është një nga kritikët tuaj më të fortë në këto 25 vitet e fundit. Sipas këtyre dokumentev­e, Lubonja në gjyqin e tij ka implikuar babanë dhe emrin tuaj gjithashtu, si frymëzues të leximeve të fshehta, të mendimeve të gabuara etj. Dokumenti i fundit që është botuar është një dëshmi e babait të Lubonjës, i cili hedh poshtë këto ide, duke u shprehur se nuk i ka thënë apo biseduar këto me të birin. Së pari, çfarë e konsideron­i gjithë këtë polemikë që keni me Lubonjën, në lidhje me këtë çështje?

Më duket absurde. Këtë njeri e kam njohur shumë pak, pothuajse nuk e kam njohur fare, kam njohur vetëm babain e tij. Është e parëndësis­hme, absurde dhe pa kuptim. Ai është historian, unë jam shkrimtar. Besoj njëfarë shkrimtari është, i rëndomtë, nuk dua ta fyej, s'po përdor fjalën mediokër, por është krejtësish­t i rëndomtë si shkrimtar. Dhe me sa duket, krijon legjenda të tilla për ta bërë më tepër interesant emrin e vet. Nuk jam përzier në punët e tij asnjëherë. Me Todi Lubonjën unë kam pasur shoqëri, miqësi, dhe po ju them, kur ai u fut në burg si komplotist, të gjithë njerëzit që njiheshin me të, që rrinin me të, janë pyetur për të thënë atë çka dinin për këtë "armik". Se kështu ishte stili atëherë, kur arrestohej një njeri, një turmë e madhe njerëzish, të afërm, shokë, miq, të gjithë pyeteshin. Unë jam pyetur në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarë­ve, zyrtarisht. Deklarata ime për Todi Lubonjën është e dokumentua­r, me datë, me vulë. Dhe kam thënë: "Unë nuk kam kuptuar ndonjë gjë armiqësore te Todi Lubonja, veç shakave që bënte shpesh të tepruara, por që ishin në formë humori". Gjëja kryesore që kam thënë është se ai më lavdëronte mua në mënyrë të tepruar. Ndoshta më ka bërë dëm si çdo njeri, kur lavdërohet shumë, dëmtohet. Kanë qeshur ca, ca s'kanë qeshur. Kjo ka qenë e vetmja dëshmi. Ndërsa del tashti, dhe me një kuriozitet unë kam parë dokumentet, që i biri i tij ka mbajtur tjetër qëndrim. Sipas këtyre dokumentev­e, ai e ka akuzuar babanë, e ka zhytur thellë e më thellë. Këtu është ndoshta edhe armiqësia, ndaj e quaj absurde. Unë isha miku i tij, ai vendosi të godasë babanë. Por s'kishte punë me mua, s'kishte pse ta theksonte këtë. Le të më zbulonin të tjerët nëse isha armik si i ati i tij.

Mendoni se edhe ajo dëshmi ju ka implikuar dhe rrezikohes­hit prej saj?

Nuk besoj. Unë kam qenë shkrimtar, dhe për tërë shkrimtarë­t e njohur që ishin, shteti dinte gjëra serioze dhe këto ishin pothuajse vogëlsira. Për shembull, Bashkim Shehu, kur doli, më dërgoi një letër, më shkruante: "I dashur Ismail, po ju shkruaj këtë letër të qetësoj ndërgjegje­n, t'ju tregoj ç'kam thënë për ju në hetuesi". E më ka thënë këtë frazë që e mbaj mend. "Për të qenë i besueshëm, diçka kam treguar". Ishin vërejtje ose pakënaqësi që kishte për Stalinin ose tempujt fetarë. Dhe ka theksuar, për t'u bërë i besueshëm, se nëse do thoshte nuk kam folur asgjë, nuk do besohej, se ata kishin regjistrim­e dhe me sa duket, ai e kishte nuhatur.

 ??  ?? ISMAIL KADARE DHE ENI VASILI, NE “STUDIO E HAPUR”
ISMAIL KADARE DHE ENI VASILI, NE “STUDIO E HAPUR”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania