Panorama (Albania)

"Po hetojmë shefa policie të lidhur me kanabisin"

Prokurori i Krimeve të Rënda: Vetingu në polici, i nevojshëm

-

TIRANE - Një prokuror i Krimeve të Rënda ka thënë se shefa dhe zyrtarë të lartë të policisë janë në hetim dhe të implikuar në dhënien e garancisë apo në mbrojtjen e kultivuesv­e të kanabisit. BIRN, duke raportuar në lidhje me vetingun e pritshëm në radhët e policisë, shkruante dje se një prokuror, i cili ka mbi tavolinën e punës hetimin e dy punonjësve të policisë, që dyshohet se janë implikuar në kultivimin e kanabisit, se vetingu i Policisë së Shtetit është i domosdoshë­m. Duke folur për BIRN në kushtet e anonimatit, prokurori ka thënë se, "sot kemi shefa komisariat­esh dhe specialist­ë sektorësh në polici që janë vënë në shërbim të krimit, duke i dhënë garanci se nuk do preken fizikisht, por dhe s'do i dëmtohen parcelat me drogë. Në disa raste është dokumentua­r se këta shefa në Vlorë dhe Tepelenë, janë vetë kultivues të drogës, pasi nëpërmjet detyrës së tyre, investojnë njerëz që të mbjellin sipërfaqe droge, për llogari e qëllimet e veta". Prokurori u sugjeron strukturav­e të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme apo drejtuesve të policisë që të mbajnë në monitorim të vazhdueshë­m punonjësit e caktuar me detyra shërbimi në zona me risk të lartë të kultivimit të drogës, pasi sipas tij, "mundësia e implikimit të tyre dhe bërja palë me krimin është shumë e madhe". Pas marrjes së detyrës, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, firmosi urdhrin për nisjen e procesit të vetingut edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Sipas urdhrit që sanksionon ngritjen e një grupi pune, procesi i vetingut pritet të përfshijë verifikimi­n e pastërtisë së figurës, të pasurisë dhe aftësive profesiona­le për çdo punonjës të Policisë, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, SHÇBA. Nisja e procesit të vetingut në Polici, paralelish­t me atë të prokurorëv­e dhe gjyqtarëve, ishte lajmëruar më herët nga ministri Xhafaj, si një ndër prioritete­t e tij kryesore në krye të Ministrisë së Brendshme. "Nuk mund të ketë sukses, kur në radhët e Policisë së Shtetit ka kriminelë që shpesh mund të jenë më të rrezikshëm se sa vetë kriminelët," deklaroi ai në fjalën e tij të parë në Parlament pak ditë më parë. Gjatë 4 viteve të shkuara, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme u targetuan vazhdimish­t nga Partia Demokratik­e në opozitë, e cila i akuzoi ata për implikim në përhapjen e kultivimit të kanabisit apo bashkëpuni­m me krimin e organizuar. Ndonëse akuzat politike nuk u mbështetën shpesh me prova apo hetime të Prokuroris­ë, ato vunë në diskutim imazhin e Policisë së Shtetit dhe rolin e saj si një institucio­n i depolitizu­ar. Ndryshe nga kupola drejtuese e policisë, punonjësit e policisë së rangjeve më të ulëta janë bërë shpesh objekt i hetimeve dhe arrestimev­e për implikim në veprimtari të dyshuara kriminale. Vetëm gjatë vitit 2016, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka referuar në Prokurori 160 kallëzime penale për punonjësit e policisë, që dyshohet se kanë kryer elementë të veprave penale. Ndërsa 57 punonjës policie u arrestuan në flagrancë në të njëjtin vit, mes së cilëve 6 punonjës të nivelit të parë drejtues, 36 punonjës policie niveli zbatues, 2 efektivë të Gardës, 2 efektivë të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe 11 shtetas të ndryshëm. Ardi Bita, këshilltar për Median dhe Publikun në Ministrinë e Brendshme, i tha BIRN se i njëjti trend ndëshkimi ka vazhduar edhe në 2017. Sipas tij, përgjatë nëntë muajve të këtij viti janë arrestuar 46 persona, nga të cilët 8 shtetas dhe 38 punonjës policie. Sipas urdhrit të ministrit Xhafaj, procesi i vetingut në Polici do të paraprihet nga një analizë e gjendjes aktuale dhe një paketë ligjore, e cila është premtuar të jetë gati në fund të vitit. Sipas tij, i gjithë ky proces do të asistohet nga misioni "Pameca V" i Bashkimit Europian dhe ai ICITAP i Shteteve të Bashkuara për të "ndihmuar në zhvillimin e një procesi teknik sa më profesiona­l, transparen­t dhe të besueshëm".

Megjithatë, vendimi i Xhafajt ka krijuar pritshmëri të ndryshme sa i përket pastrimit të policisë nga elementët e inkriminua­r përmes këtij procesi. Ish- ministri i Brendshëm i katër muajve të fundit, Dritan Demiraj, i cili u ngjit në atë post si propozim i Partisë Demokratik­e pas marrëveshj­es për zgjedhjet, e mirëpret këtë nismë. Por, ai thekson se rezultate mund të ketë vetëm nëse vetiungu bëhet në mënyrë të ndershme. "Kjo është një nismë shumë e mirë, e cila bëhet në një moment deciziv dhe shumë të rëndësishë­m në kuadrin e luftës kundër kanabisit, drogave të forta dhe luftës kundër korrupsion­it. Por është shumë e rëndësishm­e që ajo [ Policia] të pastrojë nga radhët e saj personat, të cilët lejuan kanabizimi­n e pothuajse të gjithë Shqipërisë," tha Demiraj për BIRN. "Nëse kjo nismë do të realizohet në mënyrë të ndershme, jam shumë i sigurt se do të ikin shumë punonjës policie nga të gjitha nivelet e drejtimit të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë aktivitet kriminal," shtoi ai. Ndryshe nga Demiraj, Osman Levanaku, një ish- drejtues policie i përjashtua­r në vitin 2014, shpreh mosbesim ndaj nismës së ministrit të Brendshëm, duke e quajtur atë "propagandë, që bëhet me qëllimin e një tjetër vale shkarkimes­h në radhët e Policisë së Shtetit". "… Vetingu mes radhëve të policisë duhet të nisë fillimisht nga ish- ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori aktual Haki Çako dhe më pas të shtrihet imtësisht në drejtorët e policisë, shefa komisariat­e e specialist­ë hetimi. Janë të gjithë me tre- katër shtëpia dhe dyqane," thotë ai. Ish- drejtuesi i policisë, Levanaku, hedh dyshime se vetingu mund të ketë lidhje me faktin që Partia Socialiste është tashmë e vetme në pushtet. "Kuptohet që qëllimi nuk është vetëm për ata punonjës policie që janë të implikuar me krimin apo që nuk justifikoj­në pasurinë, por edhe për të hequr një herë e mirë ata që nuk dëshirojnë…," shton Levanaku. Argu- menti i Levanakut nuk mbështetet nga ish- ministri Demiraj, i cili mendon se nisma për vetingun nuk ka lidhje me spastrime të reja politike nga Policia e Shtetit. Ai shton se Partia Socialiste largoi me qindra punonjës policie kur erdhi në pushtet në vitin 2013, me një kosto, sipas tij, të madhe ekonomike dhe sociale. Megjithatë, Demiraj ngre me shqetësim problemin e politizimi­t të Policisë së Shtetit, për të cilën thotë se janë bërë hapa pas. "… Gjatë kohës sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme, padyshim vlerësoj punën shumë të mirë të shumicës së policisë, të cilat janë gjithë kohës në krye të detyrës, por më duhet të them që policia shqiptare është shumë e politizuar, ka nevojë që të rrisë profesiona­lizmin dhe performanc­ën," tha Demiraj për BIRN. Edhe për ish- ministrin Demiraj, procesi i vetingut do të duhej të vendosë në epiqendër të tij efektivët që u implikuan apo lejuan fenomenin e kanabisit, që dëmtoi imazhin e vendit në arenën ndërkombët­are. "Gjatë kohës që shërbeva si ministër i Punëve të Brendshme, kam parë me sytë e mi dhjetëra punonjës të ndershëm policie, por në këtë korpus ka dhe struktura, të cilat kanë qenë në bashkëpuni­m me kriminelë dhe grupe të fuqishme kriminale, të cilët në bashkëpuni­m me ta, lejuan këtë veprimtari…", përfundon Demiraj.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania