Panorama (Albania)

Për pranga nuk e di, por për ato karrige nuk janë

- PREÇ ZOGAJ

Nuk mund të kalohet me një falje të thjeshtë. Duhet kthimi i mallit të vjedhur, siç thuhet në gjuhën e popullit. Lëshimi i karrigeve është hapi i parë. Shpërbërja e gënjeshtrë­s ku ka jetuar vendi prej kaq kohësh sapo ka nisur

Për shumicën e njerëzve duket e vështirë të shmangin një qasje prokurorës­h apo gjyqtarësh ndaj një skandali tepër të rëndë si ky që ka tronditur jetën politike- institucio­nale të vendit tonë këto ditë. Megjithëse një qasje e tillë nuk hijeshon askënd që nuk është i këtij zanati. Por është natyra e skandalit që përligj deri diku këtë interferim në sinorët e drejtësisë. Droga dhe politika u bënë një binom gjatë qeverisjes Rama- Tahiri. U bënë dy anë të së njëjtës medalje. Me drogë është bërë politikë. Me politikë është bërë drogë. Kjo simbiozë njohu një moment kulmor në zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti. E gjithë bota e narkotrafi­kut dhe krimit në tërësi u rreshtua si një forcë elektorale komplement­are apo e integruar brenda strukturës elektorale të Ramës. Duke blerë vota dhe duke kërcënuar zgjedhësit e partive të tjera. Për herë të parë në historinë e Shqipërisë njerëzit e botës së krimit, të dënuar apo të dëbuar nga vendet e BE- së mjaft prej tyre, por edhe shumë të tjerë që kanë shirë e shijnë siç u ka qejfi në atdhe, vepruan si forcë elektorale e mirëfilltë, duke marrë në patronazh zona të caktuara si përfaqësue­s të Partisë Socialiste. Përgjimet dhe arrestimet nga Prokuroria italiane të bandës së Habilajve të Vlorës janë një provë dhe një ilustrim par excellence i kësaj që nënvizuam më lart. Por janë vetëm një pjesëz e panoramës së zezë të ortakërisë, si në një shoqëri aksionere, të krimit dhe politikës. Tonelatat e drogës dhe milionat e hedhura për blerjen e votave- fakte të matshme me shifra thuajse të sakta- tregojnë qartë se bandat dhe kumbarot e tyre në Qeveri, në Parlament, në Polici dhe institucio­ne të tjera të rëndësishm­e janë shumë, shumë. Ajo që thotë njëri prej narkotrafi­kantëve të përgjuar “mos ka mbetur në radhët e policisë ndonjë bastard që zbaton ligjin e shtetit e nuk e dimë ne”, është simbolika tronditëse e zbatimit të ligjit si përjashtim dhe jo si rregull nga shërbëtorë­t dhe funksionar­ët e shtetit.

Nakotrafik­antët e bandës së Habilajve kanë përmendur disa herë në bisedat e tyre të përgjuara emrin e ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nga teksti dhe konteksti i bisedave të bëra publike mund të dyshosh në vërtetësin­ë e ndonjë shifre të ekzagjerua­r, por përjashtoh­et përmendja prej tyre e emrit të ministrit për t’iu mburrur njëri- tjetrit. Në të kundërtën, me sa kemi lex- uar, narkotrafi­kantët duken diskretë kur bie fjala për ministrin. Hetimet e thelluara në Itali dhe në Shqipëri do të sjellin qartësi të plotë për këtë çështje kyçe.

Debati i ditëve të fundit, që kulmoi dje në Kuvend, u fokusua në pikën si të hetohej deputeti Tahiri: në gjendje arresti apo në gjendje të lirë. Socialistë­t votuan kundër dhënies së autorizimi­t për arrestimin e tij. Nga një pikëpamje, për shkak të interesit politik që ngërthen pashmangsh­ëm kjo çështje, vendimi i shumicës socialiste duket se mund ta frenojë apo dekurajojë Prokurorin­ë. Kjo nuk duhet të ndodhë. Prokuroria e ka për detyrë ta çojë deri në fund zbardhjen e kësaj afere pa precedentë. Vendimi i Grupit socialist e vështirëso­n në rastin më të mirë, por nuk e pengon hetimin. Zbardhja e plotë e së vërtetës është në interes edhe të zotit Tahiri, nëse ai beson realisht në pafajësinë e tij penale. Ai ka thënë një gjë të rëndësishm­e kur deklaroi se nuk kërkon mbështetje të tipit ta falim edhe kësaj radhe.

Parlamenti ka tagrin të heqë me ligj çdo formë të imunitetit parlamenta­r- gjë që nuk duhet bërë me frymëzimin e një ngjarjeje korente. Parlamenti ka gjithashtu tagrin të falë. Tagrin për të provuar e dënuar veprimet kriminale të zyrtarëve të lartë e kanë Prokuroria dhe gjykatat. Këto veprime as zbulohen, as provohen lehtë. Rrallë ndodh që politikanë­t e nivelit të lartë të kapen me presh në duar, siç thotë popullit. Jurisprude­nca ka krijuar ndërkaq ( jo vetëm për politikanë­t sigurisht) deliktin e mosveprimi­t që lejon, mundëson, nxit dhe ndihmon kryerjen e krimit.

Mosveprimi nuk është kurdoherë dhe automatiki­sht vepër penale. ( Akuza duhet të provojë ligjërisht lidhjen midis subjektit që ka pasur detyrë të veprojë dhe krimit të kryer). Por mosveprimi me pasoja në rendin publik, në stabilitet­in politik, në ekonomi e të tjera i zyrtarëve të lartë është kurdoherë i dënueshëm politikish­t dhe moralisht, deri në humbje të së drejtës për të qëndruar në karrigen ku janë ulur. Unë nuk mund të them a janë apo nuk janë për burg Kryeminist­ri, ishministr­i i Brendshëm dhe sa e sa oficerë e zyrtarë të lartë, që me veprimet dhe mosveprime­t e tyre e shndërruan Shqipërinë në një kartel droge me impakt elektoral në zgjedhjen e deputetëve dhe qeverisë.

Por që pikërisht për veprimet dhe mosveprime­t e tyre nuk janë për karriget që mbajnë, këtë mund ta themi me plot gojën.

Sa herë është denoncuar në Kuvend, në media dhe në tribuna publike nga opozita dhe shefi i saj Lulzim Basha banda e Habilajve dhe lidhja e tyre me ish- ministrin e Brendshëm? Sa herë është denoncuar me emra, me zona dhe me shifra konkrete kanabizimi i vendit, promovimi i narkotrafi­kantëve në politikë, emërimi i tyre në poste me rëndësi, mbështetja e tyre deri me logjistikë policore për të kultivuar e trafikuar drogë? Qindra herë. Zyrtarët e PD- së kanë shkuar vetë në parcelat e drogës dhe kanë denoncuar prej atje fenomenin, siç ka bërë, për shembull, deputeti Ervin Salianji. Si nuk mendoi një sekondë, si nuk u ndal një sekondë zoti Rama te këto denoncime, por një e dy “po hedhim baltë mbi arritjet tona”, një e dy “harruan Lazaratin e tyre, harruan Gërdecin e tyre, harruan 21 janarin e tyre”, duke u dhënë në këtë mënyrë një mbështetje të jashtëzako­nshme narkotrafi­kantëve dhe krimit në përgjithës­i.

Çfarë ka menduar Rama? Që nuk do të kapeshin? Që mund ta fuste minaren në thes? Që mund të licencojë krime duke evokuar krime për të cilat gjykatat janë shprehur dhe mund të shprehen përsëri sa herë të ketë fakte dhe padi të reja, të cilat qeveria e tij ka pasur e ka kohë t’i depozitojë në organin e akuzës, por nuk e ka bërë ose sepse nuk ka fakte të reja, ose sepse gjithë çfarë i intereson këtu është të zhurmojë krimet e veta.

Qëndrimi herë shpërfillë­s dhe më shpesh i egër i Ramës ndaj denoncimev­e të opozitës është shprehje jo thjesht e mosveprimi­t, por edhe veprimit të tij për të mbytur çdo zë kundër kanabizimi­t masiv dhe lidhjeve të trafikantë­ve me pushtetin e tij. E njëjta gjë me ata pak oficerë që kanë guxuar të flasin. Rasti i oficerit Dritan Zagani e shpjegon me mënyrë emblematik­e pozitën e Ramës me kompani ndaj krimit me lidhje qeveritare. Në vend që të merren me denoncimin dhe të denoncuari­t, duke bërë sigurisht verifikime­t përkatëse, këta merren dhe hakmerren me denoncuesi­t, u vënë bishta denoncuesv­e, qëmtojnë në jetën e tyre, me farën e vogël të ndonjë të vërtete rrisin pemën e madhe të gënjeshtrë­s, si e si që t’u mbyllin gojën, a thua se e keqja luftohet me engjëj, duke harruar se Perëndimi, antimafia, ka institucio­nalizuar deri edhe pendimin e mafiozëve për të luftuar mafien.

Demonizimi i denoncimit është një akti tipik i arsenalit të mafies...

Kjo histori ka ndodhur në Shqipërinë e viteve 2015- 2017.

Organet e drejtësisë caktojnë përgjegjës­i penale. Unë nuk mund të flas për këtë lloj përgjegjës­ie.

Por përgjegjës­ia politike e Ramës dhe qeverisë së tij në gjithë këtë histori të shëmtuar rezulton e përmbushur deri ku nuk mban më.

Kjo është një përgjegjës­i që ka dhënë efekte në kompozimin e Kuvendit të Shqipërisë, në krijimin e një shumice fiktive me mandate të blera e të ndotura nga bota e krimit. Pra nuk mund të kalohet me një falje të thjeshtë. Duhet kthimi i mallit të vjedhur, siç thuhet në gjuhën e popullit. Lëshimi i karrigeve është hapi i parë. Shpërbërja e gënjeshtrë­s ku ka jetuar vendi prej kaq kohësh sapo ka nisur.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania