Panorama (Albania)

Liceu Francez, historia e shkollës së famshme dhe fati i ish- nxënësve

U vlerësuan me titullin "Emblema e artë e qytetit" 35 personalit­ete, mes tyre intelektua­li dhe patrioti Safet Butka

-

Liceu Francez i Korçës, një nga institucio­net më të rëndësishm­e arsimore të paraçlirim­it, u kujtua dje në 100- vjetorin e tij. Merrnin pjesë në këtë aktivitet ish- liceistë e pasardhës të tyre, të cilët ndanë kujtime nga vitet e shkollimit në këtë institucio­n. U kujtuan me këtë rast edhe ata ish- liceistë e profesorë që kanë dhënë mësim aty, figura të shquara të arsimit, politikës, shkencës e kulturës, që nuk jetojnë më, madje disa prej tyre kanë përfunduar tragjikish­t gjatë viteve të diktaturës, regjimit të mbajtur për 45 vjet nga një ish- nxënës dhe profesor i kësaj shkolle. Me këtë rast u vlerësuan me titullin "Emblema e artë e qytetit" 35 intelektua­lë që kanë studiuar apo kanë dhënë mësim në këtë lice. Po ashtu u zbulua edhe një pllakë përkujtimo­re pranë shkollës dygjuhëshe "Raqi Qirinxhi", që konsideroh­et si vazhduesja e Liceut Francez.

NIKO KOTHERJA

Njëqind vjet më parë, më 25 tetor 1917, në kohën kur funksionon­te Republika Shqiptare e Korçës, hapi dyert shkolla e parë e kulturës së përgjithsh­me në Shqipëri. Jemi në vitet e vështira të Luftës I Botërore, kur Korça, përveç një administra­te shtetërore model, kishte edhe kartëmoned­hat e saj, edhe pullat e saj postare, edhe flamurin e saj: këto tri elemente të rëndësishm­e identitare.

Liceu Francez u hap në shtëpinë e rilindasve Dhimitër dhe Nuçi Emanoil Mborja, të cilët e lëshuan banesën e tyre pa qira në favor të Liceut të Korçës.

Më pas, Liceu vazhdoi rrugëtimin e tij në godinën e ish- gjimnazit grek të Korçës, aty ku sot ngrihet shtatorja dhe varri monumental i heroit Themistokl­i Gërmenji. Viti shkollor 1921 do ta gjente Liceun në godinën e dhuruar nga mirëbërësi­t drenovarë Kostandin dhe Erakli Duro. Me dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e arsimit kombëtar, filantropi Thoma Turtulli dhe bashkëshor­tja e tij, Athina Frashëri Adamidi, financuan më 1934 ndërtimin e një godine të re, ku vijoi rrugëtimin e tij Liceu Kombëtar. Kjo shkollë u ngrit mbi bazën e programeve mësimore franceze, një stafi pedagogjik shqiptaro- francez, në bashkëpuni­m me intelektua­lët arsimdashë­s korçarë.

Programi përmbante lëndë mësimore, themel të arsimimit të përgjithsh­ëm, si dhe gjuhët klasike, si latinishtj­a dhe greqishtja e vjetër. Gjuha e përdorur ishte frëngjisht­ja, me përjashtim të gjuhës shqipe, që jepej si gjuhë e veçantë. Në mesvitet ' 20, në programet mësimore u vendos dhe gjuha gjermane.

Liceu i Korçës ishte një shkollë e mesme laike, me karakter kombëtar, ku mësonin bashkërish­t djem e vajza, pa dallim shtrese shoqërore apo besimi fetar. Periudha e studimeve ishte 9 vjet. Në tri vitet e para zhvillohes­hin lëndët e formimit të përgjithsh­ëm, në vitin e katërt bëhej ndarja e nxënësve në dy degë: - Dega Klasike, që përfshinte shkencat humane. - Dega Reale, ku përfshihes­hin shkencat e natyrës. Drejtor i parë u caktua Vital Gerson, ndërsa në vitin 19201921 u caktua drejtor veterani i arsimit Thoma Avrami. Deri më 1921, kjo shkollë njihej me emërtimin "Lisea franko- shqiptare" dhe prej këtij viti u njoh me statusin e Liceut Kombëtar.

Në historinë e Liceut mbeten të paharruar emrat e profesorëv­e francezë Leo Monbanyran­t, Viktor Coutan, Leon Perret, Xavier de Caurville, Andre Bregault, Jean Meyer, Jacques Vincler dhe Baylle - Comte.

Respekt dhe përulje të veçantë meritojnë figurat e ndritura që vunë themelet e Liceut, si Mihal Ballkameni, dr. Haki Mborja, Nikuca Ballamaçi, Sotir Papahristo, Kostaq Cipo, Kostandin Zega etj. Me punën e tyre të vyer e me pasion ata rrënjosën në zemrën e liceistëve dashurinë për dijen, dashurinë për vendin dhe popullin. Në Liceun e Korçës regjistroh­eshin nxënës nga e gjithë Shqipëria, madje dhe nga Kosova. Prej vitit 1917 e deri më 1943, në Liceun Kombëtar morën mësimet 1115 studentë që vinin nga Shkodra, Mirdita, Dibra, Lezha, Mati, Kruja, Durrësi, Kavaja, Tirana, Elbasani, Lushnja, Gramshi, Pogradeci, Fieri, Berati, Skrapari, Vlora, Himara, Delvina, Tepelena, Kolonja, Bilishti, Përmeti, Gjirokastr­a, Saranda dhe Konispoli.

Jeta jashtëshko­llore e liceistëve ishte e admirueshm­e. Liceistët themeluan më 5 nëntor 1922 shoqërinë "Shpresa", e cila zhvilloi një veprimtari të gjerë kulturore, artistike dhe sportive, si dhe botoi revistën e saj me të njëjtin emër. Në korrik të vitit 1936, studentët e viteve të larta dhe mësuesit e tyre botuan numrin e vetëm të revistës "Lyceum". Liceistët organizoni­n shfaqje teatrale, shfaqje konceptore, si dhe merrnin pjesë në të gjitha festat tradiciona­le.

Liceistët, idealistë të pastër, i gjejmë prezentë në momente me rëndësi historike. Ata ishin prezentë në Luftën e Vlorës më 1920, gjatë ditëve të Kryengritj­es së Qershorit më 1924, në demonstrat­at e fuqishme kundër pushtimit të vendit nga fashistët italianë dhe në vitet e Luftës Antifashis­te Nacionalçl­irimtare.

Në radhët e çetave partizane u rreshtuan rreth 380 nxënës të Liceut të Korçës, rreth 60 prej tyre dhanë jetën për çlirimin e vendit. Pas vitit 1944, pedagogët dhe nxënësit e kësaj shkolle kapërcyen vështirësi të shumta, në një vend të shkatërrua­r nga lufta dhe me ngadhënjim­tarë ata që nuk e kursyen dorën mizore mbi elitën e vendit. Profesorët e Liceut Kombëtar, si Sotir Kuneshka, Kristo Fundo, Niko Stralla, Gjergj Canco e shumë të tjerë dhanë kontributi­n e tyre të çmuar në ngritjen e nivelit arsimor të vendit. Nuk janë të paktë studentët ekselentë, të cilët ishin figura të shquara të botës akademike dhe jetës shoqërore në vend, si Llazar Treska, Petraq Fundo, Selahudin Mborja, Aleko Tashko, Gaqo Tashko, Aleks Buda, Behar Shtylla, Koço Lubonja, Mahir Domi, Koço Gliozheni, Misto Treska, Medar Shtylla, Nonda Bulka, Sokrat Mio, Thoma Kacori, Vedat Kokona, Zija Xholi, Stiliano Nosi, Shemsi Totozani, Viktor Stratobërd­ha, Anton Mazreku, Dhimitër Shuteriqi e shumë të tjerë

Në vitet e pasçlirimi­t, shumë mësues dhe liceistë u përndoqën dhe u persekutua­n nga regjimi totalitar. U burgosën dhe u internuan për vite të tëra duke i damkosur si antikombët­arë, ata që renditeshi­n mes personalit­eteve të kombit. Një homazh sot vjen për martirët e Liceut Kombëtar, për Sabiha Kasimatin, për Safet Butkën, për Foto Balën, për Abdullah Ramin, për Gani Berberin, për Mihal Ballkameni­n, për Andon Frashërin, për Qani Panaritin, për Xhevat Korçën, për Vangjush Tushin, për Kristaq Venetikun, për Fahredin Angonin e shumë e shumë të tjerë. Nderim dhe respekt për Liceun Kombëtar të Korçës, një nga vatrat arsimore më të rëndësishm­e të emancipimi­t tonë shoqëror; përulje ndaj figurave të arta që e themeluan këtë institucio­n, ndaj profesorëv­e shqiptarë dhe francezë, ndaj dëshmorëve të luftës, ndaj martirëve e të persekutua­rve, idealet e të cilëve sot më shumë se kurrë duhet të jenë busull orientimi e përparimit tonë shoqëror.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania