Panorama (Albania)

“Tito e quante Enverin inteligjen­t e borgjez”

-

sa e re"; mandej i arrestuari i vitit 1962 edhe për librin "Bashkëbise­dime me Stalinin". Natyrisht ( meqë jemi në Jugosllavi­në e Titos dhe jo në Shqipërinë e Enver Hoxhës) i liruar nga burgu më 1966, duke mos i ndryshuar asnjë pikë disidencës së tij, teksa shëtiste në rrugët e Beogradit si një qytetar i lirë"… Ky Milovan Gjilas pra, i vitit 1980 apo 1985, ka gjykim tjetër të tij edhe për marrëdhëni­et jugosllavo - shqiptare dhe për udhëheqësi­t shqiptarë. Dhe ja si shkruan pra, mbas 35 vjetëve, Milovan Gjilas: "… Në këtë kohë ( 1945) Enver Hoxha ishte kreu i konfirmuar i Shqipërisë. Tridhjetë e pesë vjeç, trupmadh, me sjellje modeste, me një padurim të madh për të mësuar. Mbrapa dukjes së tij europiane dhe të një thjeshtësi­e, kuptohej megjithatë se kishim të bënim me një personalit­et kryefortë, i mbyllur dhe i pakapshëm. Fliste saktë frëngjisht. Ishte gjithnjë i përqendrua­r te problemet e brendshme të lidhura - nëse jo krejtësish­t, të paktën pjesërisht - me natyrën e rolit të tij ashtu siç e konceptont­e ai. Herë- herë shprehja e tij shndërrohe­j papritmas në një buzëqeshje çuditërish­t mizore. Gruaja e tij ishte e re dhe e bukur, me një lëkurë brune, sy të mëdhenj dhe me qerpikë të gjatë. Jetonin në një vilë, por për ta po bëhej gati rezidenca mbretërore në një kodër në Durrës. Kam mësuar se më vonë Hoxha është bërë më i matur dhe me më pak synime në këtë anë. Përjashto çështjet e qenësishme të pushtetit dhe të ideologjis­ë. Por këto ishin kohë të tjera... Ne imitonim rusët në qeveri, shqiptarët na imitonin ne në qeveri dhe në luksin autokratik. Presidenti i Presidiumi­t, Omer Nishani, ishte i njohur për edukatën dhe kulturën e tij. Atdhetar i çliruar prej paragjykim­eve nacionalis­te, ai ishte i palëkundur në shpresat e tij për një Shqipëri të re dhe të një ribashkimi ballkanik. Por, edhe pse ishte i respektuar prej të gjithëve dhe ishte një kënaqësi ta takoje e të diskutoje me të, ai nuk kishte as pushtet dhe as ndikim.

Nako Spiru bënte pjesë në kreun, edhe sepse nuk mund të thuhej se ishte një eksponent i spikatun. Dallohej për sinqeritet­in dhe inteligjen­cën e hollë. Me trup të brishtë, thuajse të imtë, ai ishte plot nerv. Thuhej se kishte kaluar një fëmijëri jo të lumtur ose që kishte kaluar një dhimbje të pangushëll­ueshme. Në atë fillim idilik të marrëdhëni­eve jugosllavo- shqiptare, Spiru ishte plot ide të bashkëpuni­mit ekonomik. Edhe pse nuk dinte shumë nga ekonomia - aq më tepër që unë nuk isha i interesuar për këtë fushë - bëmë së bashku "plane" të vëllazërim­it dhe të përparimit. Kur më 1947, u izolua për shkak të kundërshti­mit të tij ndaj Jugosllavi­së dhe Spiru u vetëvra, unë u trishtova për shkak të një ndjenje të brendshme të pangushëll­ueshme të këtij veprimi. Pavarësish­t nga teza e pranuar përgjithës­isht se ai qe lënë të binte në vetminë e një zemërimi nacionalis­t.

Koçi Xoxe ishte numri dy në Shqipëri. Ashtu si Rankoviçi, ishte ministër i Brendshëm dhe sekretar i Komitetit Qendror. Nga paraqitja e jashtme ishte i bëshëm, trupshkurt­ër e kryefortë. Nuk ishte shumë i shkolluar, por kurajoz, metodik dhe i shijeve të thjeshta. I ngadalshëm në marrjen e vendimeve, tregohej tejet i vendosur kur e merrte vendimin. Kishte kaluar disa vjet në Maqedoni dhe përmes maqedonish­tes ia kishte arritur të përvetëson­te mjaft mirë serbo- kroatishte­n, edhe pse nuk kishte fort dëshirë ta përdorte. Rankoviçi dhe Tito e konsideron­in Xoxen njeriun më të vendosur dhe proletarin e Komitetit Qendror shqiptar, në ndryshim nga Hoxha, të cilin e gjykonin inteligjen­t dhe të denjë për t'u vlerësuar, por të veshur me vlerat e një borgjezi të vogël dhe të njëlloj intelektua­lizmi. Takimi im me Xoxen në Tiranë ishte më shumë një çështje protokolli të çastit për shkak se operonim në fusha të ndryshme. Më vonë pata mundësi ta njihja më mirë, ngaqë vinte shpesh në Beograd për punë qeverie ose të partisë, ku takohej rregullish­t me Rankoviçin në zyrat e Komitetit Qendror, aty ku punoja edhe unë.

Vlerësimi që shprehnim ne për liderët shqiptarë bazohej mbi të gjitha nga raportimet që na vinin nga përfaqësue­sit tanë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha - dy komunistë të cilët gjatë luftës ishin plagosur në Shqipëri mbasi kishin ikur prej një kampi përqendrim­i. Roli i tyre, siç e shoh unë, ishte më shumë sesa thjesht ai i ekspertëve revolucio- narë; që i përshtates­hin një lëvizjeje të re dhe ende të pazhvillua­r të një populli fqinj, sesa si përfaqësue­s zyrtarë të Partisë jugosllave. Ndihma që ata u jepnin shokëve shqiptarë ishte thelbësore, por në historiogr­afinë jugosllave mbas vitit 1948, kur Shqipëria u bashkua me fushatën sovjetike kundër nesh, roli i tyre u mbivlerësu­a me synimin se pa Popoviçin dhe Mugoshën, Shqipëria nuk do të kishte pasur as revolucion dhe as edhe një parti.

Të përçosh përvojat tuaja te një vend i huaj në fillim kjo shkakton moskuptime dhe kundërshti­me, mandej sundim dhe nënshtrim. Është një realitet për të cilin unë isha i përgjegjsh­ëm, por nuk mendoja se kjo mund të ishte e vlefshme edhe për marrëdhëni­et midis partive komuniste dhe midis vendeve socialiste. Më ndodhi gjatë udhëtimit tim në Shqipëri të vija re diçka të papërshtat­shme dhe të panatyrshm­e për sa i përket bartjes, apo më mirë me thënë, ndikimit të përvojës sonë.

Besoj se e kisha ngritur këtë çështje në bashkëbise­dimet e mia me shqiptarët, kujtoj sidomos diskutimin e thellë me delegatin tonë të Partisë në Shqipëri, Velimir Stojniç.

Stojniç ishte një revolucion­ar i spikatun në zonën e Drvarit, një mësues i shquar dhe një funksionar i përkushtua­r i punës së tij: do të kishte qenë një intelektua­l i një niveli të mirë nëse do të kishte njohur gjuhën shqipe ose franceze. Por këmbëngulj­a dhe shpirti i iniciativë­s bëhen pengesë nëse shkojnë kundër rrymës së jetës dhe të krijimit. Kështu i ndodhi Stojniçit në Shqipëri: ai këmbëngult­e me kryefortës­i në mënyrat dhe pikëpamjet jugosllave. Natyrisht, këshillat e mia nuk patën asnjë ndikim tek ai. Kur u ktheva në Beograd, ua parashtrov­a problemin krerëve të tjerë. Përgjigjja e Titos ishte se duhet të veprojmë me maturi dhe kujdes. Rankoviçi dëgjonte me vëmendje, shêjë kjo se e kuptonte që duhej ndërruar mënyra e veprimit, por jo synimet tona. Stojniçi qe pasojë e gjithë kësaj, teksa u thirr në atdhe ku iu besua një detyrë e një përgjegjës­ie të lartë dhe delikate brenda Komitetit Qendror. Kur Rankoviçi ra më 1966, Stojniçi nuk nguroi për ta kritikuar politikën e tij të kuadrove, ngaqë ai kishte qenë vetë administra­tori përgjegjës i drejtpërdr­ejtë. Njerëzit e braktisin anijen kur ajo po fundoset, me shpresë se do të ngjiten në bordin e një anije më të mirë dhe më të madhe.

Para se të largohesha nga Shqipëria, dhashë një intervistë informale në të përditshme­n "Bashkimi". Ndërsa po fluturoja mbi "Prokletija" ( kështu e quajnë malazezët pjesën e tyre lindore, atë të Jugperëndi­mit të Serbisë dhe të Veriut të Shqipërisë) për në shtëpi, ndieja se më së fundi i kisha kapërcyer barrierat e mëdha personale dhe që më së fundi po hyja në bashkësi me këtë popull me të cilin ekzistonin lidhje të lindura prej luftërave të përgjakshm­e po dhe të shpresave, por me të cilin na ndanin ndryshime kombëtare të pakalueshm­e", e mbyll Milovan Gjilas këtë pjesë të tregimit të tij.

Ndërkaq, krejt shpejt do të mbërrinte ndarja e madhe, dhe Gjilas ende do të vazhdojë të jetë protagonis­t, madje gjithnjë edhe në lidhje me Shqipërinë… Vijon...

 ??  ?? Faksimile e gazetës “Bashkimi” ku u botua intervista e Petro Markos me Milovan Gjilas
Faksimile e gazetës “Bashkimi” ku u botua intervista e Petro Markos me Milovan Gjilas

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania