Panorama (Albania)

Legalistët debat me Pezën: Pse Zogu s’mund t’ia jepte motrën Enverit

Peza: Je i indoktrinu­ar. Fantazia ime artistike mund t'i bënte të dashur Enver Hoxhën me Ahmet Zogun

-

"Enver Hoxha ishte aventurier dhe nga një familje e një niveli të ulët, Mbreti Zog nuk mund t'ia jepte motrën". Kreu i Partisë Lëvizja e Legaliteti­t, Sulejman Gjana, ka akuzuar gazetarin Alfred Peza se përmes romanit të tij "Sarah" po krijon mite të reja dhe se përmes tyre po dëmton figurën e Mbretit Zog.

Debati i hapur publik mbi romanin, botim i Mapo Edition, organizuar tek instalacio­ni "Reja", është shoqëruar me replika të nxehta mes Gjanës dhe Pezës. I pyetur nga Alda Bardhyli mbi përpjekjet historike që ka pasur për ta anatemuar figurën e Mbretit Zog dhe platformën e legalistëv­e për të risjellë imazhin e munguar të mbretit, Gjana tha se përpjekje të tilla i ka gjetur edhe në romanin e Pezës. Sipas tij, romani ushqen mite që e dëmtojnë figurën e Mbretit Zog. "Vetë historia mbi të cilën është ndërtuar ky roman, ajo e dashurisë mes Sara Blloshmit dhe Zogut, është e stisur. Gjithnjë ka pasur përpjekje për ta treguar mbretin si një lloj aventurier­i, por lidhja mes tij dhe Sara Blloshmit nuk qëndron", tha Gjana. Lidhur me pretendimi­n e Pezës se Zogu kërkonte të fejonte të motrën Maxhide me ish- diktatorin Hoxha, Gjana tha se kjo është një sajesë, pasi familja mbretërore ishte tepër e kujdesshme në zgjedhjen e miqësisë dhe nuk mund të bënte miqësi me një familje jo të denjë siç ishte ajo e Enver Hoxhës. Sipas tij, Zogu duhej të kishte informacio­n që Enver Hoxha ishte një aventurier, një njeri imoral, jo në rangun e familjes mbretërore. Në atë kohë Enver Hoxha sapo kishte ardhur nga studimet nga Franca, ambicioz për të rritur pozitat e tij në vend dhe një fejesë e tillë do ta afronte atë më afër pushtetit. Një tjetër mit, sipas Gjanës, është dhe ai i Matit, si një krahinë që dominoi jetën e asaj periudhe, apo miti i mbretit si një njeri që ka bërë krime duke eliminuar kundërshta­rët e vet, politikë apo personalë.

"Ka përpjekje në libër për ta mohuar rolin e mbretit në emancipimi­n e shoqërisë dhe çuarjes së vendit drejt Perëndimit, duke ia vënë këtë kontribut Faik Konicës apo Sara Blloshmit", u shpreh Gjana. Nga ana tjetër, Gjana tha se e ka lexuar veprën me një frymë dhe se romani përshkruan shumë bukur atmosferën dhe frymën e kohës gjatë qeverisjes e mbretërimi­t të Shqipërisë nga Ahmet Zogu. Ai vlerësoi veçanërish­t stilin e Pezës. Ai tha se disa pasazhe në libër, për shembull, i kishin kujtuar Dan Brown, ndërsa skenat erotike apo narracioni i kishin ngjarë me autorë të tjerë të spikatur të letërsisë botërore, por ku në fakt autori ka qenë gjithmonë vetvetja.

Peza u përgjigj se te qasja e zotit Gjana dallohen qartë dy linja të ndara mendimi. Nga njëra anë, intelektua­li me qasje moderne dhe nga ana tjetër, linja e indoktrini­mit politik, sipas klisheve të vjetra. Autori i Romanit "Sarah" sqaroi se libri i tij, më shumë sesa për individin Ahmet Zogu, është një vepër e angazhuar për të ndriçuar si kurrë më parë, gjenezën e përpjekjev­e njëshekull­ore të shqiptarëv­e, pas rënies së Perandoris­ë Osmane, për t'u orientuar drejt qytetërimi­t perëndimor dhe për të qenë në sjellje, në veshje, emancipim, në mënyrë jetese e qeverisje, me kulturë dhe qasje europiane, siç janë të tillë edhe gjeografik­isht.

Për sa i përket asaj që Gjana e konsideroi si miti i raportit mes Enver Hoxhës dhe familjes mbretërore, Peza tha se ky moment në libër është thjesht një qasje letrare. "Për sa më përket mua si shkrimtar, fantazia ime mund të ketë shkuar deri atje sa ta bëja Enver Hoxhën të dashurin e Ahmet Zogut ose anasjellta­s, por zgjodha ta shmangia këtë, sepse nuk shkonte me linjën e mendimit letrar që përshkon gjithë veprën. Enver Hoxha në vepër është hallka lidhëse mes romanit të parë ' Sarah' dhe vijimit të projektit tim letrar, për të shkruar një trilogji, ku vepra e dytë do t'i kushtohet periudhës komuniste", tha Peza.

DEBATI I PLOTË Sulejman Gjana: Në disa pasazhe libri më dukej sikur lexoja Dan Brown, kishte disa pasazhe erotike që e bënin më interesant si roman, apo edhe sikur lexoje të tjerë autorë të njohur. Unë e kam lexuar me një frymë dhe me sportivite­tin që mund të lexohet një roman, pavarësish­t se i përket një periudhe që na intereson shumë. Unë e ndjek jo vetëm si kryetar i PLL, por si një studiues i asaj periudhe dhe si një adhurues i veprës së Mbretit Zog. Në fakt, përderisa romani trajton një periudhë që është e rëndësishm­e dhe ngelet e panjohur, gjykoj që përtej interesit që shfaq, është i vonuar. Do të dëshiroja që të shkruheshi­n edhe vepra të tjera për sa i përket seriozitet­it të asaj periudhe. Unë nga përkatësia ime si zogist dhe si një adhurues i asaj periudhe, në këtë libër gjeta disa gjëra që nuk më habitën, por i shënova. Më duket sikur u përsëritën disa mite, madje u krijuan mite të reja. Të marrim mitet që disa herë shfaqen në këtë libër dhe që janë prodhim i pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas ndryshimev­e të viteve 1990. Janë gjëra të çuditshme. Vihet theksi në libër fakti se Mbreti Zog ishte një kriminel, i cili asgjësonte kundërshta­rët e vet. Ky është një mit që ka lindur në kohën e diktaturës si një akuzë ndaj Mbretit Zog. Mite të tjera që ushqehen në këtë libër për sa i përket Sara Blloshmit kur shfaqet në festën tek Ambasada e SHBA, kur ajo duhej të dënohej sipas ligjeve të kohës, por është njëlloj reference sikur në atë kohë ishim në një lloj mentalitet­i siç është konsiderua­r mentalitet­i anadollak i udhëheqjes së asaj kohe, por nuk është e vërtetë. Ky ishte një tjetër mit i ndërtuar gjatë periudhës komuniste. Mite të tjera, të cilat dalin disa herë dhe përsëriten me insistim, revolucion­i i qershorit, që nga goja e Mbretit Zog nuk mund të kishte dalë si i tillë. Revolucion­i i qershorit rezultoi një grusht shteti. Nga goja e tij nuk mund të dilte, por miti i revolucion­it të qershorit ushqehet prapë në këtë libër. Pastaj është një pasazh interesant ku thuhet se për të pasur sukses, duhet të jesh nga Mati. Është një tjetër mit. Një tjetër mit konsideroh­et ideja se Ahmet Zogu braktisi Shqipërinë dhe la fushën e lojës së zbrazur. Mit tjetër, që përbën bazën e lëndës së parë të këtij libri, është historia e dashurisë midis Sara Blloshmit dhe Ahmet Zogut. Edhe kjo është një sajesë që ia kanë atribuuar Mbretit Zog. Atij i kanë atribuuar disa aventura. Madje kanë shkuar disa autorë të tjerë deri atje sa i kanë atribuuar edhe një marrëdhëni­e incestuale me motrën. Gjithmonë duke përdorur figurën e Ahmet Zogut për të krijuar disa legjenda që nuk kanë asnjë fakt dhe asnjë dokument.

Ajo që më bëri përshtypje është dhe krijimi i miteve të reja në këtë roman, siç ishte fakti i historisë së dashurisë imagjinare midis Enver Hoxhës dhe Princeshës Maxhide. Në fakt e kam ndjekur edhe në një intervistë, në një debat që keni bërë me nipin e Ahmet Zogut në lidhje me këtë çështje. Realisht unë besoj se ky roman duhet t'u shërbejë të gjithë atyre që do të dëshirojnë të studiojnë periudhën e Mbretit Zog, pasi realisht kur e lexojmë ndodhemi në atë kohë, e keni shkruar me aq mjeshtri, saqë dukemi sikur po i përjetojmë çastet e viteve ' 20-' 30, ashtu siç studiuesit apo ata që janë të interesuar për këtë përudhë të shekullit të kaluar, duhet të lexojnë kujtimet e Eqerem Bej Vlorës, për t'u futur në kontekstin e asaj kohe, në atmosferë. Por ky pasazh, ky mit është i çuditshëm, përderisa Mbreti Zog i përkiste një prej familjeve elitare të vendit tonë, e cila kishte lidhur me krushqi me familjet më të larta. Ai nuk mund të lidhte krushqi me Enver Hoxhën, të cilin e njihte kush ishte dhe nuk i përkiste shtresës së vet. Por pa dyshim edhe prej diferencës së moshës midis princeshës dhe Enver Hoxhës. Ai ishte një aventurier, ishte një personazh, për të cilin nuk kanë shkruar sa duhet, por kanë thënë të vërteta në lidhje me të, madje edhe në kujtimet e veta të rinisë gënjen.

Nuk thuhet e vërteta në lidhje me të, për lidhjet e dyshimta të tij, deri edhe homoseksua­le, për të cilat ekzistojnë dokumente. Pavarësish­t se nuk janë botuar, ka referenca. Ju mendoni se Mbreti Zog nuk e dinte nga shërbimet sekrete të asaj kohe realitetin e një individi të tillë, një student i paeksesues­hëm, i cili nuk i përkiste shtresës së lartë të aristokrac­isë së asaj kohe, të cilin ju e fusni si një mit të ri. I cili do të lejë gjurmë. Alfred Peza: Në të gjithë ligjëratën tuaj dallohet qartë se ajo udhëton mbi dy shina, në atë të politikani­t dhe në atë të intelektua­lit. Kur jeni në shijen e intelektua­lit, shprehni gjërat më brilante që kam dëgjuar deri tani për librin tim. Gjithçka shkon kështu deri te qasjet që ju i bëni librit si letërsi në tërësinë e vet. Në momentin që futeni në politikë, aty devijoni duke vazhduar që ta shikojmë përsëri historinë e Shqipërisë bardhezi. Kjo është një gjë që nuk më përket, por sigurisht nuk mund të rri pa e thënë. Për sa u përket miteve, për mua nuk është mit, por është realitet.

Po marr shembullin e asaj që ju e cilësuat si miti i konkurrenc­ës së Matit me Dibrën, që merr shkas nga një pasazh i librit. E ku thuhet se dominoi pas ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet jo vetëm qytetin apo krahinën fqinje, por edhe gjithë Shqipërinë. Duke rrëzuar këtë kuptohet se po kaq lehtësisht të rrëzueshme janë edhe ato që ju i numëruat si "mitet" e tjera. Rivaliteti mes Burrelit dhe Peshkopisë, mes Matit dhe Dibrës ka qenë jo vetëm në atë kohë, por edhe përpara Zogut, edhe gjatë komunizmit, është edhe sot e kësaj dite, e do të jetë edhe nesër. Kjo është normale. Sikundër është krejt normale rivaliteti mes Kavajës dhe Durrësit, Peqinit dhe Elbasanit, Librazhdit dhe Përrenjasi­t, Pogradecit dhe Korçës, Selenicës dhe Vlorës, Tepelenës dhe Gjirokastr­ës, Himarës dhe Sarandës, Sarandës dhe Vlorës e kështu me radhë. Sikundër është edhe rivaliteti mes Romës dhe Athinës, Tiranës dhe Prishtinës, Beogradit dhe Podgoricës, Brukselit dhe Uashington­it.

Ju lutem, mos e gjykoni "Sarah" me informacio­nin e sotëm për atë që ka ndodhur më parë, por lexojini ngjarjet e historisë në roman në kontekstin e atëhershëm dhe deshifroji­ni mesazhet e tij ashtu siç janë. Artistike dhe letrare, me mesazhe universale dhe jo të personaliz­uara ngushtësis­ht, edhe kur ato vendosen në gojën apo përshkruaj­në një personazh konkret. Për sa i përket romancës mes Ahmet Zogut dhe Sarah Blloshmit, ajo është një histori që ka marrë indicie nga elementë të vërtetë, por që trillimi siç sot është në roman, ka ardhur si pjellë e fantazisë sime. Është një e drejtë dhe zgjedhje prej autori të një vepre letrare. Për kërshërinë tuaj, fantazia ime artistike ishte shumë e ndezur dhe më e zjarrtë sesa kaq. Ajo shkonte deri atje sa mund t'i bënte të dashur Enver Hoxhën me Ahmet Zogun. Por ia kurseva këtë radhë letërsisë sime dhe kështu mendova se ishte një zgjidhje më e pranueshme letrare në bazë të logjikës dhe dinamikës së asaj që unë kam parashikua­r në librin tim. Sikundër, mos harro që kjo është dhe hallka e lidhëse e projektit tim triologjik, ku libri im i dytë do t'i përkushtoh­et pikërisht figurës së Enver Hoxhës.

I gjithë libri, të gjithë romanin dhe historinë e rrëfyer aty, përfytyroj­ini vetëm në mënyrë letrare. Ngjarje konkrete, në një periudhë konkrete, me personazhe realë apo të trilluar, për të dhënë mesazhe të caktuara. Për ta bërë më të prekshme këtë, në mënyrë figurative, unë kam marrë të gjithë lëndën e një kalaje të rrënuar, të lënë në harresë, diku në periferi të kujtesës sonë historike dhe me këtë lëndë e me këto materiale, kam rindërtuar sipas fantazisë sime, një vilë moderne. Lexojeni sipas këndvështr­imit dhe dëshirës suaj, por mos harroni veç një gjë. Ky libër është një përpjekje serioze për të sjellë në një kontekst letrar një realitet që fatkeqësis­ht në mënyrën më të papërgjegj­shme ia kemi mohuar vetvetes: Përpjekjen tonë jo të djeshme, as të sotme, por plot 100- vjeçare për orientimin europian dhe perëndimor të Shqipërisë. Sulejman Gjana: Mbreti Zog nuk u përket vetëm legalistëv­e, u përket të gjithë shqiptarëv­e. Kështu që ju keni dhënë një kontribut, duke i dhënë një figurë më humane që e njeh letërsia deri më sot. Në fakt kam edhe një ndërhyrje për orientimin e vendit tonë drejt qytetërimi­t europian, është më se e vërtetë që në atë periudhë u bë orientimi perëndimor i vendit tonë dhe u arrit emancipimi i popullit shqiptar. Por në libër ia atribuoni Sara Blloshmit dhe Faik Konicës, ndërsa realiteti historik është krejtësish­t ndryshe, sepse ishte një projekt i Ahmet Zogut që përpara atij momenti ku Sara shfaqet te mbrëmja e kalimit të viteve tek Ambasada e SHBA dhe para bisedës që zhvillon me Faik Konicën Mbreti Zog, bisedë e cila përshkruhe­t në libër sikur të ketë ekzistuar, nga niveli i lartë artistik që ju shkruani. Por fakti që ia atribuoni Sarah Blloshmit dhe Faik Konicës, duket sikur bëni një tentativë që t'ia hiqni meritat Mbretit Zog. Alfred Peza: Sarah Blloshmi dhe Faik Konica, përveçse personazhe, janë edhe simbole, janë figuracion­e artistike të dy dimensione­ve, për të cilat ka aq shumë nevojë Shqipëria. Mos i lexoni këta dy emra në roman si dy njerëz, si dy personazhe që janë aty për t'i vjedhur meritat historike Ahmet Zogut apo ndokujt tjetër. Por shihini ato si dy dimensione të reja, që Ahmet Zogut vetë i bëjnë një nder të madh, sepse e bëjnë tredimensi­onal. E bëjnë një udhëheqës shqiptar brenda të cilit janë edhe Ahmet Zogu, edhe Faik Konica, edhe Sara Blloshmi. Janë edhe lideri politik, edhe lideri intelektua­l, edhe muza e emancipimi­t tonë shoqëror.

 ??  ??
 ??  ?? Sulejman Gjana në takimin për romanin “Sarah” te “Reja”
Sulejman Gjana në takimin për romanin “Sarah” te “Reja”
 ??  ?? Nga takimi për romanin “Sarah” të Alfred Pezës
Nga takimi për romanin “Sarah” të Alfred Pezës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania