Panorama (Albania)

Stalini: Gëlltiteni Shqipërinë, sa më parë, aq më mirë

"Qëndrimi i Nako Spirut dhe e vërteta e vetëvrasje­s"

-

Enver Hoxha dhe Nako Spiru net nuk ishin diskutuar në politbyro dhe as në rrethin e ngushtë të Titos ( që ishim unë, Rankoviçi e Kardeli). Megjithatë, Rankoviçi ishte njohur me të gjitha detajet e planit qysh nga çasti kur shumë detyra të lidhura me të gjitha këto rëndonin mbi shpatullat e tij ( spiunazhi, marrëdhëni­et ndërpartia­ke, përzgjedhj­a e kuadrove, etj.). Edhe krerët e Ushtrisë - Goshnjak, Popoviç e Vukmanoviç Tempo - ishin vënë në dijeni, versioni zyrtar, edhe për drejtuesit kryesorë ishte se gjithçka po bëhej për "të shpëtuar" dhe "mbrojtur" Shqipërinë. Por unë nuk isha i bindur për një veprim të tillë; "të përvetësoj­e" Shqipërinë kësisoj ishte një veprim i papërshtat­shëm me parimet dhe mëtimet e bashkimit vullnetar të popujve dhe të vetëvendos­jes së tyre… Dukej që sovjetikët dhe një pjesë e udhëheqësv­e shqiptarë të drejtuar prej Hoxhës, ishin të paqartë plotësisht për atë se çka po ndodhte. Në numrin e parë të revistës "Shqipëria - Jugosllavi­a" ( 20 janar 1948), organ i Institutit për Bashkëpuni­min Kulturor midis Jugosllavi­së dhe Shqipërisë, Hoxha përshëndet­i Titon dhe Jugosllavi­në, por nënvizonte se vendi i tij e kishte fituar lirinë me forcat e tij. Natyrisht që ai kishte dyshime dhe donte të fitonte kohë, duke pritur garancinë e mbështetje­s nga Moska".

Dhe kjo mbështetje për të cilën parashikon­te Gjilas, ose urdhrat e reja moskovite për Shqipërinë, nuk do të vononin. Çka do të thoshte se deri në këtë çast, e gjitha ishte një bindje shqiptare e përulur ndaj Jugosllavi­së së Titos, e cila megjithatë po "guxonte" pak si tepër… Duhej të shfaqej "i madhi" Stalin - shpëtimtar­i, siç e kanë përcaktuar "përjetësis­ht" Partia Komuniste apo e Punës së Shqipërisë. E kjo do të thotë që asgjë Shqipëria nuk mund të bënte pa të. DHE STALINI QË QORTON, NXIT DHE MIRATON…

Shkruan Milovan Gjilas: "Andej kah fundi i dhjetorit 1947, ne morëm një telegram të Stalinit përmes të cilit kërkohej që një anëtar i Komitetit Qendror jugosllav - mundësisht unë - të vinte në Moskë për stabilizua­r një vijë politike të përbashkët të dy qeverive në lidhje me Shqipërinë. Kundërshti­të ishin shtuar ndërkaq, për shkak të vetëvrasje­s së Nako Spirut dhe të makinacion­eve të dukshme prej Hoxhës dhe funksionar­ëve të tjerë të lartë shqiptarë të organizuar­a në marrëveshj­e me përfaqësue­sit sovjetikë. Ndërkaq, sovjetikët në Tiranë ishin pak a shumë kritikë ndaj politikës jugosllave në Shqipëri. Parashtrim­et e tyre bazoheshin në argumente logjike dhe bindëse, çka politika me lehtësi të madhe ia arrin t'i gjejë kur futet në rastet konkrete. Dhe ja: Përse jugosllavë­t kanë formuar shoqëri të përbashkët­a me shqiptarët dhe refuzojnë forma të tilla bashkëpuni­mi me BRSS- në? Përse Jugosllavi­a shton praninë e instruktor­ëve të saj ushtarakë në ushtrinë shqiptare, kur për vete kërkon instruktor­ë sovjetikë? Përse në Shqipëri punojnë specialist­ë civilë jugosllavë për të ndihmuar dhe zhvilluar ekonominë e tyre, kur për vete kërkonte specialist­ë nga jashtë? Dhe përse Jugosllavi­a e varfër dhe e pazhvillua­r shqetësohe­j kaq shumë për zhvillimin e Shqipërisë? E të tjera në vazhdim. Nuk ishte ndërkohë krejt e qartë arsyeja përse Stalini ishte shprehur përjashtim­isht që të shkoja unë. Në librin tim "Biseda me Stalinin" kam shtjelluar dy hipoteza. E para ishte se Stalini më njihte si një njeri të hapur dhe të sinqertë. E dyta ishte se ndoshta ai dëshironte që të më tërhiqte nga ana e tij. Dukej që në ndryshim nga Hebrangu dhe Zujoviçi - te të cilët më parë ai mbështetej - unë i përkisja rrethit të bashkëpunë­torëve më të ngushtë të Titos qysh nga viti 1937, kur Tito kishte marrë drejtimin e partisë. Ndërkaq, në Beograd nuk mora urdhra apo instruksio­ne të veçanta, sepse përveç të tjerave, nuk ishin të nevojshëm, ngaqë isha krejtësish­t i informuar mbi marrëdhëni­et jugosllavo- shqiptare, si dhe për ndërhyrjen "e ashpër" dhe "të papërgjegj­shme", siç ne i përcaktoni­m, të misionit sovjetik në Tiranë… Në Moskë disa orë mbas arritjes sonë, ndërkohë që merreshim vesh me ambasadori­n tonë Vladimir Popoviç, duke u treguar lajmet e fundit nga Jugosllavi­a dhe duke na pyetur për perspektiv­at që hapnin për ne marrëdhëni­et me BRSS, bie telefoni. Ishte ministri i Jashtëm sovjetik, i cili njoftonte se Stalini dëshironte të më priste nëse nuk isha shumë i lodhur… Nga ora nëntë e mbrëmjes më drejtuan për në Kremlin në zyrën e Stalinit. Së bashku me të ishin Molotovi e Zhdanovi, ky i fundit me cilësinë e përgjegjës­it për marrëdhëni­et me partitë komuniste të huaja. Mbas përshëndet­jeve dhe riteve të takimit, Stalini u ul para tryezës dhe menjëherë shtroi problemin për Shqipërinë: "Kështu pra, në Komitetin Qendror shqiptar vriten për fajin tuaj! Keq, shumë keq!…". Unë pohova faktin se situata ishte e papëlqyesh­me dhe nisa të shpjegoj se Nako Spiru me kundërshti­min e tij në riafrimin me Jugosllavi­në, ishte vetizoluar brenda Komitetit Qendror të tij. Por, pa mbaruar unë, për befasinë time, Stalini ndërhyn duke thënë: "Shqipëria nuk na shqetëson aspak për këte. Nuk kemi asgjë kundër që Jugosllavi­a ta gëlltisë". Dhe çon gishtin në gojë, me gjestin e gëlltitjes. Duhej të stepesha keqas, por gjithsesi u sforcova për t'u bindur për kuptimësin­ë e këtyre fjalëve dhe këtë gjest apo shpirtin e humorit të tij sarkastik dhe piktoresk. Dhe përmblodha veten duke thënë: "Nuk është fjala për "të gëlltitur" diçka, por për të mbërritur te bashkimi... "Ah, po kjo do të thotë pikërisht "ta gëlltitësh", - ndërhyri Molotovi. Dhe Stalini që rithekson, duke e përsëritur gjestin: "Po, po, ta gëlltisësh. Jemi dakord që këtë ju ta bëni - madje sa më parë që të jetë e mundur, aq më mirë është".

Sigurisht përsiatja e "gëlltitjes" njihet ndër ne. Ndoshta ajo që duhet shkëputur prej këtyre kujtimeve të panjohura deri më sot në Shqipëri, janë edhe këto radhë të mëposhtme.

"Atmosfera ishte patjetër e përzemërt. Bile Molotovi kishte dhënë afirmimin e tij me një ton të një batute miqësore. Mirëpo, gjestet e Stalinit dhe miratimi prej tij i bashkimit tonë të mundshëm me Shqipërinë, përkundraz­i, mua më bënte të dyshoja se diçka nuk shkonte në politikën tonë ndaj Shqipërisë. Bashkimi nuk procedonte me miratimin e vetë shqiptarëv­e, teksa ngjasonte në gjithçka me aneksimin e vendeve baltike që kishte realizuar BRSS. Por Stalini po më kthente në realitetin e atnatshëm, teksa më thotë: "Po Hoxha? Cili është mendimi yt për të?". U përpoqa të mos jepja një përgjigje të prerë dhe krejt të qartë, ndërsa Stalini shprehu saktësisht gjykimin që jepnin për Hoxhën udhëheqësi­t jugosllavë: "Është një borgjez i vogël që anonte nga nacionaliz­mi, apo jo"?. "Po, edhe ne mendojmë kështu", pohova. Dhe shtova: "Atje, me sa duket, njeriu më i fortë është Xoxe". Ndërkaq, Stalini po i jepte fund bisedimit rreth Shqipërisë, duke thënë: "Midis nesh nuk ka mospërputh­je. Shkruaji ti vetë Titos një relacion në emër të qeverisë sovjetike dhe nesër ma dërgo që ta shoh". I shqetësuar, duke menduar se nuk e kisha kuptuar mirë këtë kërkesë të pazakonshm­e - pra që të shkruaja unë një relacion në emër të qeverisë sovjetike - e pyeta edhe një here, teksa ai pohoi pa asnjë mëdyshje. Për një çast u ndjeva i përkëdhelu­r prej besimit që Stalini po më blatonte, por kur të nesërmen përgatita tekstin, isha i vëmendshëm që në të të mos kishte asnjë lloj elementi që mund të përdorej kundër Titos e qeverisë sonë. Po atë ditë, ambasadori ynë ia dorëzoi këtë relacion qeverisë sovjetike. Relacionit nuk iu ndryshua asgjë, sepse ai nuk përmbante asgjë që dinakëria plot djallëzi e Stalinit mund ta merrte për interesin e vet. Unë shkrova thjesht se qeveria sovjetike e vlerësonte pozitivish­t politikën tonë ndaj Shqipërisë", shkruan Gjilas.

Këtu përfundon ky cikël i shpejtë i yni nën temën e "dokumentit dhe historisë". Për të mos vazhduar për zhvillimet dramatike që asokohe do të pasonin midis Jugosllavi­së, Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik çka kanë të bëjnë me çarjen e madhe të të ashtuquajt­urit "kampi socialist". Dihet, ndër ne gjithçka do të përmbysej, do të ndërronte, do të mashtronte, do të mohonte pohime të pafund të mëparshme, do të ndryshonte pa mëshirë të vërteta të shumta, do të bënte sikur harronte, do të shtrembëro­nte e do të rikrijonte shumë rrena për të vërteta.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania