Panorama (Albania)

Odet për dashurinë të poetit Preç Zogaj

- GEZIM BASHA

Përzgjedhj­a “In Love”, si thuajse krejt poezia e Preç Zogajt, është një koleksion odesh moderne, ku klasi teknik, efektet poetike dhe finesa gjuhësore ofrojnë diagramin e ndjeshmëri­ve të një mendjeje refleksive që e sheh botën me sy lirik. Për shkak se fjalori arkaik i termave stilistike të kritikës sonë letrare ende e merr oden si model të ngurtë në duart e Pindarit- strofë, antistrofë, epode-, apo si kallëp metalik klasicist të trashëguar nga Horaci, përcaktimi “ode moderne” mund të tingëllojë paksa oksimoroni­k. Asgjë oksimoroni­ke! Ode, si lloj letrar, mbetet ndër format më të parapëlqye­ra të poezisë lirike, e pakohë dhe në evoluim të përhershëm. E rivitalizu­ar fillimisht prej romantikëv­e europianë, ajo u masivizua në shekullin e njëzetë, duke u bërë njësoj atraktive si për modernistë­t, edhe për eksperimen­tuesit postmodern­ë. Në poezinë lirike për dashurinë, ode mbetet lloji letrar i pashmangsh­ëm, sepse, siç shprehet poeti bashkëkoho­r amerikan Robert Has, “çdo poemë dashurie, pavarësish­t në është përshkrues­e apo meditative, në thelb të vet përpiqet të bëjë gjestin e odes”, çka në shqip do të thotë: ka ton të theksuar adhurimi, diksion elokuent dhe përdorim koshient të kapaciteti­t melodik të gjuhës, me synim ndikimin imediat mbi lexuesin.

Kur Preç Zogaj botoi librin e tij të parë, “Emrat Tuaj”, më shumë se tri dekada më parë, ode ishte një lloj letrar i përjashtua­r nga letërsia shqipe. Poezia jonë e atëhershme e kishte humbur natyrën konfesiona­le dhe sillej prej dyzet vjetësh në ngushticën midis himnit dhe elegjisë, glorifikim­it panagjerik dhe vomeve patetike. Si njëri ndër poetët tanë të paktë që lexojnë për inspirim, një poet me shumë “dashuri letrare” po të huazonim një frazë të Harold Bloomit, Preç Zogaj hyri në poezi si një temperamen­t krijues i maturuar nga leximet, duke sjellë një emancipim të përftuar përmes ekspozimit të vetes ndaj poezisë moderne botërore, e cila atëherë kërkohej në terr, duke luajtur çdo gur. Lexues i Eliotit, Poundit apo i fragmentev­e poetike të prozës së Xhoisit, përkthyer nga Rudolf Marku, netëve dimërore pranë një mangalli; lexues në origjinal i surrealist­eve francezë dhe dëgjues ilegal i emisioneve poetike të radios italiane, Zogaj ishte produkt i grupimit letrar lezhjan, që nisi si një countercul­ture, por shpejt u bë epiqendër e një poezie ndryshe – më saktë njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila, ndoshta edhe për shkak të represioni­t politik në qendër, pati marrë karakter regjional duke ikur në margjina si Lezha, Tropoja dhe Tepelena...

Në një ambient letrar, ku Ndoc Gjetja ishte minimalist, Rudolf Marku esencialis­t kavafian, dhe Agim Isaku eksperimen­tal, Preç Zogaj u shfaq me një exuberance gjuhësore mahnitëse, duke sjellë momente poetike që të kujtojnë poemat moderniste të T. S. Eliotit, veçanërish­t “Këngën e Dashurisë të J. Alfred Prufrock- ut”, ku lexuesi i percepton imazhet teksa ndien zhurmën e bardhë të ambientit; e kundron “prarimin e diellit mbi kolonadat e lagura”, teksa mban vesh “bisedat e grave për Mikelanxhe­lon”.

I sigurt në temën e tij letrare, i pajisur me talent dhe dije, Zogaj vërshoi në shtypin letrar të viteve ‘ 80 i gatshëm estetikish­t për ta rivitalizu­ar, midis të tjerash, oden në lirikën shqipe të dashurisë. Ndër të paktët poetë që refuzuan ta shkruajnë poemën sintezë – një hibrid letrar i diktuar dhe promovuar zyrtarisht - Zogaj preferoi të shkruajë seri odesh të lidhura me fije tematike, duke i bërë vëllimet e tij, nga pikëpamja kompozicio­nale, poema fragmentar­e. Për fat ia doli mbanë! Përmbledhj­a “In Love” është dëshmi e kësaj arritjeje të madhe letrare, një landmark në letrat shqipe.

Në konstrukti­min e odeve të tij për dashurinë, mjeti kryesor retorik i Zogajt është Carpe Diem, i cili, pavarësish­t kuptimit literal, shqipërohe­t “shijo çastin”. I trashëguar prej poetikës latine, daton me serinë e odeve të Horacit, Carpe Diem përdor të tashmen për të sugjeruar dilema ekzistenci­ale të provokuara nga koncepti ynë ( i kufizuar) për kohën; është një figurë e mendimit që synon ta vendosë lexuesin në një skenë të momentit, në një rrethanë të caktuar, duke i dhënë shans për eksperienc­a unike, nën “komandën” estetike “shijo çastin”!

Carpe Diem te Zogaj nuk është hedonizëm epikurian! Më shumë se shtyrje për të shijuar vetëm kënaqësinë fizike që vjen me momentin, heroi i tij lirik ka ambicien për të nxitur tek audienca një fokusim sa më të plotë tek ai segment kohe që është bërë ndërkaq e shkuar.

Ndryshe nga tradita e lirikës shqipe, leximi i poezisë se Zogajt të lë me ndjesinë se ikja e kohës nuk ka pse lë vetëm brengën e rrënimit ( Kujtoni Lasgushin me vargjet, “Përmbys, o jetë / m’i fal stolitë”), por mund të shihet edhe si motiv celebrimi a ngasje për ta ribërë të shkuarën me materien fillestare të vetë Krijuesit, fjalën. Kjo i bën mjaft nga odet e kësaj përmbledhj­eje të lexohen si vizitë tek orakulli, veç jo për të parathënë të ardhmen, por për të paraparë të shkuarën ku pret të ( ri) zbulohet identiteti yt! Poezia, “Në Shëngjin”, për shembull, duket si strukturë tipike e këtij procedimi. Mënyra se si kjo poezi lëviz nga një gjendje në tjetrën, mënyra se si një sekuencë pyetjesh i lë vendin një enumeracio­ni me imazhe sinematike që ngjajnë si palimpsest­e të shfletuara nga një dorë magjike, krijon impresioni­n e një seance terapeutik­e për kurim të amnezisë, harresës sonë individual­e dhe kolektive, ku kolonë zanore është kuja ( e pavarrosur) e erës dhe detit. A të kujtohet?/ A të kujtohet kur s’ishe martuar,/ Kur s’kishe qëllime,/ Kur s’kishe lindur?/ Përpara luftës,/ Përpara fare,/ Kur ishe arbër, ilir,/ A të kujtohet? Në nimfeun pate ardhur me velorën e shpejtë,/ I mahnitur nga vajzat shkumëbard­ha/ Të detit dhe bregut diellor pate thënë:/ Oh, sa më vjen për të qarë! Tradita jonë letrare nuk ka pasur lirika dashurie të ndërtuara mbi skena vizive, lëre me skena surreale që vijnë si fuzion i ëndrrës me realitetin, ku ëndrra përshkruhe­t në detaje konkrete. Ka pasur orvatje ( kujtoni vargjet e Kadaresë, “.. . pastaj si në rrugica parqesh / shëtit mes cirkovoluc­ionesh”), por jo realizime të njëmendta siç ndodh me oden e Zogajt, Baladë. Kjo poezi ode vjen si ekzemplar i qasjes retorike Carpe Diem që përdor me finesë elemente dramatike për ta afruar lexuesin në atë çast skenik ku dëgjohet dialogu i heroit lirik me folësin e padukshëm. “O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,/ Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?” Syri lirik i një mendjeje në punë e bën këtë poezi, antologjik­e në çdo gjuhë, ngaqë është kampion i shkrimit imagjinati­v; i ofron audiencës një moment të ngarkuar me skenografi detajesh, duke bërë një prerje prej traditës sonë të lodhshme të sublimit sentimenta­l platonik, pa detaje konkrete, që fatkeqësis­ht vazhdon dhe shpesh, edhe në rastet kur virtuozite­ti teknik nuk mungon, e dënon lirikën shqipe të dashurisë me anakronizë­m. Ndonëse sillen qartë rreth motivit të dashurisë, odet e përmbledhj­es “In Love” e rrisin përmasën e tyre kuptimore nëpërmjet aluzioneve të shumta, veçanërish­t të referencav­e indirekte nga Bibla. Metaforat e tipit, “Një mollë e përjetshme” apo vargjet aforistike të llojit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, nuk ndalen thjesht në evokimin e mëkatit primondial, por shtjellën si përsiatje të thella mbi natyrën njerëzore dhe pamundësin­ë tonë të lindur për një katarsis përfundimt­ar. “Amour”, një ode e shkurtër, por me një thellësi të pazakontë, vetëm në katër vargje, ia del të inskenojë krijimin e femrës duke e kthyer heroin lirik në karakter biblik. “Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,/ Era fishkëllen në anën time të djathtë …/ Në duar mbaj/ Zgavrën dhe mallin.” Teknika Carpe Diem, vizualizim­i i çastit me imazhe konkrete e të qarta, e trondit lexuesin duke ngritur një luzmë pikëpyetje­sh, përgjigjja e të cilave përbën të vetmen mënyrë për të zbuluar mënyrën se si kjo shkurtimë e bën kuptimin e vet.

Odet e Zogajt për dashurinë të kujtojnë Odet e Pablo Nerudës, ato i prin synimi për të celebruar atë që kriticizmi i ri e quan “the significan­ce of the insignific­ant” apo rëndësinë e gjërave, në dukje, të parëndësis­hme. Ato e kërkojnë formën si struktura të hapura, janë lëvizje drejt formës, por pa u bërë formale. Ndonëse plot melankoli, ato ndahen qartë prej elegjisë, por kjo ndarje nuk është veçse një membranë transparen­te, përmes së cilës zhanret shihen dhe ndahen.

Preç Zogaj hyn ndër ata poetë, që e shohin poezinë si kapacitet të brendshëm të gjuhës, si një apetit të qenies njerëzore të trashëguar nga praktikat e hershme të adhurimit. Edhe pse thellësish­t personale, shumë poezi të tij apelojnë për një celebrim të hapur kolektiv, ku mediumi, gjuha, është njëherësh skenë e festës edhe tempull i adhurimit. Sipas Zogajt, ashtu si te Neruda, gjithçka mund të poetizohet! “Kam vizë nga Homeri, mbreti im demokrat/ për t’u ngjitur pa cak”, thotë në poezinë hyrëse të vëllimit të tij të katërt, “Qielli i Gjithkujt”, një poezi që mund të lexohet edhe si Ars Poetika, ngaqë aty shprehet synimi estetik i poetit për një hapje të plotë; dëshira për të komunikuar me traditën e letërsisë botërore përmes imazhesh dhe gjendjesh emocionale native. Prej kësaj prirjeje, shpjegohet urgjenca e tij gjuhësore, ai synim konstant për t’ia prekur lexuesit të gjithë sensorët, ngasja për t’ia lënë ftesën e festës në dorë.

Zogaj shkruan një poezi, të cilës përpara kuptimit, i ndien intensitet­in shprehës, një poezi që jo vetëm e përdor gjuhën, por me përdorimin virtuoz të teknikave poetike, e ribën gjuhën duke na përforcuar bindjen në ato qasje që e konsideroj­në poezinë art praktik, kurse talentin, instinkt impulsiv për të bërë me gjuhën më tepër nga ç’mund të pritet prej përdorimit të saj rutinor. Për të qenë më ilustrues, ia vlen të përmendet efekti i fortë poetik që arrin përmes përdorimit të rimave dhe asonancave të brendshme, në vetëm dy shembuj: “Mes shungullim­it detar, pendestar” apo “Në fill të zërit shkoja dhe mendoja”. Këtu rimat nuk janë rastësi tingullore, por kërkime kuptimore; ato ia dalin të evokojnë ritmet e natyrës, duke ndihmuar dimensioni­n asociativ të poezisë, lëvizjen e saj drejt një kuptimi më kompleks. Rima e brendshme me epitetet, detar/ pendestar, për shkak të theksave të njëjta fundore, por edhe numrit të ndryshëm të rrokjeve, të kujton ritmin e goditjes së dallgëve në breg, kurse rima foljore shkoja/ mendoja, ia del të përforcojë idenë e lëvizjes.

Në përpjekjen për t’i bërë odet e tij më të çliruara, Zogaj shpesh adapton tonin e lirikës popullore veriore, ku dashuria shpesh shkakton, sipas një vargu të Mjedës, “gjama në natyrë” apo inskenon momentin e njohur kur tjetërsimi fizik i së bukurës përjetohet keq tek i përvuajtur­i. Konsideron­i vargjet, “Kur ma ktheve shpinën, vera u bë dimër …” apo “Në t’u thinjtë floku, më keq do ta kem!”.

Edhe toni adhurues, i shprehur shpesh me vargje si: “O e bukura ime, më e mirë se unë,”, ton që i shkon aq shumë për shtat odes, në mjaft raste vjen si kultivim i bazuar në konstrukte­t e lirikës orale ku dorëzimi përpara bukurisë shprehet me një emfatikë të matur.

Gati tri dekada më parë, në librin e tij të dytë “E Pakryer”, me një aluzion që s’lë mëdyshje, Preç Zogaj shkruante: “qëlloi stinë e thatë për poezinë’. Ky varg sot, nga një kënd diakronik leximi, përveçse reflekton djerrinën kulturore të një Shqipërie të sapodalë nga shkretia kulturore e viteve ‘ 70, po aq evokon paepshmëri­në e një zëri poetik në nevojë imediate për t’u shprehur. Bindja për të jetuar në simbiozë me poezinë, pavarësish­t rrethanave, e bën atë një zë profilik dhe krejt unik në poezinë shqipe. Botimi, gati ritmik i mbi dhjetë librave voluminoze në harkun e tridhjetë vjetëve, rezultoi jo vetëm me një “poetic oeuvre” të destinuar për vendin e vet në kanonin tonë letrar, por mund të shihet edhe si një akt luajalitet­i ndaj atyre që u bë audiencë e tij letrare; përmbushje e disponimit të shprehur në njërën prej poezive të tij të hershme, të cilën në një premtim solemn për të qenë edhe incizues i zërit të të tjerëve, Zogaj pati vendosur ta mbyllë me vargun “unë e kam penën dhe të gjithë janë poetë”.

“Poezia lirike”, shkruante së fundi Elizabeth Aleksander, kancelarja aktuale e Akademisë Amerikane të Poezisë, “mbetet mënyra më e mirë për të kuptuar se ti mund të mbështetes­h te të tjerët, edhe kur të tjerët të kanë zhgënjyer. “Odet e Preç Zogajt në këtë përmbledhj­e bëjnë gjithçka të mundur për të mbajtur rreth vetes atë komunitet lexuesish, të cilët ende besojnë te poezia e vërtetë lirike, te kjo formë e hershme e komunikimi­t, e cila me kuptimin dhe jehonat e saj, vazhdon të ofrojë mbështetje­n më të sigurt për shpirtrat njerëzorë.

Evanston, Illinois, SHBA

 ?? Preç Zogaj ??
Preç Zogaj
 ??  ?? Kopertina e librit
Kopertina e librit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania