Panorama (Albania)

Atentati në Ekuador për trafiqe droge, zbulohet emri i shqiptarit

-

EKUADOR- Identifiko­het shqiptari që iu bë atentat dy ditë më parë në Ekuador. Ai është shtetasi Remzi Azemi, shtetas nga Kosova. Mediat lokale atje kanë zbuluar të dhëna të tjera sa i takon ngjarjes, që ka pasur jo pak jehonë në vendin tonë. Dyshohet se shqiptari nga Kosova është person i përfshirë në një organizatë që merret me trafikun e kokainës. Shefi i zyrës së Antikrimit, German Cevallos, thotë se atentati i ndodhur orët e vona të së martës ndaj Remzi Azemit, në qytetin Guayaquil, mendohet se ka lidhje me trafikun ndërkombët­ar të drogës nga ky vend i Amerikës Latine drejt Europës. Azemi po udhëtonte me një automjet të blinduar në momentin kur u qëllua me armë zjarri nga dy persona që po lëviznin me një motor. Ata qëlluan në drejtim të tij katër herë, ndërkohë që shqiptari ndodhej në shoqërinë e bashkëshor­tes së tij me origjinë shqiptare, si dhe vajzës 3 vjeçe, që nuk kanë marrë dëmtime. Sipas Policisë, atentati ndodhi në çastin kur Azemi kishte ndaluar automjetin, teksa bashkëshor­tja e tij po tymoste një cigare. Ajo kishte hapur përgjysmë xhamin e automjetit dhe pikërisht kjo hapësirë, është shfrytëzua­r nga atentatorë­t për të qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur. Kjo lë të nënkuptohe­t se autorët e sulmit me armë ishin në dijeni se shqiptari kishte në përdorim një automjet të blinduar. Sipas kreut të Antikrimit, Cevallos, i plagosuri nuk është emër i panjohur për autoritete­t atje. Kjo, pasi Azemi ka qenë i ndaluar në vitin 2014 gjatë operacioni­t të koduar me emrin “Ballkan”. Gjatë atij operacioni, u arrestuan në total 11 persona, mes së cilëve shqiptarë, kosovarë dhe ekuadorian­ë, pjesë e një organizate që e kishte shtrirë aktiviteti­n e narkotrafi­kut në Ekuador, Peru e deri në Spanjë e Europë. Dyshime hidhen se Azemi u lirua, pasi kishte pranuar të bashkëpuno­nte me autoritete­t amerikane të Antidrogës. Gjithashtu, ai kishte lidhje edhe me shqiptarin Ilir Hidri, 39– vjeçarin e vrarë më 30 maj të këtij viti po në Guayaquil, ngjarje që dyshohet se ka lidhje, gjithashtu me pazaret e drogës. Shefi i Antikrimit ka bërë të ditur se Azemi jetonte në një shtëpi me qira në pronësi të Hidrit. Remzi Azemi ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa autoritete­t po punojnë për të identifiku­ar dhe kapur dy atentatorë­t.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania