Panorama (Albania)

Italiani i kërkuar për 4 vepra penale, arrestohet në Tiranë

-

Një shtetas italian nga Napoli është arrestuar nga Policia e Tiranës, me qëllim ekstradimi­n drejt Italisë. I arrestuari është Ciro Dentice, 50 vjeç, i cili aktualisht ishte në kërkim nga autoritete­t italiane për 4 vepra penale. Ai ishte dënuar me 5 vjet e dy muaj burg për “shkelje të ligjit mbi drogat”, kryesisht kokainë, “pastrim parash”, “falsifikim” dhe “armëmbajtj­e pa leje”. Burimet thanë se atij i kanë mbetur për të kryer edhe 3 vjet, 3 muaj e 7 ditë burg. Ciro Dentice ishte 38 vjeç kur u arrestua për herë të fundit në Itali. Napolitani u burgos pasi u denoncua nga një shtetas që pëlqente të dashurën e tij. Duke qenë se ishte në dijeni të aktiviteti­t të tij të jashtëligj­shëm, si drejtues i një bande hajdutësh serbë dhe malazezë, denoncuesi iu drejtua Policisë, edhe për t’i hapur rrugë vetes që të lidhej me të dashurën e tij. Pas denoncimit u hetua dhe më pas u arrestua duke u burgosur në Burgun e Koronelit, për krijim të një grupi kriminal. Në atë kohë, Prokuroria italiane nuk arriti t’i provonte krime të tjera për të cilat ai ishte denoncuar, pasi përgjimet nuk nxorën dot asgjë kundër tij, duke qenë se tregohej shumë i kujdesshëm gjatë komunikime­ve. Ai u përgjua kur një shtetas serb i ofroi 4 kg flori përmes një bisede telefonike, por Ciro Dentice u përgjigj në mënyrë indiferent­e duke mos treguar interes për ofertën. Emri i tij ishte shfaqur edhe më herët në dosjet e Policisë italiane, që prej vitit 1999, gjatë një operacioni të koduar “Caravaggio”, që drejtohej nga një prokuror i Antimafies. Ai ishte pjesë e një gru- pi prej 56 personash, për të cilët Prokuroria kishte një dosje prej 25 mijë faqesh me qindra përgjime. Ky grup e kishte shtrirë veprimtari­në kriminale në tri fusha; trafikimin e automjetev­e të vjedhura në Italinë e Jugut drejt vendeve të ish- Jugosllavi­së, trafikimin e armëve dhe drogës dhe në pastrimin e parave. Përveç shtetasit italian, Policia e Tiranës arrestoi edhe 49- vjeçarin nga Vlora, Lefter Lamaj, i cili ishte në kërkim nga Italia, për shfrytëzim prostituci­oni.

 ??  ?? Italiani i arrestuar në Tiranë
Italiani i arrestuar në Tiranë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania