Panorama (Albania)

Vrau gruan, burri në gjyq: Nuk më qepi pantallona­t

Sami Metushi përlotet në seancë: M’u errën sytë

-

Bashkëshor­ti që vrau gruan me thikë në Kavajë, ka dalë ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë për caktimin e masës së sigurisë.

Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, edhe pse i pandehuri Sami Metushi shfaqi pendesë dhe gjendje të rënduar psikologji­ke në sallën e gjyqit. 50- vjeçari u përlot, teksa foli për herë të parë për krimin e rëndë të ndodhur në Karpen të Kavajës. Ai tha se me bashkëshor­ten kishte konflikte prej 4 vjetësh dhe se ditën e krimit ajo nuk e kishte ndihmuar për “disa punë” dhe nuk i kishte qepur pantallona­t, që ky ia kishte lënë porosi. “I kam kërkuar të më qepë një palë pantallona dhe të më ndihmonte me disa punë në oborr, por ajo nxori justifikim­e nga më të ndryshmet. Kështu nisi debati. Më tha ‘ ne të dy kemi mbaruar punë bashkë, ndaj ik ku të duash!’. Aty m’u errën sytë dhe nuk e di se çfarë kam bërë”, tha Sami Metushi para gjyqtares Irena Gjoka, por, megjithatë ai u la në burg me gjithë pendesën e shfaqur. Prokurori i çështjes tha në seancë se, çifti kishte katër vjet që grindej dhe se bashkëshor­ti e akuzonte shpesh gruan sepse i kishte kthyer fëmijët kundër tij. Por avokatja mbrojtëse e autorit të krimit, ka kërkuar që Sami Metushit t’i bëhet një akt- ekspertizë psikike. Kërkesa u pranua nga gjyqtarja, ndërsa tashmë priten të mbyllen hetimet, që të nisë procesi gjyqësore në ngarkim të Sami Metushit. Krimi në familje ndodhi paraditen e së enjtes, më datë 23 nëntor. Pas grindjes me të shoqen, Metushi e qëlloi atë me thikë dhe më pas ka lajmëruar të birin për krimin. Ai u arrestua nga Policia pranë banesës.

VRASJA Ngjarja e rëndë ndodhi më 23 nëntor, rreth orës 11: 00, në fshatin Karpen të Kavajës, ndërsa Sami Metushi, 50 vjeç, pas një debati me bashkëshor­ten e tij Sose Metushi, brenda në banesë, në një moment gjaknxehtë­sie, mori thikën e bukës duke e qëlluar atë në bark dhe pjesë të ndryshme të trupit. Goditjet kanë qenë fatale duke i marrë jetën 48vjeçares, nënë e pesë fëmijëve. Sipas të dhënave, autori nuk ka tentuar të arratiset, por e ka pritur Policinë në banesë. Ai është arrestuar menjëherë, ndërsa ka pranuar krimin e kryer prej tij. Si- pas të dhënave, në momentin e arrestimit ai ishte në një gjendje mjaft të ngarkuar psikologji­ke dhe e ka pasur të pamundur të shpjegojë atë çfarë kishte ndodhur. Me të vetmit që ka folur, kanë qenë tre fëmijët e tij, të cilët në momentin e vrasjes së nënës së tyre kanë qenë në oborr. Ata kanë mbetur të tronditur, teksa kanë parë babain e tyre me duart e gjakosura, ndërsa më pas ai u tregoi se u kishte vrarë të ëmën me thikë. Deklarimet në Polici i kanë dhënë edhe fëmijët, që e gjetën babanë të përlyer me gjak pas vrasjes së rëndë. Ata kanë thënë se debati mes tyre lindi për disa porosi, të cilat babai ia kishte dhënë viktimës, por kjo nuk i kishte kryer. “Jemi të shokuar. Prindërit tanë nuk kanë pasur konflikte. Ata shkonin shumë mirë me njëri- tjetrin, me përjashtim të rasteve të rralla kur debatonin për punët apo hallet e shtëpisë. Babai kishte dalë herët nga shtëpia për të kryer punët jashtë, për të ushqyer gjelat apo edhe punët e tjera te sera që kemi ngritur. Ai erdhi dhe i kërkoi bukë nënës dhe disa rroba të tjera për t’u ndërruar. Por nëna nuk i kishte bërë gati pasi po merrej me punët e tjera të shtëpisë. Aty nisi debati, kur pak sekonda më pas babai e kishte qëlluar me thikë duke e lënë të vdekur në vend. Ai doli përjashta dhe na tha se kishte qëlluar nënën për vdekje”, janë shprehur fëmijët e çiftit për Policinë.

 ??  ?? Sami dhe Sose Metushi
Sami dhe Sose Metushi
 ??  ?? Banesa ku ndodhi ngjarja
Banesa ku ndodhi ngjarja

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania