Panorama (Albania)

Gjakosen tifozët e Kukësit, në fushë e pësojnë Idrizi dhe Kale

-

Ndeshja e luajtur në stadiumin e Laçit mes ekipit vendës dhe Kukësit, fituar nga këta të fundit, ka pasur shumë tension brenda saj. Rreth 50 tifozë të Kukësit, anëtarë të grupimit “Mërgata”, kanë qenë të pranishëm në stadium duke mbështetur ekipin dhe gëzuan fitoren në fundin e takimit. Por, në momentin që kanë dalë jashtë ambienteve të stadiumit, ka pasur një përplasje mes tifozëve vendës dhe atyre të Kukësit, ku janë përdorur edhe mjete të forta. Në fotot e publikuara nga klubi i Kukësit, shihet një tifoz që merr ndihmën e parë pas një çarjeje në kokë. Policia vendëse ka ndërhyrë për të rivendosur qetësinë, ndërkohë që janë shoqëruar edhe disa prej tifozëve verilindor­ë, për shkak se kanë thyer stolat e stadiumit. Kjo është hera e parë që në stadiumin e Laçit krijohen incidente në këtë sezon futbollist­ik, pasi në ndeshjet e tjera interesimi i vendësve ka qenë i ulët. Por, me sa duket, paraqitjet e mira të kurbinasve në javët e fundit kanë bërë që interesi i tyre në drejtim të skuadrës të rikthehet, por bashkë me të edhe tensioni në shkallët e stadiumit. Gjithashtu në shkallët e stadiumit ka pasur edhe një vuvuzelë në sektorin e tifozëve të Laçit.

Reagimi – Klubi i Kukësit ka denoncuar, pas ndeshjes së djeshme, dhunën ndaj lojtarëve dhe tifozëve në Laç. “Nuk është hera e parë që gjatë ndeshjeve në Laç ekipi ynë vihet përpara problemeve që cenojnë jo vetëm rregullore­n e futbollit, por rrezikojnë seriozisht jetën e lojtarëve, stafit dhe tifozëve tanë. Klubi disponon fotot dhe pamjet e kësaj dhune, do t’i dërgojmë në FSHF”, thuhej ndër të tjera në reagimin e klubit kuksian në faqen zyrtare “Facebook”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania