Panorama (Albania)

Burg biznesmeni­t, mashtroi për vizën në Kanada

-

Një biznesmen është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës, pasi është shpallur fajtor për akuzën e “mashtrimit”. Bëhet fjalë për shtetasin Afrim K., i cili drejtonte një agjenci udhëtimesh dhe pretendont­e se mund të ndihmonte punëtorë të ndryshëm për punë dhe vizë në Kanada. Pre e mashtrimit ka rënë një qytetar i identifiku­ar si Nazmi O., i cili ka paguar një shumë prej 1500 dollarësh tek agjencia e Afrim K. për të marrë një vizë pune në Kanada. Ai, jo vetëm që nuk ia ka siguruar këtë vizë, por ka ndryshuar edhe mjediset e firmës që drejtonte në një adresë tjetër që të mos gjendej më nga qytetari. Ngjarja ka nisur që në maj të vitit 2013, kur Nazmi O. i ka paguar Afrim K. një shumë prej 1500 dollarësh dhe ka përpiluar një kontratë shërbimi të nënshkruar edhe nga ai pandehuri. Kontrata kishte si qëllim të mundësonte emigrimin dhe punësimin në Kanada të kallëzuesi­t mbi bazën e kualifikim­it profesiona­l. Afrim K. i ka kërkuar edhe 11.500 dollarë të tjera kallëzuesi­t, të cilat do t’ia merrte para se të nisej në Kanada. Sipas vendimit të Gjykatës, Nazmi O. ka zhvilluar edhe një kurs të gjuhës angleze të mundësuar po nga firma që drejtohej nga i pandehuri. Pasi ka përfunduar kursin, Afrim K. i ka thënë kallëzuesi­t se në fund të muajit dhjetor 2014 do t’i jepte edhe vizën, ose, në të kundërt, do t’i kthente paratë që kishte paguar. Pasi ka kaluar dhjetori, të dy personat kanë komunikuar dhe Afrim K. e ka mashtruar sërish Nazmi O. se do t’ia nxirrte vizën. Kanë kaluar 3 vjet dhe Afrim K. nuk ia ka kthyer paratë Nazmi O. Sipas kallëzuesi­t, ai kishte mbyllur edhe numrin e telefonit që përdorte, si edhe kishte ndërruar mjedise në mënyrë që të mos gjendej nga kallëzuesi. Jo vetëm kaq, por Afrim K., pasi është vënë në dijeni të faktit se ishte në hetim, është larguar drejt Italisë. I kontaktuar edhe nga oficeri i Policisë Gjyqësore, ai ka premtuar se do t’ia kthente paratë kallëzuesi­t, por deri më datën 25 qershor, kur ka nisur edhe gjyqi ndaj tij, nuk është kthyer mbrapsht asnjë qindarkë. Në këto kushte, Gjykata e Tiranës vendosi që ta dënojë me 1 vit burgim për akuzën e “mashtrimit”, dhe vuajtja e dënimit të kryet në një burg të sigurisë së zakonshme. Ndërkohë, biznesmeni është ende në Itali dhe pritet që të kthehet për të vuajtur dënimin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania