Panorama (Albania)

Vjosa “pronare” e kateve të para të banesave, uji arrin në nivelin 2.5 metra

Qindra shtëpi e biznese nën ujë. Disa banorë s’pranojnë të lënë shtëpitë, “bashkëjete­së” në katet e sipërme me bagëtinë

-

Vërshimi i Vjosës ka pushtuar qindra banesa në zonat e Vlorës dhe të Fierit, duke vënë në vështirësi dhe rrezikuar jetën e banorëve. Niveli i ujit në disa vende arrin deri në 2.5 metra.

Dëmet janë të konsiderue­shme, por banorët e mësuar çdo vit me këtë situatë, shprehen se ajo për të cilën luten është të mos humbasin jetë njerëzish. Të gjendur të rrethuar në një kohë të shpejtë nga uji, shumica e familjeve po bashkëjeto­jnë në katet më sipër me bagëtinë. Nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër. Madje, janë të kënaqur që po arrijnë të shpëtojnë qindra bagëti nga mbytja.

Situata më e rëndë në Vlorë paraqitet në zonën e Novoselës. Kalimi drejt fshatrave të Fermës, Fitores, Delisuf, Bishan dhe Dëllenjë kryhet vetëm me mjete lundruese dhe me asistencën e Ushtrisë. Banesat janë nën ujë më shumë se 2 metra. 36 familje në Fermë e Fitore u evakuuan dhe janë strehuar te të afërm të tyre. Sipas të dhënave, 92 banesa janë më të rrezikuara­t. “Situata mbetet më e vështirë se në vitin 2015”, shprehen Haxhi Myrtezaj, banesa e të cilit është nën ujë në fshatin Fermë të Novoselës. Shtabi i Emergjencë­s në Vlorë konfirmon se situata mbetet kritike pasi niveli i Vjosës vetëm sa rritet. Zona e Novoselës dhe fshatrave përreth ndodhet në terr. Banorët kanë gjetur zgjidhje duke e kaluar gjënë e gjallë në katet e sipërme të banesave. Probleme ka pasur edhe në nën kalimet e autostradë­s Vlorë- Levan, në nën kalimin e fshatit Panaja dhe Novoselë, të cilat janë mbushur me ujë. Edhe Selenica e disa fshatra të saj janë bllokuar dhe nuk kanë energji.

Vjosa ka dalë nga shtrati edhe në Fier duke përmbytur qindra familje, kryesisht në fshatrat Ferras, Cerven, Kashisht dhe Hambar. Uji ka hyrë në banesa deri në lartësinë 2.5 metra duke pushtuar kështu katet e para. Rreth 350 forca të ushtrisë kanë evakuuar afër mëngjesit të djeshëm 30 familje nga Ferrasi, të cilët ishin më të rrezikuar pasi i kishin shtëpitë përdhese. Janë përmbytur më shumë se 500 shtëpi, 100 biznese e servise, dhjetëra stalla e sera, si dhe mbi 300 ha tokë bujqësore. Përgjatë gjithë natës u është bërë thirrje banorëve të lënë banesat e tyre, por ata kanë refuzuar duke qëndruar në katet e sipërme. Ndërkohë, dje në mëngjes, situata ka qenë mjaft e rrezikshme, pasi uji vërshoi frikshëm. Vjosa, për herë të parë, ka shënuar këtë sasi prurjesh, që nga ekspertët konsideroh­et rekord. Për shkak të ujit kanë mbetur të bllokuar edhe forca të Ushtrisë që evakuonin banorët. Mes ujit mbeti edhe furgoni i Policisë së Shtetit, brenda të cilit ishin katër policë, që u shpëtuan më pas nga forcat e Ushtrisë. Rreth orës 15: 30, uji ka vërshuar edhe në rrugën Levan- Tepelenë e në Poçem, ku dhjetëra automjete kanë hasur vështirësi në qarkullim. Ndërkohë, në fshatin Ferras, për shkak të vërshimit të menjëhersh­ëm, katër persona kanë mbetur të bllokuar në një automjet dhe kanë kërkuar ndihmën e Policisë për shpëtim. Gjithashtu, Policia shpëtoi dje edhe tre familjarë që ishin bllokuar në banesën e tyre. Po ashtu, çarja e dy argjinatur­ave ka sjellë edhe më shumë rrezik te këto zona.

 ??  ?? Furgoni i Policisë i bllokuar në Fier
Furgoni i Policisë i bllokuar në Fier

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania