Panorama (Albania)

Shkëmbi 1 ton godet makinën në ecje, shpëtojnë tre djem

Prag tragjedie, shoferi: Shpëtuam mrekullish­t, guri kapi cepin

- KORÇE/

Tragjedia e ndodhur dy muaj më parë në Torovicë të Lezhës, ku tre persona të një familjeje humbën jetën nga goditja e një masivi shkëmbor ndërsa udhëtonin me makinë, mund të ishte përsëritur në Pogradec.

Por, këtë herë fati ishte me tre të rinjtë pasi një masiv shkëmbi, që u shkëput nga lart, goditi në cep makinën e tyre e për rrjedhojë ata shpëtuan vetëm me disa dëmtime të lehta. Ngjarja ndodhi në fshatin Golik dhe shkak janë bërë punimet për ndërtimin e rrugës Qukës– Qafë Plloçë, punime që kanë nisur prej më shumë se një viti. Xhenis Kapri, 23 vjeç, ishte drejtuesi i automjetit, që u godit nga masivi shkëmbor. I riu tregon tmerrin e kaluar mbrëmjen e së hënës, ku bashkë me dy shokë shpëtuan për vetëm pak centimetra nga goditja fatale.

Xhenis a mund të na tregosh si ndodhi ngjarja?

Isha në fshatin ngjitur sepse çuam motrën e njërit prej shokëve të mi dhe kjo është e vetmja rrugë që të çon atje. Kur kaluam, rruga ishte e hapur dhe nuk kishte asnjë lloj problemi, përveç baltës dhe gropave, që janë si pasojë e punimeve që po bëhen. E lamë atje dhe u nisëm për t’u kthyer në shtëpi. Kur u afruam te ky vend, pamë një makinë që po vinte në krahun tjetër dhe iu afrova pak më shumë anës së malit, në mënyrë që të shkëmbehes­him pa probleme. Po lëvizja shumë ngadalë sepse rruga është e keqe dhe nuk ke mundësi për të ecur shpejt. Në një moment, diçka goditi makinën dhe nuk munda ta kuptoj çfarë ishte. Çfarë ndodhi më pas? Ngriva në vend. U fola çunave për t’u siguruar që ishin mirë dhe u kërkova të dilnin. Makina nuk po fikej dhe u thirra të dilnin jashtë se mos shpërthent­e ndonjë gjë. Në atë moment, ata u përpoqën të hapnin derën, por nuk e hapnin dot. Kemi dalë nga ana tjetër, ndërsa njëri nga dritarja sepse ishte e pamundur të dilte. Kur dolëm dhe kontrollua­m, pamë që kishte rënë një shkëmb në krah të makinës. Si vepruat më tej? Telefonuam njerëzit tanë dhe Policinë. Ishim të tmerru- ar. Ky shkëmb është thuajse 1 ton, nuk dua ta imagjinoj ç’mund të kishte ndodhur nëse do të na kishte rënë sipër. Për fatin tonë, shpëtuam mrekullish­t, vetëm me disa dëmtime të vogla, ndërsa makina është e shkatërrua­r.

Sipas jush, pse erdhi ky aksident, çfarë ndodhi?

Këtu po bëhen punimet për rrugën e re Qukës- Qafë Plloçë. Prej kohësh është një gjendje e frikshme. Vazhdimish­t bien gurë nga lart. Ke frikë të kalosh, si ditën edhe natën. Qoftë në këmbë, qoftë me makinë, këtu nuk ke qetësi kur kalon. Duket që edhe nga shirat e ditëve të fundit, u bë më e lehtë shkëputja e shkëmbinjv­e nga faqja e malit. Këta që po bëjnë rrugën, nuk kanë marrë asnjë masë sigurie. Është e frikshme të jetosh kështu çdo ditë. Kemi ngelur në dorë të Zotit se nga dora e njeriut vetëm e keqja po na vjen. Tabela rruga nuk ka, errësirë e tmerrshme, gurët që bien në çdo moment. Kur do marrë masa firma apo kur të vdesin njerëz?

Duhet të merren masa dhe përgjegjës­ia t’i shkojë kujt i takon, mund të kishin humbur jetën tre persona këtu. Dikush duhet ta zgjidhë këtë çështje.

 ??  ??
 ??  ?? Makina e goditur nga shkëmbi
Makina e goditur nga shkëmbi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania