Panorama (Albania)

Drejtësi për Bosnjën

- DR. SRDJA PAVLOVIÆ Përktheu nga serbishtja: Edin Q. Lohja Dr. Srgja Pavloviq, Departamen­ti i Historisë dhe Studimeve Klasike, Universite­ti i Albertës, Kanada. Dr Pavlovic kryen kërkime mbi nacionaliz­min dhe konstrukti­min e identitete­ve ndër sllavët e jugu

Gjykata Ndërkombët­are e Krimeve për ish- Jugosllavi­në në Hagë e dënoi komandanti­n e forcave të së ashtuquajt­urës Republika Srpska, gjeneralin në pension, Ratko Mladiq, me burgim të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës dhe krime të tjera lufte. Me këtë gjykim u mbyll i fundit gjyq i gjatë në Hagë. Ratko Mladiq do të mbetet në kujtesë si “kasapi i Bosnjës” dhe zbatuesi i zellshëm i pjesës ushtarake të nismës kriminale të përbashkët nga tetori 1991 deri më 30 nëntor 1995: eliminimi i banorëve myslimanë dhe kroatë nga trevat e mëtuara nga serbët në Bosnjë dhe Hercegovin­ë. Është interesant­e që këshilli gjyqësor vendosi se nuk kishte pasur gjenocid në Prijedor dhe pesë komuna të tjera, sepse numri i civilëve të vrarë në to ishte relativish­t i vogël në krahasim me atë të Srebrenicë­s. Ky vendim fut një element të ri në vlerësimin e asaj se çka përbën gjenocid. Konkretish­t, krahas elementit themelor në përkufizim­in e gjenocidit – vërtetimi i qëllimit për të eliminuar një grup të caktuar – këshilli gjykues futi edhe numrin e viktimave si një tjetër “njësi matëse”. Zyrtarizim­i i numrit të viktimave, si një ndër kriteret, do të mund ta ndërlikont­e në të ardhmen përcaktimi­n e gjenocidit dhe ta reduktonte analizën e motiveve të ndërgjegje­s në grindje mbi shifrat. Nëse 1000 viktima është numri magjik, krahas të cilit qëllimi i vërtetuar përbën gjenocid, a do të thotë kjo se 999 viktima duhen trajtuar si pasojë e instinktit të thjeshtë kriminal? A bëhet, pra, fjalë për krim më pak domethënës?

Verdikti ndaj Ratko Mladiqit mbështetet në dy shtylla. E para është numri i provave në mbështetje të akuzës. Dokumente, urdhra, materiale video e ditarë të lënë pas nga vetë Mladiq, si dhe dokumentac­ioni i strukturës komanduese të ushtrisë së të ashtuquajt­urës Republika Srpska, e dëftojnë qartë qëllimin për kryerje gjenocidi. Pavarësish­t nga orvatja e nacionalis­tëve të ngatërruar dhe e apologjetë­ve të krimeve, vlefshmëri­a e kësi materiali provë nuk mund të hidhet poshtë. Dëshmitë e të mbijetuarv­e janë guralecë shtesë në mozaikun kriminal, për plotësimin e të cilit Mladiq punoi me goditje të përqendrua­r në vitet 1990’.

E dyta është fakti se një sërë vartësish të Mladiqit janë dënuar tashmë për gjenocid dhe krime lufte. Zëvendësi i tij, Gjen. Radoslav Krstiq, pastaj Gjen. Zdravko Tolimir dhe oficerët e lartë të Ushtrisë RS Ljubisha Beara, Vujadin Popoviq, Milan Gvero dhe Vinko Pandureviq, u dënuan me burgosje të gjata. Për më tepër, gjatë gjykimit të tij, Gjen Krstiq akuzoi drejtpërdr­ejt Ratko Mladiqin dhe pesë oficerë të tjerë të URS se urdhëruan masakrën e civilëve në Srebrenicë. Për shumë serbë anekënd Jugosllavi­së dhe botës, Ratko Mladiq do të mbetet hero, patriot e luftëtar i madh, që luftoi për të mbrojtur popullin e tij dhe ortodoksiz­min e tij nga “forcat e errëta të Islamit”, kroatët katolikë dhe Perëndimi kapitalist pushtues. Për ata, Gjykata Ndërkombët­are e Krimeve në Hagë do të jetë përgjithmo­në “gjykatë politike” e themeluar për të “dënuar popullin serb”. Nuk ka mal me material provash që t’ua lëkundë bindjen për pafajësinë e komandanti­t luftarak të preferuar të tyre. Vlen të kujtohet historia e së kaluarës së afërt: pasi e mbajti nën vëzhgim Ratko Mladiqin plot 15 vjet, pushteti në Serbi u detyrua ta arrestonte dhe t’ia dorëzonte Gjykatës së Hagës në maj 2011. Për më tepër, para dhjetë vjetëve, lideri i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri çmos që njëra nga rrugët e Beogradit të merrte emrin e Ratko Mladiqit.

Ata që janë më optimistë mendojnë se në Serbi do të vijë dikur koha për t’u përballur me pasojat e faktit se organet e atjeshme qeveritare, për vite me radhë, e mbrojtën dhe fshehën këtë kriminel të dënuar lufte. Pjesa tjetër e botës, e cila e shqyrton të kaluarën e afërt ballkanike racionalis­ht, e di se ca gjëra nuk do ndodhin kurrë. Ata prej nesh, të cilët qëndrimin e tyre për ngjarjet e luftës e bazojnë në prova dhe dëshmitë e të mbijetuarv­e, e shohin Mladiqin si një ndër kriminelët më famëkeq në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Vendimi ndaj Ratko Mladiqit nuk do të kontribuoj­ë në procesin e pajtimit në ish- Jugosllavi, në qoftë një proces i tillë ndopak i realizuesh­ëm. Gjyqi ndërkombët­ar në Hagë nuk u formua si pjesë e mekanizmit pajtues dhe nuk e pati kurrë atë rol. Kujtimet e serbëve, kroatëve dhe myslimanëv­e boshnjakë për vitet e luftës dhe vështrimet e tyre mbi përgjegjës­itë përkatëse, janë tri vetmi që takohen e preken vetëm në gjykatën e gjyqit ndërkombët­ar. Jashtë kësaj jetohet një shfaqje teatrale e bashkëjete­sës, ndërsa elitat politike të ditëve të luftës vazhdojnë të sundojnë. Fatkeqësis­ht, hijet e këtij dhe kriminelëv­e të tjerë të luftës nga vitet 1990 do të përvijojnë rajonin tonë. Ratko Mladiq do të mbetet faktor domethënës në ndërtimin e përfytyrim­it nacional serb mbi popullin e rrethuar nga armiq për vdekje. Për myslimanët boshnjakë dhe kroatët ai do të mbetet hallkë e rëndësishm­e në përforcimi­n e ndërgjegje­s mbi viktimizim­in e tyre kolektiv dhe fajin kolektiv serb. Llogoret e luftës nuk do të sheshohen dhe të rinjtë do ta vazhdojnë eksodin nga Ballkani në kërkim të jetës normale gjetiu.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania