Panorama (Albania)

Edmond Topi bën bashkë Kurtin, Xhepën Arbanën dhe Pajën në film

Tinka Kurti, Reshat Arbana, Luftar Paja e Margarita Xhepa na kthejnë shijen e lojës së vërtetë aktoriale

-

Prej titullit, kushdo do të besojë se bëhet fjalë për ndonjë konkurs talentesh dhe nuk do ta kishin keq, veçse "Yjet e së ardhmes" nuk janë as fëmijë e as të rinj, ata i takojnë moshës së tretë.

Por, ëndrrat nuk kanë as kufij e as moshë. Regjisori Edmond Topi ka vendosur që një nga problemati­kat e viteve të fundit, atë të raportit të shoqërisë me brezin e tretë, ta shndërrojë në një film. Një komedi romantike, ku loti përzihet me të qeshurën. E ka titulluar pikërisht "Yjet e së ardhmes" dhe është mbështetur mbi skenarin e autorit holandez Uli Bree, pasi e ka blerë atë me të drejta të plota dhe e ka përshtatur për kontekstin shqiptar. I paraprirë gjatë paradites nga një shfaqje për mediat dhe një konferencë shtypi, filmi pati premierën mbrëmë në kinema "Millenium". Siç do të thoshte edhe vetë regjisori, "Yjet e së ardhmes" nuk është një film me pretendime festivales­h. Nuk është film autor, por pretendon të shkojë te publiku, duke e bërë atë të reflektojë mbi një problem të dhimbshëm, përmes një qasjeje të këndshme. Madje producenti dhe regjisori i filmit synon ta shfaqë atë në të gjithë Shqipërinë, pavarësish­t mungesës së kinemave.

HISTORIA

Filmi rrëfen se si një muzikant, i dënuar me punë në komunitet për prishje të qetësisë publike, do të punojë për pak kohë pranë një azili pleqsh, duke u tronditur përgjumjen banorëve të këtij instituti, që ndiheshin të braktisur nga familjet dhe si të zënë në burg. Po ashtu do të tronditë edhe jetën e kryeinferm­ieres, që qëllon të jetë dhe komshia e tij. Nga një strehë e trishtuar, azili kthehet në një vend gazmor, në një vend shprese. Ata të moshuar kthehen në rrokstarë të vërtetë. Duke treguar se ëndrrat dhe dashuria nuk vdesin kurrë, autorët e filmit shpresojnë të ndikojnë sadopak në ndryshimin e këndvështr­imit të shoqërisë për brezin e tretë, shumë ëndrra të të cilëve u dogjën për shkak të diktaturës. Jo më kot herë pas here personazhe­t e moshuar i referohen titullit të një kënge të famshme të vitit 1977 nga Ian Dury: "Drogë, seks dhe rrok& rrol". Dhe në këtë linjë është edhe kënga mbyllëse e filmit, ajo me të cilën "banda" e të moshuarve fiton konkursin: "Kafe Flora, burra plot", një këngë e ndaluar pas Festivalit të 11- të.

AKTORËT "BIG"

Për të sjellë këtë atmosferë plot kontraste, sa të trishtë, aq edhe gazmore, Topi ka përzgjedhu­r një kast aktorësh që të nxjerr mallin e filmave të mirë shqiptarë. Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Luftar Paja, vijnë në rolet e të moshuarve të azilit. Edhe pse disa nga pjesëmarrë­sit në konferencë për shtyp i quajtën ata "legjenda", në të vërtetë ata janë aq të gjallë dhe të vërtetë, aq të prekshëm, saqë kushdo mund të shohë tek ata njerëz të tyre të afërt. Edhe një herë ata na treguan se ç'është aktrimi i vërtetë. Fije lidhëse mes këtyre personazhe­ve që mbartin secili historinë e vet, më saktë gjithë problemati­kat e tranzicion­it, si emigracion­i, braktisja, konflikti mes brezave, ëndrrat e parealizua­ra gjatë diktaturës apo një "kohë të çmendur", siç do ta quante regjisori, janë Robi dhe kryeinferm­ierja e azilit, interpretu­ar nga Gazmend Paja dhe Elia Zaharia. Dy role të rëndësishm­e për të dy aktorët. Një rol kyç në zhvillimet e ngjarjeve ka drejtoresh­a e institucio­nit, interpretu­ar nga Ema Andrea, e cila është mjaft mirë në figurën e një drejtuesej­e të ngurtë, pa sens humori, e cila i "shërben" mendimit se mosha e tretë nuk duhet të përjetojë emocione, duhet të flejë dhe të tjerë të kujdesen për të.

BASHKËPUNI­MI

"Uroj që publiku ta marrë mesazhin e këtij filmi. Suksesi i tij nuk do ishte i mundur pa bashkëpuni­min e këtij kasti të mrekullues­hëm aktorësh, të cilët janë më të mirët që ne kemi", tha regjisori Topi, duke treguar se paskuintat kanë qenë pjesa më e bukur e gjithë procesit të realizimit të filmit dhe se pikërisht xhirimet e kryera gjatë momenteve të pushimit apo përgatitje­ve, do të vijnë si një film më vete. Sipas konsulente­s së filmit Mirela Oktrova dhe regjisorit Topi, përmes këtyre regjistrim­eve do të zbulohet raporti që aktorët e brezit të tretë krijuan me ata më të rinj, apo se si këta të fundit kujdeseshi­n për ta. Regjisori do të shprehte habinë se si këta aktorë pranuan menjëherë të interpreto­nin në këtë film, sapo lexuan skenarin, pa bërë asnjë marrëveshj­e financiare më herët. "Është një skenar që të ngacmon shumë emocionali­sht dhe të jesh përkrah gjigantëve të skenës është një emocion dhe përgjegjës­i e madhe. Edhe pse kam luajtur më herët në krah të babait tim, kisha një lloj sikleti për mënyrën se si do të komportohe­sha me ta. Por ishte një ' frikë' për mirë. Ka qenë kënaqësi e madhe dhe ajo që mësova ishte se jo vetëm në film, por dhe në jetën e tyre jashtë skenës, këto legjenda të artit shqiptar janë gazmorë dhe kanë ëndrra. Nuk ishte vetëm filmi që na dha eksperienc­ë, por marrëdhëni­a jashtë kamerave na ka dhënë shumë", u shpreh Paja. Ndërsa Elia Zaharia e quajti skenarin e filmit "dashuri me lexim të parë", aq sa, siç do të rrëfente vetë, do të bëhej pjesë e xhirimeve vetëm pak ditë pas dasmës. "Ky rol të pasuron shumë sepse ishte shumëplanë­sh dhe jam ndier e bekuar, që nga stafi i filmit deri tek aktorët e mëdhenj që morën pjesë në këtë produksion", tha Zaharia.

Edhe pse filmi nuk ka pretendime të mëdha, tema që ai trajton dhe aktorët që interpreto­jnë, pa dyshim do ta çojnë te publiku.

 ??  ??
 ??  ?? Nga filmi “Yjet e së ardhmes”
Nga filmi “Yjet e së ardhmes”
 ??  ?? Gazmend Paja dhe Elia Zaharia në filmin “Yjet e së ardhmes"
Gazmend Paja dhe Elia Zaharia në filmin “Yjet e së ardhmes"
 ??  ??
 ??  ?? Dje në konferencë­n për shtyp
Dje në konferencë­n për shtyp
 ??  ?? Aktorja Tinka Kurti në filmin “Yjet e së ardhmes”
Aktorja Tinka Kurti në filmin “Yjet e së ardhmes”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania