Panorama (Albania)

Rrëfimi i dytë i Çapalikut për kohën e çmendur

- FRANO KULLI

SërishStef­an Çapaliku, me shkrimtari­në e tij është ndalur në Kohën e çmendur, veçse tashti në një tjetër copë të pezullt të saj, aty ku e kishte mbyllë rrëfimin e vet në librin e parë “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”. Pas vdekjes së diktatorit, kur shpresat e vagëlluara e të venitura nis e ringjallen e njerëzia fillon e shkund...

gjymtyrët e mpitë, si me dashtë me tremb makthin e kohës së çmendur… Bash në këtë minutë të kohës pezull, fillon e i merr ngjarjet libri i dytë i ciklit të tij romanesk, të vrazhda, ashtu siç kanë ndodhë atëherë, veçse krejt të tejpashme ( transparen­te), duke ruajt kështu vlerën e rëndesës së tyre të paprekur, ç’ka e bën lexuesin e rrëfimtari­n të përjetoje ndjesi e emocione të athëta, si atëherë kur ata kanë ndodhë, edhe tani, tridhjetë e sa vjet më vonë. Stefani rrëfen bukur- siç thotë Shpëtim Kelmendi- ai asht shumë i kandshëm dhe origjinal kur bisedon, kur tregon ndodhi dramatike a barsoleta qofshin, ndaj edhe shkruan bukur, shumë bukur e lexohet me andje. Dhe konstatimi i kalon kufijtë e gjykimit prej miku.

Profilin e vet krijues, Stefan Çapaliku, prej kohësh e ka skicuar si dramaturg, ndonëse i ka provuar edhe gjinitë e tjera letrare, është shfaqur e ka bërë vend si eseist e estet, po drama dhe teatri qenë si me thënë Laura e tij me “trenta e lode” ( tridhjetë pikë, shkëlqyesh­ëm). Kurse romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, që u pat botuar si sot një vit më parë dhe vëllimi i dytë i sapodalë nga shtypi, janë mundimi i madh krijues, por edhe shpresa e madhe për me “jetue gjatë e me i rrëfye” ngjarjet e trandshme të kohës qytetëse pezull, e gjatë një gjysmë shekulli. Si duket, këtë e ka edhe synimin krijues të jetës Stefani. Autobiogra­fik, romani është një dëshmi letrare e trupit, shpirtit dhe mendjes së vendit, përgjatë një prej lëngatave të tij më të pashpresa. Personazhe­t që lëvizin nëpër ngjarje, por që edhe i parathonë e i projektojn­ë ato, janë aso qytetarësh, arketipa të një qytetërimi bashkëkohë­s. Zef Mark Harapi, Frederik Rreshpja, Zef Zobra, Kolë Ashta, At Pjetër Meshkalla, Gjon Shllaku, Pjetër Gjini, Pjeter Gaci, Nuh Sahatçia… j anë ekuivalent­ë ( të njëvlershë­m) për nga civiliteti me elitat vërsnike të Europës.

Çapaliku, me dy vëllimet e botuara në harkun e një viti, ka ndarë me ne një periudhë njëzetvjeç­are prej një kohe të çmendur, e cila kaloi si një sëmundje e gjatë dhe sfilitëse mbi trupin e një vendi të varfër e të pashpresë siç qe Shqipëria komuniste. Ai, në të dy vëllimet e para të sagës së vet, i ka trajtuar ngjarjet e përzgjedhu­ra si lëndë artistike, të cilat më vonë kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë në mendjet e lexuesve karaktere njerëzore sa reale e absurde, aq edhe ekspresion­iste e surreale.

Romani i dytë i ciklit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” i vendos ngjarjet jo vetëm në Shkodër, por veçanërish­t në Tiranë, si dhe në Tropojë e Jug të Shqipërisë. Ato nisin në prill të vitit 1985 dhe mbarojnë në fund të vitit 1990. Ky libër është vazhdim i vëllimit të parë të ciklit romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës se vet”, por mund të lexohet veçmas dhe pavarësish­t nga i pari.

Romani i dytë ka 29 kapituj dhe, ashtu si i pari, është ndarë në tri pjesë: “Fundi i tunelit dukej i errët dhe i pafund”, “Midis të metave kemi edhe dobësi” dhe pjesa e tretë, “Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri”.

Pjesa e dytë e “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, si edhe e pjesa e parë, merret me komunizmin shqiptar, tashmë në momentet e grahmave të tij, me kohën kur ai dukej më i frikshëm dhe më i rrezikshëm se kurrë. “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” II vjen dhe shuhet në misterin e rënies së sistemit politik në dhjetor të vitit 1990.

Ky cikël romanes, në pikëpamje teorike, ka lidhje të drejtpërdr­ejtë me termin Bildungsro­man, term, që më së pari u krijua në 1819 nga filologu gjerman Karl Morgenster­n në leksionet e tij universita­re, dhe më pas u rimorr dhe u trajtua ndër stilema edhe më të epërme estetike nga Wilhelm Dilthey, i cili e legjitimoi dhe e popullariz­oi atë në fillim të shekullit të XX.

Në kritikën letrare, një Bildungsro­man është një zhanër letrar, që fokusohet në rritjen psikologji­ke dhe morale të protagonis­tit nga rinia e hershme në moshë të rritur, përgjatë së cilës ndryshimi i karakterit është jashtëzako­nisht i rëndësishë­m. Zhanri karakteriz­ohet më tej nga një numër tiparesh formale dhe tematike. Ai, shpesh lidhet me rritjen e një personi të ndjeshëm që shkon në kërkim të përgjigjev­e për pyetjet themelore të jetës, me shpresën se këto përgjigje do i formulojë vetë rritja dhe zgjerimi i përvojës. Zhanri shpesh përbën një konflikt themelor ndërmjet karakterit kryesor dhe shoqërisë.

Cikli romanesk “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” udhëhiqet prej dy linjash të forta emocionale. Ka vetëm dy emocione në botë, vetëm dy emocione që mund të shprehim dhe këto dy emocione janë: frika dhe dashuria. Të gjitha emocionet e tjera, me të cilat jemi aq familjarë, nuk janë asgjë më shumë se nënkategor­i të këtyre dyjave. Ku ka dashuri, mund të ketë paqe, gëzim, qetësi, e në anën tjetër, aty ku sundon frika, do kemi ankth, trishtim e lodhje.

Kur personazhi kryesor ka frikë, ai i kthen shpinën jetës dhe kur dashuron, ai ia hapë të gjitha dyert pasionit dhe ngazëllimi­t. Në faqet e romanit, autori mëson ta dojë veten e vet me të gjithë lavdinë dhe papërsosmë­ritë e veta. Veçanërish­t në këtë vëllim të dytë, ai vë në ballë moton e John Lennon, që thotë se: “Nëse nuk mundemi ta duam veten, nuk mund të jemi plotësisht të hapur ndaj aftësisë sonë për të dashur të tjerët dhe gjithashtu ndaj potenciali­t tonë për të krijuar.”

… Ndërsa e gjithë lënda e pjesës së tretë të librit nuk është më tepër se kjo frazë: Pjesa e tretë ose Sistemi ndërroi si të ishte një fletë libri, të cilën po e lë të bardhë, për ta mbushë ata, që e dinë sesi ndodhi… Çka na bën të besojmë se autori do të “rrnojë për me na tregue” edhe gjithë sa ka ndodhë në kohën e çmendun, prapë pezull, mbas Meshës së Dom Simon Jubanit, në Vorret e Rrmajit, në vitin 1990… e deri sot.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania