Panorama (Albania)

Juve- Roma, sulmi kundër mbrojtjes

Verdhekuqt­ë shënojnë çdo 24 goditje, por janë prapavija më e sigurt e Serisë A

-

Juventus- Roma do të jetë një test i radhës për titullin kampion, sepse të dyja skuadrat ndahen nga vetëm 3 pikë në renditje, por me verdhekuqt­ë që kanë një ndeshje për të rikuperuar, prandaj virtualish­t dy rivalet e mbrëmjes së nesërme janë në kuotë të njëjtën pikësh.

Përveçse dy prej pretendent­ëve për titull në pesë sezonet e fundit, sivjet JuveRoma do të jetë një duel mes sulmit dhe mbrojtjes më të mirë, ndonëse në të kaluarën ka qenë ndryshe situata. Këtë vit, “Zonja e Vjetër”, si rrallëherë, është skuadra që shënon më shumë në kampionat ( 44 gola të shënuar), ndërsa “Ujkonja” është grupi që mbron më mirë ( 10 gola të pësuar), ndonëse do të futemi edhe më thellë në detaje.

Sulmi – Në katër ndeshjet e fundit, duke llogaritur të gjitha kompeticio­net, Juventusi nuk ka shënuar vetëm ndaj Interit ( 0- 0), por ndërkohë numëron 7 gola në tri ndeshje ( fitore me Olimpiakos 2- 0, Bolonjën 30 dhe Xhenoan 2- 0), për të cilat i janë dashur vetëm 32 goditje në kuadrat për t’i realizuar, e thënë ndryshe, një gol çdo 4.5 gjuajtje. Nga ana tjetër, Roma ka shënuar 4 gola ( fitore me Karabakun 1- 0, barazim 0- 0 me Kievon, fitore 1- 0 me Kaljarin dhe humbje me Torinon 1- 2), por për të dërguar një top në rrjetë, i janë dashur mesatarish­t 24.3 goditje në portë. Me pak fjalë, diferenca në sulm është shumë e madhe, duke konfirmuar cinizmin e kampionëve në fuqi.

Mbrojtja – Deri tani, në Serinë A Juventusi ka pë- suar 14 gola, por në katër ndeshjet e fundit, ata kanë gjetur soliditet, duke e mbajtur portën të paprekur ( 7 nëse llogarisim dy sfidat në Champions me Barcelonën dhe Olimpiakos­in si dhe atë me Xhenoan në Kupën e Italisë). Diçka e tillë nuk i kishte ndodhur asnjëherë sivjet “Zonjës së Vjetër”, e cila në dekadën e fundit ka pasur prapavijën më të fortë jo vetëm në Itali, por edhe në Europë. Nga ana tjetër, Roma në 17 ndeshje numëron vetëm 10 gola të pësuar, të fundit ia ka shënuar SPAL- i më 1 dhjetor. Edhe pse Di Françesko është një trajner që njihet për lojën e tij sulmuese, habit se si Roma e tij është kaq e fortë prapa, prandaj Higuain me shokë janë të paralajmër­uar.

Diferencat e tjera – Nëse hyjmë në detaje të tjera, si për shembull goditjet në kuadrat, Juventusi mund Romën 137 me 128. Asistet për gol janë në avantazh sërish të bardhezinj­ve, 24 me 18; krosimet e sakta janë 131 me 123 në favor të Romës; ndërsa pritjet e bëra nga portierët e tyre janë 37 për torinezët dhe 45 për kryeqyteta­sit. Dhe të gjitha këto shifra pak a shumë të ngjashme mes këtyre dy skuadrave, theksojnë se nesër në mbrëmje pritet të ketë spektakël në “Allianz Stadium”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania