Panorama (Albania)

Rrjedhja e gazit, asfiksohen burrë e grua para televizori­t

Çifti u zbulua nga fqinja, një ditë më parë i kishin lënë mbesën

-

Një çift bashkëshor­tësh humbën jetën në mënyrë tragjike në qytetin e Vlorës pasi u asfiksuan nga rrjedhja e gazit.

Viktimat, Rrok Tata, 68 vjeç dhe Prendë Tata, 55 vjeçe, janë gjendur të asfiksuara në banesën e tyre në katin e dytë të një pallati në lagjen “Pavarësia”. Kanë qenë komshinjtë ata, të cilët kanë lajmëruar Policinë, pasi nga banesa, e cila ishte e mbyllur me çelës nga brenda, nuk vinte asnjë shenjë jete dhe se çifti nuk përgjigjej as në telefon. Dyshimet për një ngjarje të rëndë lidheshin dhe me faktin se bashkëshor­tët Tata jetonin të vetëm. Mbesën e tyre, 8 vjeçe, ata e kishin lënë te një fqinji i tyre prej ditës së enjte në orën 16: 00 ku edhe kaloi natën dhe nuk ishin interesuar më tej për ta marrë atë. Pas mbërritjes së Policisë, ata gjetën në banesën e çiftit Tata dy bashkëshor­tët pa shenja jete. Në vendngjarj­e mbërritën dhe forcat zjarrfikës­e, për shkak të pranisë së rrjedhjes së gazit brenda në apartament. Dy viktimat janë gjendur afër njëri- tjetrit, burri i shtrirë në divan dhe gruaja e ulur në kolltuk, ndërsa televizori qëndronte i ndezur. Sipas grupit hetimor, çifti ka gjetur vdekjen, ndërsa ndiqnin emisione në televizor, çka kanë qenë dhe momentet e fundit të tyre në jetë. Bashkëshor­tët, Rrok dhe Prena Tata, kujdeseshi­n për mbesën 8vjeçare të vajzës së tyre, e cila jeton në Itali. Në shtetin fqinj jetojnë dhe dy djemtë e tjerë të çiftit. Nga hetimet e para të Policisë konfirmohe­t se shkak i humbjes së jetës së tyre ka qenë rrjedhja e gazit nga një bombol, e cila shërbente për ngrohje. Kjo e fundit ishte lënë hapur dhe asfiksimi në banesë të dy viktimave ka ardhur pikërisht nga rrjedhja e saj. Përhapja e gazit në formë të lëngshëm në ajër ka sjellë për pasojë asfiksimin e tyre. Kjo të paktën është pista kryesore e hetimit. Ndërsa një tjetër pistë e ngritur nga Policia lidhet me një vetëvrasje të mundshme. Shkak për pistën e dytë lidhet me faktin se rreth orës 16: 00 të ditës së enjte, bashkëshor­tët kanë larguar nga banesa mbesën e tyre 8vjeçare duke e dërguar te një nga fqinjët, te të cilët fëmija shkonte shpesh për të kaluar disa orë. Pasi kanë dërguar mbesën te banesa e fqinjës, çifti është mbyllur brenda në shtëpi, ndërsa më pas nuk kanë dhënë asnjë sinjal dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve në telefon të bëra nga fqinjët. Vajza e vogël ka fjetur te fqinjët, ndërsa vetëm gjatë mëngjesit ankthi te këta të fundit është shtu- ar duke njoftuar më pas edhe Policinë, e cila i ka gjetur të vdekur në banesë. Rrok dhe Prena Tata janë me origjinë nga Shkodra, ndërsa prej 25 vitesh jetonin në qytetin e Vlorës, ku edhe banesa ku kanë gjetur vdekjen ishte në pronësi të tyre. Bashkëshor­tët kanë tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë, të cilët jetojnë në Itali. Vetëm pak kohë më parë, vajza e tyre 29- vjeçare ishte në Shqipëri, ku edhe ka lënë vajzën 8 vjeçe nën kujdesin e gjyshërve, për t’u larguar drejt Italisë për të punuar pranë vëllezërve të saj pas divorcit.

 ??  ?? Viktima Prendë Tata
Viktima Prendë Tata
 ??  ?? Viktima Rrok Tata
Viktima Rrok Tata

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania