Panorama (Albania)

Të rinovohet kërkimi shkencor, Skënderbeu fenomen europian

“Shkencën shqiptare, në shumë drejtime, e ka bërë Policia Sekrete me anë të represioni­t”

-

Përse unë dua të rishikohen ato që më kanë mësuar ideologjik­isht për Heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Gojëdhëna e shpatës dhe e dorës. E drejtë, nuk është shpata që bëri epopenë e madhe të Skënderbeu­t. Shpata ngrihet nga dora. Por, dora nuk ngrihet vetë. Dorën e ngre mendja, ideja, koncepti.

Duhet një historiogr­afi idealiste për të shpjeguar çarjen e madhe, që prodhoi Skënderbeu në histori. Pse do të vinte në Krujë, në një cep fortese, kur atij i hapeshin të gjitha shtigjet në Perandori? Jo, nuk është thjesht dëshira për feudin e babait. Nuk është trishtim disfate në karrierë, as tradhti ndaj Baba Sulltanit. As shkrepje vegimesh fëmijërore! Mos u tallni! Ai shihte larg, sepse po qe se e shihte çështjen se nuk do të fitonte dot, nuk do ta fuste veten dhe familjen, klanin dhe fisin, popullin, në një aventurë. Kush e nis një betejë, pa shpresë se do ta fitojë atë?

Pra, pyetja është nga i erdhi ideja që e solli në një projekt madhor, të madhërishë­m, po, po, të magjishëm, sepse t’i besosh një ideje, nuk është thjesht ratio, është besim, është frymëzim që nuk vjen shpesh nga ato që sheh, që të rrethojnë, është një kryengritj­e e “çmendur” në emër të idesë.

Gjergji i madh është produkt i një kulture që gëlonte në tokat arbërore.

Kur prifti Pal Engjëlli thoshte në shqip Formulën e Pagëzimit në Durrës, kjo nuk është një çështje thjesht linguistik­e, sikurse e kanë trajtuar. Është e dhëna më e madhe e antropolog­jisë kulturore arbërore. E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarës­h do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? Do të thotë, se ajo gjuhë ka arritur majat e institucio­nalizimit të saj. Është një gjuhë kombëtare pavarësish­t sesa është e zgjeruar gjeografik­isht. Potenciali­n e ka tashmë. Por, stalinistë­t sovjetikë nuk donin ta pranonin kombin para tregut të përbashkët, sepse ashtu kishte thënë sovjetiku Stalin. Pra, e donin kombin shqiptar në shekullin e nëntëmbëdh­jetë, a thua se nuk ka pasur kombe që në kohën kur popullsitë ishin të shpërndara dhe pa treg të përbashkët. Lexoni, lexoni o albanistez­ologë!

Kjo kulturë e fuqishme vendase që lulëzonte në qytete si Durrësi, etj., ishte edhe në rrethinat rurale, e mbrujtur përtej ndikimeve politike bizantine dhe atyre që vinin nga gadishulli përballë, nga fisnikët vendas që po fuqizohesh­in disa shekuj pasi ra Roma dhe midis Romës dhe Bizantit gjenin vend për të konsolidua­r pushtetin e tyre.

Se Gjergji erdhi, por si i mobilizoi ai fisnikët vendas nëse këta nuk ishin mbrujtur dhe mbrojtës të kulturës dhe gjuhës vendase. Por, Stalini nuk mund të pranonte që fisnikët vendas nga veriu në jug ishin ata që ngjiznin dëshira kombëtare. Sepse sovjetiku shqiptar, feudalin e sheh si gjakpirës të bujqve dhe kaq. Gjeni një muze në Shqipëri për fisnikërin­ë arbërore! Do kërkoni atë që ka qenë e censuruar, që vazhdon të jetë e censuruar, që është censuruar në kokë, pastaj me polici.

Shkencën shqiptare në shumë drejtime e ka bërë Policia Sekrete me anë të represioni­t.

Skënderbeu i madhërishë­m e magjik, sepse drejtohej nga ideja, e shihte larg, nuk ishte një shpatar i zakonshëm që priste koka me jatagan. Ai shihte larg, sepse ndjenja kombëtare në të gjithë Europën kishte nisur të shpallej hapur kundër universali­zmit latin. Në Gjermani, Luteri shkruan në gjermanish­t dhe predikon një fe duke i bërë thirrje fisnikëve gjermanë kundër kishës romane, Gutenbergu i heq kuvendeve të drejtën për të riprodhuar dijet me skribë dhe shpik makinën e shtypit masiv, duke ia dhënë dijen turmave dhe masave të burgerëve vendas lokalë e duke nxitur ndjenjën kombëtare. Makiaveli i madh shkruan më pas Princin në italishten e vjetër dhe vazhdon traditat e kohës së tij duke e bërë politikën një fakt lokal. Dekarti më pas shkruan logjikën në frëngjisht, pra, në gjuhën e vulgut të kohës. Kjo lëvizje laike me ndjenja kombëtare është Europa Qendrore dhe Perëndimor­e ku noton bota moderne e kohës. Në këtë lëvizje kaq moderne dhe antikonser­vatore shkruhet edhe projekti i Skënderbeu­t. Ai e di se çështja do të fitojë në mos kur është gjallë në pasvdekjen e tij. Ky është Heroi legjendar. Këtë e dinin të gjithë vizionarët e kohës dhe më pas, që nga Luteri, Serveti, Jan Husi, Galileu, Gutenbergu. Ata ishin njerëz të ndriçuar dhe pranonin të gjitha torturat, vuajtjet dhe persekucio­net në emër të asaj që ata e dinin se do të fitonte në mos sot nesër.

Por, stalinisti sovjetik nuk e donte që Skënderbeu­n ta shkruante brenda një projekti të përbashkët europian, sepse e donte një përpjekje vetmitare, si një ulërimë mali, me malësorë dhe me dëborë, jo si një projekt intelektua­l që shpatën e ka thjesht si mjet sikurse ka pendën.

Na duhej shpata, sepse vetëquhesh­im se historinë e kemi çarë me shpatë në dorë majë kalit. Sepse fisnikët, fetarët, intelektua­lët e kohës nuk dinin të mendonin. Kishin ndërgjegje të cekët fetare përsërit stalinisti sovjetik. Pra, kishin kulturë të cekët.

Po si ngrihet shpata pa dorën dhe dora si e bëhet e fuqishme pa mendjen?

Por, ndikimin e kishave bizantine apo katolike në trojet tona sovjetiku nuk e pranonte dot, sepse feja ishte kundër shqiptaris­ë, sipas tij, në çdo epokë, dhe në çdo rast, prandaj nuk mund ta gjejë frymëzime hyjnore te Gjergji i madh. Pal Engjëlli ishte ambasador - thonë - e vërtetë – pra, e politizojn­ë - sepse si udhëheqës shpirtëror i një epopeje me metafizikë­n e Zotit, nuk mund ta pranonin.

Si mund ta pranonin kur në 1968, ndërkohë që bëheshin festimet për Skënderbeu­n si prijës malësorësh që ngriti kokë politikish­t dhe ushtarakis­ht ndaj Sulltanit, mbylleshin kishat, xhamitë dhe teqetë?

Ja pra se përse duhet ta shohim më gjerë, më thellë, epopenë krenare të Skënderbeu­t, si themelues politik i kombit, si fenomen europian dhe paneuropia­n dhe jo i izoluar dhe jo i tradhtuar nga kultura europiane, si fakt i udhëhequr nga besime hyjnore, si pasojë dhe jo si shkak me shpatë i një tradite vendase për kulturë identitare, si fryt i intelektua­lizmit vendas, në një ritëm me kulturën më të ndritur europiane të kohës.

Jo thjesht si fakt malësorësh barinj, sikurse na ka degjenerua­r filmi sovjetik stalinist sllavofil. Jo turpin e botës ! A don ti Gjin me luftu kundër turqve? Du, si s’duuuuu! Dhe salle e errët shkrihet me lot. Por kjo kërkon rinovimin e paradigmav­e, që një grusht njerëzish i mban të ndrydhura, me anë të votimit të manipuluar, jemi ende në kohën e inkuizicio­nit, të censurës, të dogmave staliniste.

Ja përse duhet rinovuar kërkimi shkencor në Shqipëri, përtej lojërave politike dhe mefshtësis­ë dhe interesave financiare të disave që drejtojnë arsimin e shkencën. Ja përse duhet çliruar shkenca shqiptare nga thonjtë e obskuranti­zimit! Ja përse duhet bërë çmos pa asnjë oportunizë­m për ta hequr kapakun prej hekuri që ka mbyllur brenda një guve të vërtetat dhe që na pengon të jemi krenarë për atë që duhet të dimë se nga vijmë. Ne jemi bërë komb pa projekt prandaj djemtë dhe vajzat ikin.

Ja përse duhet një rithemelim i akademizmi­t shqiptar, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me hipoteza e me energji të reja intelektua­le. Përndryshe : A don ti Gjin me luftu kundër truqve? Du, si s’duuuuuuuu!

 ??  ?? Akademiku Artan Fuga
Akademiku Artan Fuga

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania