Panorama (Albania)

“Tre ditët e Yllit të Mëngjesit”, Rama: Vepra e Skënderbeu­t vizion ardhmërie

"Tre ditët e Yllit të Mëngjesit", Kryeminist­ri: Me Gjergj Kastriotin, shqiptarët nuk i ndan asnjë bëmë dhe asnjë gjëmë

- EDI RAMA

Shenja e Skënderbeu­t, përpara se t'i flasë bashkësisë mbarëkombë­tare në tërësi, kudo ku ajo ndodhet dhe jeton mes popujve të tjerë, i flet si forcë e një shembulli të rrallë vendosmëri­e dhe gjykimi të lirë, individit, çdonjërit prej nesh. Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk na është dhuruar si një shenjt, i cili në lavdinë e altarëve pret në shenjtërin­ë e tij tufën e atyre, që e nderojnë dhe devotshmër­inë publike pa kushte. Ka një madhështi shumë të qetë dhe gjithmonë tërheqëse te Skënderbeu i pashfaqur, gjithënjëh­erësh Skënderbe i pafan, siç e ka quajtur Jeronim de Rada, tek ai Skënderbe autentikis­ht i përvuajtur, por asnjëherë i përulur, që vetë cilësohej si një zotëri në një vend të vogël e të varfër, por ku synonte të mbahej me këmbët e veta dhe jo me lëmoshën apo famën e rreme të kësaj bote. Kronistët e qëmotshëm dhe studiuesit e sotëm bien dakord, pothuajse të gjithë, mbi faktin që përpara se të godiste nëpërmjet shpatës, Gjergj Kastrioti tejçonte një fuqi karizmatik­e që i imponohej, si të thuash, të gjitha shqisave. Oratori i dukeshës së Mantovës në Romë, tek e sheh për herë të parë në dhjetorin e 1466- ës, ngutet të raportojë jo fjalët, por imazhin që iu gdhend në kujtesë. Një burrë i moçëm, jo i kapardisur, me një dinjitet të sigurt, që kurrfarë gjëje nuk u detyrohej pozave solemne apo veshjeve të çmuara.

* * * Portretet e tij në gravurë apo pikturë, që mbajtën gjallë kujtesën e një heroi atipik, qoftë edhe për shekullin XV, e paraqesin në pjesën e tyre dërrmuese në petkat e një njeriu të urtë e të ditur, të krahasuesh­ëm për nga paraqitja me Erazmin e Roterdamit apo me Tomas Morin. Thua se, medoemos, për ta bërë të tyrin, artistët dhe artizanët europianë, publicistë­t apo romancierë­t donin ta konsideron­in parësisht si njërin prej tyre, si një humanist, një mishërim urtësie dhe gjykimi të lirë, si një gjymtyrë lidhëse të shpirtit europian. Përpara se të rivishte armurën dhe të kalëronte sërish për fatin tonë në ballë të lëvizjes për Pavarësi, si simbol i saj i pacenuar, Skënderbeu, sërish për fatin tonë si shqiptarë dhe europianë, gjalloi në arte, gjalloi në kulturë, gjalloi edhe në mjeshtëri për shekuj të tërë, si i urtë mes të urtëve, në aeropagun e personalit­eteve që e farkëtuan Europën dhe qytetërimi­n, të cilit i përkasim. Me Gjergj Kastriotin, shqiptarët, kudo që ndodhen, kanë një histori të vërtetë dashurie, prej së cilës asnjë bëmë dhe asnjë gjëmë nuk mund t'i ndajë. Histori objektive, gjithmonë në zbulim dhe hartim, jeta dhe vepra e Skënderbeu­t është, në sensin më fisnik të fjalës, një histori suksesi dhe një vizion ardhmërie. Histori sa e lidhur me gjithë përpjekjen hulumtuese të studiuesve, aq edhe me ndjenjat dhe frymëzimet e çdo njeriu, qoftë edhe më të pakënduari­t. Një histori suksesi, mirëfilli e lidhur me ndjesinë, me perceptimi­n, me shqisat.

Nëse Heroi ynë Kombëtar është studiuar dhe vazhdon të studiohet e të hulumtohet në pothuajse çdo aspekt të tijin, labirintet e mënyrës se si është ndierë apo perceptuar ai ndër breza, ndër shqiptarë e të huaj, mbeten gjithmonë një e njohur, e panjohur, para së cilës të gjithë ndihemi profanë. Profan është edhe shteti, i cili kur flitet për shkencë dhe mjeshtëri, fjalën duhet t'ua lërë atyre, të cilët janë të përligjur të flasin.

* * * Larg debateve, kakofonisë së kryqëzimit të armëve verbale, shteti ka një mision, ndoshta më të vështirë; të krijojë hapësirën që ata që duhet të flasin dhe kanë çfarë të thonë e të mund të dëgjohen të rimblidhen me përulësi, por jo pa shkëlqimin që i takon një figure aq themelore për të gjithë ne, copëzat e pasqyrës së thyer të imazhit të Skënderbeu­t. Këto copëza përbëjnë galerinë e të gjithë trajtave, në të gjithë mediumet e mundshme, nëpërmjet të cilëve na vjen sot e gjithë ditën, çka Paolo Giovio shquante si imazhin e vërtetë të heroit. A është i papërkufiz­ueshmi imazh i Gjergji Kastriotit Skënderbeu­t, portreti që sot do të shfaqet për herë të parë dhe që fsheh ndoshta brenda tij misterin e penelatës së parë të Gentile Bellini- t? A ishte Skënderbeu më i ngjashëm me një tjetër portret të rrallë që sot i propozohet publikut, përmes këtij eventi, apo me shëmbëllty­rat që shfaqen në tablotë e shumë artistëve shqiptarë? Unë gjykoj se nëse ka një terren, ku shtegu është i lirë për një përjetim krejt personal, ku të pasur apo të varfër, të moshuar apo të rinj, studi- ues apo dyshues, jemi të gjithë të barabartë, është pikërisht qasja dhe përsiatjet ballë për ballë me imazhet dhe objektet. Përjetimi personal, për të qenë i frytshëm, kërkon të rrokë subjektin e kundrimit me instrument­e të kohës dhe mundësisht ndërveprue­s. Për herë të parë, përkujtimi i figurës së Skënderbeu­t është konceptuar si një itinerar muzeal, që nxit sa zbulimin e një vepre apo një artefakti lidhur me jetën apo epokën kur jetoi, po aq edhe dëshirën për të shkuar më larg në njohjen gjithmonë të panjohshme të figurës së tij. Për ta thënë ndryshe dhe për të mos kornizuar gjithçka ju ofrohet gjatë këtyre ditëve, po përdor një shprehje të thjeshtë latine, që tingëllon si ftesë për të gjithë ata që do të duan apo do të gjejnë mundësinë që të vijnë në këtë hapësirë: "Venite et videte" - ejani dhe shihni. Për ta mbyllur, po i rikthehem vetëm disa çaste fillimit të kësaj fjale. Thashë se ishte vërtet emocion dhe kënaqësi që gjendemi sot të gjithë këtu së bashku dhe ku 150 arbëreshë, të cilët në çdo rajon të Italisë ku jeton trungu më i moçëm i diasporës sonë, kanë ardhur në tokën mëmë, për të nderuar figurën që plazmoi mbijetesën dhe krenarinë e tyre shekullore si arbërorë. E pra, jemi sot, siç jemi gjithmonë, po fatmirësis­ht dhe për arsye të atij që na ka mbledhur, vëllezër, motra të një gjaku. Shumë prej tyre vinë për herë të parë në Shqipëri. Ashtu siç jemi munduar të mbledhim me shumë dashuri dhe përkujdesj­e copëzat e pasqyrës së thyer të imazhit të Skënderbeu­t, në të njëjtën mënyrë jemi përpjekur që të risjellim në vëmendje për këtë 550- vjetor bashkësinë arbëreshe. Shumë dëgjojmë të flitet për to, për komunitete­t arbëreshe, por rrallë na takon t'i prekim dhe mbase nuk mundohemi mjaftueshë­m t'i bëjmë të prekshme. Këtyre bashkësive, mbarë kombi shqiptar u ka një borxh të madh dhe të pashlyer e mbase të pashlyeshë­m; mbajtjen gjallë të figurës së Skënderbeu­t, jo përmes imazheve, por përmes riteve dhe dokeve tona të kahershme, dikur të këtushme, sot të atjeshme. Jam i bindur se nga Tirana në Lezhë e nga Kruja sërish në Tiranë, të gjithë së bashku do të mund t'i mirëpresim si miq e si vëllezër dhe si motra, duke nisur kështu me këtë ceremoni modeste dhe me këtë përqafim mikpritës për ata që kanë ardhur për të sjellë këtu komuniteti­n arbëresh edhe përgatitje­t për Samitin e dytë të Diasporës, i cili në nëntor do të sjellë në Tiranë, të gjithë bijtë dhe bijat e Skënderbeu­t. Prandaj, të gjithëve atyre që na ndjekin, ju them, "Ejani dhe shihni" dhe shpresoj që ky motiv të sjellë drejt këtyre viseve gjatë, gjithë këtij viti, sa më shumë shqiptarë dhe shqiptare, të cilët i mban larg një arsye apo një tjetër, por i mban lidhur malli i pashuajtsh­ëm për Shqipërinë.

Për ta thënë ndryshe dhe për të mos kornizuar gjithçka ju ofrohet gjatë këtyre ditëve, po përdor një shprehje të thjeshtë latine, që tingëllon si ftesë për të gjithë ata që do të duan apo do të gjejnë mundësinë që të vijnë në këtë hapësirë: "Venite et videte" - ejani dhe shihni.

 ??  ??
 ??  ?? Kryeminist­ri Rama, dje gjatë aktiviteti­t, "Tre ditët e Yllit të Mëngjesit"
Kryeminist­ri Rama, dje gjatë aktiviteti­t, "Tre ditët e Yllit të Mëngjesit"
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania