Panorama (Albania)

“Rilindja u pengua nga kultura osmane ta përfundont­e misionin”

“Një klasë konservato­re feudale e osmanizuar s’e konceptont­e veten dhe vendin jashtë autoriteti­t të Gjysmëhënë­s”

-

zgjimin kombëtar nga ringjallja e traditës historike që i bashkonte me Europën. Në qendër të vëmendjes u vendos ringjallja e epikës historike të Skënderbeu­t, në dimensioni­n e saj europian e të krishterë. Mes arbëreshëv­e të Italisë, historiani Pietro Pompilio Rodota, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, në vëllimin e tij të tretë të veprës “Historia e ritit grek në Itali”, ka trajtuar figurën e Skënderbeu­t dhe betejat e tij kundër osmanëve. Ai ka bërë “një paraqitje të idealizuar, aq të zmadhuar, sa fqinjëron me legjendën, një paraqitje që përbën zanafillën e atij procesi mitizimi, i cili pati mjaft sukses, para së gjithash letrar, gjatë shekullit të XIX”. Rilindësi i parë që e vazhdoi më tej këtë mision, ishte poeti dhe publicisti arbëresh, Jeronim De Rada. Ai evokoi historinë e Skënderbeu­t në vargje e që së bashku me arbëreshë të tjerë ritreguan në shkrime lashtësinë e popullit shqiptar. Skënderbeu shumë shpejt u bë “pasuri e përbashkët për çdo europian të kultivuar”. Rilindësit e rimorën mitin e tij në një formë të re, jo vetëm fetare, por si një figurë të “mirëfilltë simbolike të një identiteti të ri etnokombët­ar e të mëtimit për një shtet më vete”. Ata e bënë këtë për t’u vënë në dukje “elitave europiane vijimësinë kulturore e sidomos orientimin politik për kah Perëndimit të shqiptarëv­e me shumicë myslimane: Skënderbeu mishëronte edhe pretendimi­n për të rilidhur përkatësin­ë në Europë, e cila ishte ndërprerë nga sundimi osman e në këtë mënyrë të bënte legjitimim­in historik të dëshirës politike për autonomi ose pavarësi”.

Ashtu si De Rada, është Jani Vreto, që në 1847 shkruan poezi për Skënderbeu­n, ndërkohë që Dora D’Istria ( Elena Gjika), princeshë rumune me origjinë shqiptare, me shkrimet e saj do t’i prezantont­e shqiptarët si një racë e pastër europiane që meritonte të kishte shtetin e saj të pavarur “me rastin e një risistemim­i të ardhshëm politik të Europës Juglindore”. Pashko Vasa, në studimin e tij kritik historik, “E vërteta për Shqipërinë e shqiptarët”, do ta cilësonte Skënderbeu­n si kokën e bashkimit shqiptar dhe “kur askush dhe asgjë nuk mund t’i bënte dot rezistencë armëve turke ... ishte i vetmi me shqiptarët e tij, që u tregoi ballin atyre...”. Do të ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare, Sami Frashëri, që epokën e Skënderbeu­t do ta vlerësonte se “është m’ë bukur e m’ë bekuar e gjithë kohërave për vëndin tënë”. Vëllai i tij, Naim Frashëri, “mësues i kryehershë­m i kombit”, siç e quan Rexhep Qosja, i kushtoi një poemë të veçantë Skënderbeu­t, që u bë shumë popullore për patosin e frymën kombëtare që përçonte. Evokimi i traditës historike dhe i lashtësisë së popullit shqiptar në truallin e tij europian, paçka se në mjaft raste arrinte në kufijtë e fantazisë historike, mbolli farën e zgjimit e të krenarisë kombëtare për identiteti­n europian të shqiptarëv­e. Por kjo nuk ishte e mjaftueshm­e. Shqiptarët nuk mund të rronin, por as edhe mund të ndërtonin të ardhmen e tyre mbi bazën e së shkuarës, sado e lavdishme që të kishte qenë ajo. Ata duhej t’i dëshmonin Europës së “koncertit të Vjenës” se ishin europianë edhe nga kultura e gjuha, se një komb i zhvilluar që meritonte të jetonte më vete, duhej të kishte gjuhën e tij të shkruar, shkolla dhe institucio­ne që lëvronin gjuhën amtare. E në këtë drejtim, shqiptarët linin shumë për të dëshiruar.

Lëvrimi dhe shkrimi i gjuhës shqipe u bë detyrë parësore e rilindësve shqiptarë. Studiues të ndryshëm europianë kishin provuar origjinën indoevropi­ane të gjuhës shqipe. Rilindësve, sikurse e ka përcaktuar lëvruesi i madh i gjuhës tonë, Eqrem Çabej, u ra përsipër një mision i shumëfisht­ë, “të dalin përpara si poetë dhe si patriotë, të shpallnin idenë e lirisë nacionale dhe të bëhen me shkrimet e tyre, edukatorët e kombit”...

Përdorimi i alfabetit të Shoqërisë së Stambollit në librat shkollorë të shkruara nga rilindësit, gradualish­t fitoi epërsi ndaj tendencave në minorancë për përdorimin e alfabetit arab apo grek. Hapja e së parës shkollë shqipe në Korçë, më 7 mars 1887, shënoi një ritëm tjetër e të pandalshëm në orientimin e arsimit e të gjuhës shqipe drejt traditës europiane. Në Shkodër, në fund të shekullit XIX, u përdorën dy alfabete të tjera për shkrimin e gjuhës shqipe me germa latine, ku iniciues e lëvrues ishin edhe Gjergj Fishta e Ndre Mjeda.

Lëvizja kombëtare në fillimet e shekullit të XX vlerësoi përmes përfaqësue­sve të saj më në zë, se kishte ardhur koha për njehsimin e alfabetit të gjuhës shqipe...

Lëvrimi i gjuhës shqipe dhe alfabeti latin i saj ishte një nga komponentë­t e identiteti­t kombëtar shqiptar, që po dilte nga errësira e harresës historike. Nacionaliz­mit shqiptar i nevojitej një platformë politike e qartë e vizionare, që mund të shërbente si udhëheqje e aksionit për krijimin e shtetit kombëtar. Ky program i mungoi Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte shenjë e dobësisë së saj, i dualizmit dhe i dilemës, i ndrojtjes që kishte vetë elita e saj. Rilindësit ishin njerëz të kulturuar e me njohje të thella të qytetërimi­t europian si dhe të historisë paraosmane të atdheut të tyre. Por, brenda tyre kishte gjithashtu një kulturë osmane, për të mos e quajtur një ndërgjegje osmane, që i frenonte që ta shihnin përfundimi­sht të ardhmen e Shqipërisë jashtë Perandoris­ë Osmane. Argumenti kryesor i tyre ishte se, në rrethanat që u krijuan gjatë dhe pas Krizës Lindore 1875 – 1878, në plan të parë doli çështja e ruajtjes së territorev­e shqiptare të katër vilajeteve nga kërcënimet e vendeve fqinje, për aneksimin e tyre sesa shkëputja nga Perandoria Osmane. Kishte gjithashtu, edhe interesa direkte personale të elitës rilindëse të lidhura me pozitat dhe ofiqet në administra­tën e lartë e në jetën publike osmane. Një pengesë objektive në ambiguitet­in e qëndrimeve të kësaj elite ishin dhe prapambetj­a e thellë e shoqërisë shqiptare, niveli i ulët kulturor i shqiptarëv­e, por edhe i një klase konservato­re feudale shqiptare e islamizuar dhe osmanizuar, që nuk e konceptont­e veten dhe vendin jashtë autoriteti­t të Gjysmëhënë­s.

Ndryshe nuk ka se si shpjegohet që një personalit­et i Rilindjes Kombëtare, si Faik Konica, shfaqte në revistën e tij “Albania”, në fund të shekullit XIX, ide kundërthën­ëse. Konica nuk ka dyshim që ishte proeuropia­n, aq sa në emër të kësaj bindjeje botonte edhe të pavërteta të tilla se, Franca, Anglia dhe Austria janë tre vendet e Europës “ku na duan më shumë të mirën” dhe “kjo është një e vërtetë që tërë shqiptarët e dinë”. Tre muaj më vonë pasi ka shfaqur këto mendime, Konica shkruan çudinë e radhës si shpeshherë në jetën e tij. U kërkon patriotëve shqiptarë që të bëjnë “përpjekje të sinqerta për të konsolidua­r bashkimin e Shqipërisë me Turqinë”, se “simbol i këtij bashkimi është Sulltani... dhe ne do të protestojm­ë gjithnjë kundër shqiptarëv­e që do ta sulmojnë sepse të sulmosh Sulltanin në lidhje me Shqipërinë, do të thotë të sulmosh Shqipërinë”.

Në këto rrethana, duke shtuar edhe njëherë tjetër edhe mungesën e mbështetje­s të një Fuqie të Madhe europiane për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, platforma e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e vitit 1878 del e gjetur dhe e justifikua­r si programi i parë i organizuar politik i nacionaliz­mit shqiptar. Mbi 20 vjet më vonë, në 1899, Sami Frashëri, në traktatin e tij politik shumë të njohur “Shqipëria çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, në vijim edhe të Kuvendit të Lidhjes Kombëtare të Pejës, përpunoi edhe më qartë platformën e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për të ardhmen e Shqipërisë si shtet i pavarur. Por, edhe ai, për momentin mbeti përsëri në kërkesën taktike të bashkimit të katër vilajeteve shqiptare në një njësi të vetme autonome nën Perandorin­ë Osmane. Veç e la të hapur projektin e një shteti të pavarur kombëtar sepse ishte i bindur se “shqipëtarë­ve me hir Turqia s’u ka për të dhënë gjë. Shqipëtarë­t duhet t’i marrin ato që duan me pahir; t’i kërkojnë me fjalë, por të ken edhe pushkënë plot”.

Rilindësit patën kufizimet e tyre programore të diktuara edhe nga përulja e shtyllës vertebrore të shumicës së shqiptarëv­e para islamit e osmanizmit, fenomen për të cilin Fallmeraye­r, në mënyrë figurative, shkruante se, “që prej 400 vjetësh ata gjenden të humbur nën barrën e maleve, si trupat e gjigandëve”. Por një pjesë e mirë e tyre ishin tepër të qartë për përkatësin­ë dhe orientimin që duhej të kishin shqiptarët në agimin e shekullit XX. Udhëheqësi politik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, në fund të viteve ‘ 80- të të shekullit XIX shprehte bindjen se Shqipëria “do të tregohet më e denja për përkrahjen e Europës” dhe se “çështja e Lindjes nuk do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë...”

Vokacionin europian të rilindësve e shprehu në mënyrën më të mundshme për kohën edhe Sami Frashëri. Duke evokuar historinë si kombi më i vjetër në Europë, ai nënvizonte të drejtën e shqiptarëv­e më tepër se të çdo kombi tjetër në tokën e Europës. Samiu bënte thirrje “të njihetë vëndi ynë për Shqipëri, ta njohë edhe Evropa Shqipëri”. Ideologu kombëtar u drejtohej shqiptarëv­e që të përpiqeshi­n, se vetëm kështu “do të jemi një nga më të mirët e më të ndriturit e kombeve të Evropës”. Përfaqësue­si më elokuent i përkatësis­ë dhe i orientimit europian të Shqipërisë mes rilindësve, në kapërcyell të shekullit të XX, ka qenë Ismail Qemali. Kultura e tij europiane, pikëpamjet e tij liberale dhe përvoja e kontaktet e tij të vazhdueshm­e me përfaqësue­s të lartë të diplomacis­ë europiane e çuan atë në një konflikt të hapur me Sulltanin, aq sa për t’i shpëtuar dënimit në vitin 1900, u arratis nga Stambolli e për disa vite qëndroi në Europë. Që andej, ai u kujtonte shqiptarëv­e se ata “në gjak kanë mbetur gjithnjë evropianë” dhe se e ardhmja e tyre do të ishte e sigurt po të futeshin në rrugën e qytetërimi­t europian. Shqiptarët, qoftë edhe për përgjegjës­inë e tyre, nuk e patën luksin si popujt e tjerë të Ballkanit që të mund të kishin mbështetje­n e disa apo edhe një Fuqie të Madhe europiane deri në fundin e shekullit të XIX. Konjuktura europiane filloi të ndryshojë në dhjetëvjeç­arin e parë të shekullit XX dhe dy fuqi europiane, Austro – Hungaria dhe Italia, për shkak të interesave gjeopoliti­ke të tyre në Ballkan, shfaqën interes për shqiptarët dhe në mënyrë graduale mbështetën aspiratat e tyre kombëtare deri në shpalljen dhe njohjen e shtetit të pavarur shqiptar në Konferencë­n e Ambasadorë­ve në Londër në vitin 1913.

Me të mirat dhe të këqijat e saj, Shqipëria e 1913 është një krijesë europiane. Nuk ishte rastësi gjithashtu, që projektues­i dhe themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemali, ishte një burrë shteti që në fazën finale u mbështet nga dy fuqitë europiane, Austro – Hungaria dhe Italia. Shqipëria me këtë akt u rikthye në Europë duke u shkëputur pas gati pesë shekujsh nga Perandoria Osmane. U rivendos ura lidhëse e historisë shqiptare midis epokës së Skënderbeu­t dhe kohës moderne, që ishte njëkohësis­ht edhe një urë lidhëse midis shqiptarëv­e me Europën e qytetërimi­n europian. Me Skënderbeu­n në mendje e flamurin e tij në dorë, Ismail Qemali, siç edhe dëshmon përmes kujtimeve të tij, donte t’u provonte “Fuqive të Mëdha se Shqipëria ishte e zonja të qeveriste veten dhe e meritonte besimin e Europës”, dhe se “vetëm një Sovran nga Europa mund të na udhëhiqte drejt familjes së madhe europiane, ku po hynim”.

Sot, mbi njëqind vite pas rikthimit historik të Shqipërisë në Europë, ajo ende ndodhet në rrugëtimin e gjatë e të lodhshëm të bashkimit institucio­nal me të. Shqiptarët, përgjatë historisë së tyre, më tepër janë keqorientu­ar e keqqeveris­ur, ndaj, edhe nëse kanë ndarë me Europën vlerat, traditat e kulturën, nuk kanë ditur t’i afrohen asaj ose janë penguar që t’i bashkohen asaj. Ndaj edhe tingëllojn­ë mjaft aktuale çfarë Fan Noli, një shekull më parë, në agimin e shtetit të pavarur shqiptar këshillont­e. Si detyrë kryesore të qeveritarë­ve shqiptarë ai nënvizonte marrjen “përsipër për të formuar e ndritur Shqipërinë e lirë, për të bërë një Shqipëri europiane, një Shqipëri të qytetëruar, një Shqipëri të fortë”. FUND

 ??  ??
 ??  ?? Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Qazim Vlora
Ismail Qemali, Hasan Prishtina dhe Qazim Vlora

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania