Panorama (Albania)

U lirua nga Apeli, nis procesi gjyqësor ndaj Domart Konjarit

Kërkohet në Francë për trafik droge e organizatë kriminale

-

Gjykata e Krimeve të Rënda nisi ditën e djeshme shqyrtimin gjyqësor ndaj Domart Konjarit.

Ky i fundit është në arrati dhe akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombët­ar droge” dhe “krijimi i organizata­ve kriminale”. Në seancën e djeshme, Gjykata i konsideroi të ezauruara procedurat ligjore për njoftimin e të pandehurit në lidhje me procesin. Që prej vitit të shkuar, seancat ndaj tij shtyheshin. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës kërkoi në seancën e djeshme që çështja të transferoh­ej në Francë. Por Gjykata e Krimeve të Rënda e refuzoi këtë kërkesë, duke vijuar procedimin në Shqipëri në mungesë të të pandehurit. Domart Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoritete­ve franceze. Mirëpo, pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjej­e”. Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritete­t franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtari­të e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë,

Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani. Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarj­es së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 42- vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë. Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”. Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëve­shje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku. LIRIMI I KONJARIT Lirimi i Domart Konjarit nga ana e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda solli edhe një përplasje mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadori francez në Shqipëri, në atë kohë reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare. Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë për vendimin e Apelit, duke nisur një inspektim për mënyrën se si u ndryshua masa e sigurisë ndaj Konjarit. Por megjithatë, Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2016, i dha të drejtë Apelit të Krimeve të Rënda duke rrëzuar rekursin e Prokuroris­ë.

 ?? Domart Konjari ??
Domart Konjari

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania