Panorama (Albania)

Ipeshkvijt­ë: Skënderbeu s’i takon një feje, falë burrave si ai jemi të lirë

“Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij”

-

MESAZHI I PLOTË Fort të dashur, Kur, para pesëdhjetë viteve, shqiptarët, të shpërndarë në shumë vende, kremtonin pesëqind vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papa Pali VI shkroi një letër, në të cilën tha se Skënderbeu “... ishte biri i lavdishëm i një toke, që pati fatbardhës­inë të ishte pjesë e programit apostolik të Shën Palit, ku ai mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit”. Dhe vazhdoi: “Pararendës­it tanë e mbuluan me elozhe më tepër se çdo hero të asaj epoke. Ai arriti të ruante për njëzetepes­ë vjet prej pushtimit atdheun e tij, i cili ishte pika më e brishtë e sistemit mbrojtës të krishterim­it. Për këtë arsye, pararendës­i ynë, Kaliksti III, duke pasur parasysh devocionin dhe atashimin ndaj Selisë apostolike të këtij kapedani, tha për të, me të drejtë, se ‘ ai kishte merituar më shumë nga të gjithë princat katolikë lëvdata për nder të besimit dhe fesë katolike’”.

550- vjetori i vdekjes së tij është një rast reflektimi rreth ndjenjave të atdhedashu­risë dhe sidomos, të aspiratave të lirisë së popujve dhe të njeriut si individ. Liria është ndër të drejtat më thelbësore të një populli, të grupeve shoqërore dhe të individëve. Thënia lapidare që i atribuohet Skënderbeu­t në momentin e mbërritjes së tij në trojet arbërore, se lirinë nuk e kishte sjellë, por e kishte gjetur aty, tregon se liria i rri natyrshëm çdo njeriu dhe çdo populli. Çdokush që lufton për lirinë e një populli, në fakt, promovon atë çka i përket në thelb natyrës njerëzore dhe që e bën bashkëjete­sën njerëzore më të mundshme dhe të bukur.

Ne duam të falënderoj­më Zotin që, falë burrave dhe atdhedashë­sve si Skënderbeu, sot kemi lirinë, kemi një atdhe. Në një kohë, e cila ndryshon shumë nga e sotshmja, ai, me shumë kurajë e forcë, i bëri ballë njërës prej perandoriv­e më të forta e gjakatare të kohës. Sikurse pati thënë Papa Pali VI: “Shekulli XV qe për kombin shqiptar një prej periudhave më të vështira, por edhe më të lavdishme të historisë së tij ... Qëndresa e shqiptarëv­e përreth një çerek shekulli, qe e guximshme dhe fitimtare, mbi të gjitha, falë vlerës dhe zotësisë së kryezotit të tyre, Gjergj Kastrioti Skënderbeu­t.”

Skënderbeu nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtëror­e, as u josh nga pushteti që i jepej. Si i tillë, Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithëve atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brendshme, për të cilën ia vlen çdo sakrificë.

Përvoja e popullit tonë, edhe pse e vuajtur në shumë momente, ka qenë një përvojë e kërkimit të lirisë. Tani është koha që kësaj lirie t’i japim cilësi me angazhimin tonë në kërkimin e drejtësisë, të së vërtetës dhe të Shpirtit të Zotit.

Vëllezër e motra, ndërsa falënderoj­më Kryeminist­rin për shpalljen e një Viti jubilar për Gjergj Kastriotin Skënderbeu­n, i drejtojmë vetes këto pyetje:

Sot, a ndihemi vërtet të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë?

Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë, që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot, kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabart­ë i shoqërisë tonë, korrupsion­i, analfabeti­zmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmëri­e” dhe “meritokrac­ie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë.

Duam të mbarojmë këtë letër duke iu referuar edhe një herë letrës së Papës Pali VI, ku thotë: “Me një besim të ripërtërir­ë, thërrasim të ndërmjetës­ojë, në rrethanat e tashme, Zojën e Këshillit të mirë, e cila, qysh prej vdekjes së Skënderbeu­t, nderohet në Genazzano dhe që shqiptarët e njohin dhe e lusin nën emërtimin e Zojës së Shkodrës.”

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania