Panorama (Albania)

Kumbaro pranon takimin, artistët: E presim në Teatër

Altin Basha: Peticioni ka 4000 firma, s’është më një shaka

-

Artistët i kërkojnë ministres Mirela Kumbaro takim në ambientet e Teatrit Kombëtar.

Dje, Sindikata e Teatrit Kombëtar zhvilloi një takim në hollin e TK- së. Edhe pse ishte menduar që takimi të zhvillohej në sallën e shfaqjeve, kjo nuk ndodhi, pasi dera ishte e mbyllur. Më në fund, artistët vendosën ta zhvillojnë takimin në hollin e institucio­nit. Të pyetur se përse nuk janë lejuar në sallë, drejtori i TK- së, Hervin Çuli, u shpreh se nuk kishte marrë asnjë kërkesë zyrtare nga ana e organizato­rëve të këtij takimi, për më tepër që dita e hënë dhe e martë janë pushim për administra­tën e TK- së. Sipas tij, edhe më herët sindikata dhe SASE kanë zhvilluar mbledhje në ambientet e TK- së dhe nuk do të kishin pasur asnjë kundërshti­m, nëse do të kishin bërë më herët një kërkesë.

TAKIMI

Në takimin e djeshëm, veç aktorëve të Teatrit Kombëtar, krijues të pavarur, merrnin pjesë edhe aktorë të Teatrit të Kukullave, madje edhe nga teatrot e rretheve, të cilët shprehën solidarite­tin me aktorët e TK- së. Regjisori Altin Basha dha lajmin e mirë, se Ministria e Kulturës ka pranuar takimin me një përfaqësi të artistëve në ambientet e Ministrisë, por ai propozoi që takimi të zhvillohej në të njëjtën orë dhe në të njëjtën ditë në Teatrin Kombëtar. "Të vijë në këtë sallë, që shpresojmë që atë ditë të jetë e hapur, pasi për këtë bëhet e gjitha. Madje ftojmë edhe mediat e publikun, sepse s'ka më mirë se transparen­ca dhe transparen­cë deri tani nuk ka pasur. Teatri nuk është as i ministres dhe as i drejtorit", tha Basha. Sipas tij, tashmë çështja ka marrë përmasa të mëdha dhe nuk bëhet fjalë për një shaka. "Peticioni ka njohur 4 mijë firma dhe askush nuk mund të bëjë si i mosditur apo i keqkuptuar. Është folur për 500 e- maile ku është dërguar projektlig­ji, por asnjërit prej artistëve këtu nuk i ka ardhur ndonjë e- mail. Të na ndihmojë media t'i gjejmë 500 njerëzit që u kanë vajtur e- mailet", ironizoi Basha. Regjisori dhe dramaturgu Stefan Çapaliku propozoi që të bëhet një kërkesë pranë Parlamenti­t Shqiptar për një amendament që të parashikoj­ë që titullari i teatrit të zgjidhet nga komuniteti artistik. Për aktorin Neritan Liçaj, ky është momenti për t'i zgjidhur të gjitha problemet dhe nuk duhet shtyrë më tej, me logjikën e plotësimit të disa kërkesave dhe për t'iu rikthyer më vonë. "Kam 15 vjet që luftoj për një ligj më të mirë, një strukturë më të mirë... Është momenti i zgjidhjes", tha Liçaj. E pranishme në takim ishte edhe aktorja e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti. Ajo ndau shqetësime­t e kolegëve të saj, që, sipas aktores, "janë të frikësuar për vendin e punës dhe për bukën e gojës. Në Teatrin e Kukullave ka plasur skandali dhe ne nuk e dimë nga kush drejtohemi. Arroganca e një drejtoresh­e të paaftë vazhdon edhe sot". Regjisori Robert Budina iu bashkua takimit. Ai i bashkëngji­ti shqetësime­ve të parafolësv­e atë të kineastëve, të prekur nga ndryshimet në Ligjin për Artin dhe Kulturën. Sipas Budinës, "politika si e majtë apo e djathtë ka qenë indiferent­e ndaj artit dhe kjo ndoshta edhe për fajin tonë që s'kemi qenë të mirëorgani­zuar. Është momenti që politika të kthejë sytë nga arti, sepse politika shkon e vjen, ndërsa njerëzit e artit mbeten aty, për ta çuar vendin përpara". Në përfundim, artistët i bënë një thirrje të hapur ministres Kumbaro të pranojë ftesën e tyre për ta zhvilluar takimin në sallën e Teatrit Kombëtar. Ndërkaq, dje, në ambientet e Ministrisë së Kulturës, ministrja Kumbaro ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të skenës së pavarur, të cilët kanë ngritur problemet e fondeve, projekteve dhe projektlig­jit.

 ??  ?? Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania