Panorama (Albania)

Përplasja me armë, plagoset “armiku” i Shullazit

Valmend Pelivani u qëllua në 2015 nga vëllai i Gilmando Danit

- ETLEVA DELIA

Dy persona mbetën të plagosur mesditën e djeshme në Selitë të Tiranës, pas një përplasjej­e me armë që ndodhi para një lokali.

Policia tha se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa është shpallur në kërkim autori i dyshuar, i cili menjëherë pas ngjarjes është larguar me makinë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12: 30, ndërsa të plagosurit janë Valmend Pelivani, 27 vjeç, që tashmë e kishte ndryshuar emrin në Gjon, si dhe miku i tij, Renato Hoxha, 31 vjeç, që mësohet se është qëlluar aksidental­isht. Burimet thanë se i dyshuari është Florian Musai, pronar i lokalit para të cilit ndodhi ngjarja. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes Musait dhe Pelivanit. Ky i fundit ka shkuar te lokali i të dyshuarit për t’u sqaruar në lidhje me një sherr që kishte pasur me miqtë e tij. “Pse je zënë me shokët e mi?”, kjo ka qenë pyetja që ka nxehur gjakrat mes të rinjve. Fillimisht kanë debatuar me tone të ashpra, fyerje e kërcënime, më pas kanë nxjerrë armët. Burimet thanë se Musai dyshohet se ka qëlluar për t’i larguar personat që i kishin shkuar para lokalit, pasi plumbat i kanë goditur në këmbë të dy të plagosurit. Policia tha se ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe po punon për kapjen e autorit. Ndërsa dy të plagosurit ndodhen në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.

I PLAGOSURI Njëri nga të plagosurit, 27vjeçari Valmend ( Gjoni) Pelivani, nuk është një emër i panjohur për Policinë e Tiranës. Në vitin 2015 ai u bë protagonis­t i dy ngjarjeve, në fillim dhe në fund të vitit. Një herë si i dëmtuar dhe më pas si autor i një ngjarjeje, për të cilën edhe u arrestua bashkë me një polic burgjesh. Në janar të vitit 2015, Pelivani mbeti i plagosur në ambientet e një qendre tregtare te “Rruga e Kavajës”, ngjarje për të cilën u arrestua vëllai i Gilmando Danit, një prej miqve më të afërt të Emiljano Shullazit. Orges Dani dhe dy persona të tjerë u arrestuan më 19 janar të vitit 2015, ndërsa Gilmando Dani u shpall në kërkim për tentativë vrasjeje. Vetë i dëmtuari, Valmend Pelivani, nuk kallëzoi me emra autorët që e kishin qëlluar, duke pretenduar se nuk i njihte. Më vonë, në dhjetor të po të atij viti, Pelivani arrestohet nga Policia e Tiranës, bashkë me një polic burgjesh, pasi u dyshuan se kishin kërcënuar me armë 26- vjeçarin Edison D. Ky i fundit është futur rastësisht në një lokal birrari, te “Rruga e Kavajës”, ku Pelivani bashkë me 15 miqtë e tij, kishin prenotuar dhe po festonin një ditëlindje. Fillimisht, autorët e kanë pyetur për emrin, nëse ishte ai personi që dyshonin apo jo. Në momentin kur si përgjigje kanë marrë: “Çfarë të duhet ty?”, Peli- vani ka vënë dorën në brez duke ngritur paksa trikon, aq sa për të treguar se kishte një pistoletë. I dëmtuari është frikësuar, kur veç tij, ka parë edhe një person tjetër që po ashtu mbante një pistoletë në brez, që rezultoi të ishte polic burgjesh dhe e mbante me leje. Kaq ka mjaftuar që Edison D. të largohej nga lokali dhe të lajmëronte Policinë në Sallën Operative.

 ??  ?? Vendi ku ndodhi ngjarja
Vendi ku ndodhi ngjarja
 ??  ?? Policia në vendin e ngjarjes
Policia në vendin e ngjarjes

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania