Panorama (Albania)

Buka e përditshme

- EDMOND TUPJA

Me bukën e përditshme, me mënyrën se si ta fitojë atë ndershmëri­sht, merret shqiptari i ndershëm tek bën një punë të ndershme në këtë shtet ku pandershmë­ria është po aq e përditshme saqë, mjerisht, është ngritur në piedestal dhe, më keq akoma, në sistem. Pikërisht për bukën e përditshme, ndër shekuj, i është drejtuar denbabaden besimtari shqiptar Perëndisë me fjalët “Ati ynë që je në qiell, bukën e...

përditshme falna sot!” sa herë që ulej me familjen për të ngrënë mëngjes, drekë e darkë. Ne, shqiptarët, jemi aq të lidhur me bukën, këtë ushqim ende thelbësor, saqë themi rëndom “të hash bukë” në kuptimin të ushqehesh duke ngrënë tri vakte në ditë ( anipse sot ka plot njerëz që hanë jo rrallë vetëm një herë në ditë). Dikur, le të themi para dyzet vjetësh, në frëngjisht­e thuhej “gagner son pain à la sueur de

son front”, pra, siç shprehemi edhe ne shqiptarët, “ta fitosh bukën e gojës me djersën e ballit”, kurse sot kjo shprehje, gjithmonë në frëngjisht­e, pra, ka pësuar një ndryshim të vogël ngaqë fjala “bukë” është zëvendësua­r me fjalën “biftek”. Gjithsesi, sot e kësaj dite, ne, shqiptarët, kur betohemi për diçka, themi natyrshëm “Për atë bukë!” ose “Pasha bukën!”, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” ( Tiranë, 2006), por sot, në vartësi të ushqimit apo të pijes që kemi përpara, na qëllon të betohemi me formula të tilla të improvizua­ra si “Për këtë kafe!”, “Për këtë raki!”, “Për këtë sallam!”, “Për këtë krap!”, për “Këtë trangull!” apo “Për këtë rrush!”

Sidoqoftë, këto pesë- gjashtë vitet e fundit, sa herë që shkoj të blej bukën e përditshme në furrën pranë, vë re një dukuri të re, të dhimbshme sa s’bëhet më: buka e vjetër, sidomos e zeza, ajo e një dite më parë, e quajtur “e nden- jur” ose më vrazhdë “bajate”, blihet përherë e më shumë nga të varfrit sepse kushton rreth dy herë më pak. Blerësit janë jo vetëm fshatarë, të cilët dikur thoshin se e blinin për lopët, kurse sot heshtin kur i pyet, por edhe qytetarë, kryesisht pensionist­ë apo të papunë, të cilët nuk mbajnë lopë në shtëpi dhe që gjithashtu heshtin. Është një heshtje e dhimbshme, por, gjithsesi, dinjitoze: nuk është turp të jesh i varfër dhe i papunë në një shtet, që ka premtuar rilindje të shoqërisë shqiptare dhe hapje vendesh pune për të gjithë, por që premtimet i ka lënë t’i marrë era e harresës sepse, siç thotë populli ynë i urtë, i urtë sa më nuk bëhet, u ka marrë koka erë. Mirëpo, populli ynë, i njëjti, ka megjithatë disa fjalë të urta që po marr mundimin e guximin t’ua kujtoj shtetarëve tanë kryelartë si, për shembull: “Mos i bjer bukës me këmbë ( se do të hash veten me dhëmbë!)”; “Mos ha bukën e përmbys kupën ( se u ngjall të tjerëve krupën!)”; “Buka që thyhet, s’ngjitet më ( se populli një ditë notën e nofkën ta vë!”). Sigurisht, sa për dijeni të lexuesit tim të vëmendshëm e të ndjeshëm ndaj të ngjashmëve të tij, fjalitë midis kllapash janë plotësime nga mendja e dora ime, por jo thjesht për efekt rime.

Së fundi, dukurinë e lartpërmen­dur të bukës bajate me gjysmë çmimi, e kanë vënë re edhe miqtë e mi Aqif Qifa, Vangjel Lezeti e Françesk Armadhi, të cilët, kur mblidhen për të pirë ndonjë gotë të shoqëruar me ndonjë meze dhe papritmas shohin të shfaqet – oh, ç’lumturi! – në ekranin e televizion­it fytyrën e Kryetarit të Kuvendit e Kryetarit të Këshillit të Ministrave apo të ndonjë Kryetari tjetër, qoftë ky i ndonjë rangu më të ulët, luten seriozisht duke u çuar në çast e duke thënë njëzëri, me dorë në zemër, jo më “Ati ynë që je në qiell, bukën e përditshme falna sot!”, por “Kryetari ynë që të kemi përmbi kokë, qejfin e përditshëm falna sot!”, ndërsa kur nuk janë bashkë, pra, kur ndodhen diku vetëm ose me njerëz të tjerë, betohen, sipas vendit, momentit e kuvendit dhe sipas mezeve që kanë përpara, duke deklaruar solemnisht dhe hijerëndë: “Për atë Kryetar!” ose “Pasha Kryetarin!”.

Këto pesë- gjashtë vitet e fundit, sa herë që shkoj të blej bukën e përditshme në furrën pranë, vë re një dukuri të re, të dhimbshme sa s’bëhet më: buka e vjetër, sidomos e zeza, ajo e një dite më parë, e quajtur “e ndenjur” ose më vrazhdë “bajate”, blihet përherë e më shumë nga të varfrit sepse kushton rreth dy herë më pak

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania