Panorama (Albania)

Bulqiza 70 vite minierë, italianët e transporto­nin kromin me mushka

Shtatëdhje­të vjet më parë nisi puna me vetëm tetë punëtorë nga Rubiku dhe 13 nga Bulqiza, që i dhanë emrin minierës së kromit

-

Shtatëdhje­të vjet më parë, në "Ahishtën e madhe" të Malit të Duriçit, shpërthimi i parë i minave që thërrmonin shkëmbin e gurit me xixa sinjalizoi fillimin e punës për nxjerrjen e mineralit të çmuar të kromit në Bulqizë.

18 shkurti i vitit 1948 shënon kështu krijimin zyrtarisht të minierës më të madhe të kromit në vend. Pikërisht mbi luginën e Vajkalit, e cila në analet e historisë tonë kombëtare ka hyrë si një nga sheshbetej­at kryesore kundër pushtuesve turq, të udhëhequra nga Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, miniera e sapokrijua­r do ta bënte edhe më të njohur këtë luginë ku do të hidhte shtat qyteti minator në prehër të maleve, nga thellësia e të cilave do të nxirreshin mbi 15 milionë tonë krom. ( Në vitin e parë të punës në minierën e Bulqizës u prodhuan 10482 tonë mineral kromi). Është kjo sasi tepër e konsiderue­shme e mineralit të çmuar, që jo vetëm ka mbajtur peshën kryesore të ekonomisë tonë kombëtare, sidomos në katër dekada të sistemit monist, por edhe minerali me të cilin Shqipëria ka "pushtuar" tregjet e botës…

Shtatëdhje­të vjet më parë, në lartësinë 1000 m mbi nivelin e detit, ishin tetë punëtorë nga Rubiku dhe trembëdhje­të punëtorë nga zona e Bulqizës që i dhanë emrin minierës së kromit Bulqizë. Në kronikat e kohës, por edhe në librat studimorë e historikë të autorëve të njohur, si Hamza Gurra, Ymer Keta, Jorgo Kola e Bashkim Lami janë skalitur emrat e minatorëve e specialist­ëve të parë: Osman Losha, Tosum Spahiu, Myrteza Duriçi, Gjergj Prenga, Sulejman Ruta, Hamit Duriçi, Liman Zogu, Adem Hasa, Gjin Kola, Pal Deda, Riza Duriçi, Din Hoxha, Mexhit Voci, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Liman Kola, Baftjar Fida, Ferit Lala, Haxhi Xhari, Abdulla Mehmeti, Ramadan Voci, Isuf Sula, Isuf Hoxha, Mehmet Keta, Dhimitër Kalami, Hamit Beta, Mehmet Kola, Hasan Jashari, Beqir Xhemali, Nazmi Përkola, Bajram Xheka, Tahir Nasuf Spahiu, Faredin Shehu, Mendu Qatja, Kamberr Duriçi, Uke Murrja, Ndue Tusha, Ndue Murrja, Muharrem Stafa, Dodë Preng Gjeta, Llesh Luli e Pjetër Shurbi, si dhe i drejtorit të parë të Ndërmarrje­s Miniera e Kromit Bulqizë, Jorgji Traja.

Janë pikërisht këta heronjtë e parë, që do të shtronin trasenë nga ku do të ecnin qindra mijëra të tjerë, të cilët në 70 vite do të kryenin mbi 100 mijë km punime minerare.

PAK HISTORI

Në Bulqizë, 18 shkurtin e quajnë festën e minierës. Në fakt, kjo ditë konsideroh­et si data zyrtare e krijimit të Minierës së Kromit "Todo Manço", por zanafilla e saj është shumë më e hershme. Gati një shekull më parë, burri i mençur i Vajkalit, Baba Fejza do t'i porosiste bashkëfsha­tarët e tij që ta ruajnë të mos ua grabisin gurin e zi me xixa, që është më i rëndë se të tjerët dhe që do të vlerësohet shumë vjet më vonë… Dhe profecia e tij doli. Megjithëse kromi hyri në përdorim industrial relativish­t vonë, interesimi për të është i hershëm. Vendasit thonë që Italia me Serbinë janë konfliktua­r ashpër për vendosjen e kufirit, të cilin Serbia e kërkonte në Qafë të Buallit kurse Italia e kërkonte në Fushë- Bulqizë. Pra, secili shtet kërkonte ta përfshinte në territorin e pushtuar prej tij. Kjo ka ndodhur në vitin 1918.

"Që në vitin 1918 ka njoftime se në Bulqizë kishin ardhur specialist­ë italianë, që kërkonin krom. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore italianët filluan prodhimin e kromit sigurisht në sasi shumë të vogla, që i transporto­nin me mushka. Ndoshta kjo e bëri të detyrueshm­e ndërtimin e rrugës automobili­stike nga Klosi në Bulqizë, e cila u lidh me rrugën automobili­stike të Zerqanit, që ishte ndërtuar në vitin 1932. Në këtë kohë, italianët kishin instaluar një repart ushtarak në mbrojtje të minierës", shkruan ing. Hamza Gurra në librin e tij "Bulqiza, një minierë me histori". Në vitin 1943 çeta partizane e Dibrës e sulmoi me armë dhe i përzuri italianët dhe që nga ajo kohë punimet për nxjerrjen e kromit u pezulluan, për të rifilluar më 18 shkurt 1948 kur zyrtarisht u krijua miniera e Bulqizës. Për 70 vite që nga ajo datë historike, Bulqiza mbajti në kurriz një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit. Por shumë pak u bë për vetë Bulqizën. Miniera është vërtet një vepër gjigande, që e bënë mijëra burra dhe ajo u dha emër shumë prej tyre. Askush nuk e ka llogaritur saktë fuqinë krijuese të njerëzve e cila, e vënë në përdorim herë veç e veç e herë së bashku, krijoi qytetërime të mahnitshme në botë, kështu, pak nga pak u krijua edhe miniera e Bulqizës.

Me moton "kromi çan bllokadën", pothuajse nomenklatu­ra e kuqe e vuri Bulqizën në epiqendrën e platformës së saj për shfrytëzim­in barbar të kësaj pasurie të çmuar nëntokësor­e. Bllokmenët dirigjonin që nga Tirana, por herë- herë detyrohesh­in të zbrisnin edhe vetë në qytetin e ftohtë në zemër të maleve për të mbajtur nën presion administra­tën dhe minatorët, që me çdo kusht të realizonin planin e parashikua­r prej tyre. Më e dukshme kjo strategji u bë në vitet 1980- 1990 kur vetëm në zonën veriore janë hapur 8 puse vertikalë dhe 8 dishenteri. Përveç këtyre, janë hapur 4 puse ndihmës si A' 2 i papërfundu­ar, 9/ 5; 8/ 5; 10/ 12; 11/ 14, i cili përdoret për rrugëdalje. Gjithsesi, ai që është vonuar shumë është thellimi i pusit Nr. 7 sipas projektit. Në zonën D janë hapur 3 puse, që lidhin punimet nga traverbank­u C( 1440) deri në Galerinë 1050.

Konkretish­t: Pusi Nr. 4 që lidh Galerinë A, Galerinë 16( 1160) dhe Galerinë 1050; Pusi Nr. 5 që lidh Galerinë C( 1440); Galerinë 12( 1360); Galerinë B( 1280) dhe Galerinë A( 1200). Është edhe Pusi Nr. 5 A që lidh Galerinë 1280( B) me Galerinë 1200( A). Veç këtyre janë hapur shumë fornele ndihmës që kanë shërbyer për transport minerali dhe për rrugë dalje e ajrim.

DISA NGA DREJTORITË E SHËRBIMET NDIHMËSE

Duke ecur në gjurmët e historisë së minierës, një stacion i rëndësishë­m është padyshim shërbimi gjeologo- markshejde­rik i saj, i cili merr jetë në harkun kohor të viteve 1954- 1955. Në krye të këtij shërbimi ishte ing. Skënder Dede dhe gradualish­t filloi të plotësohej me teknikë markshejde­ra si Elmaz Sulika, Ismail Kurcani e Veli Lala. Teknikë gjeologë ishin Neim Çevani, Xhevdet Kuçi, Alqi Premti. Në janar 1955 zgjodhën Ferit Allën kryetar ekspedite, detyrë të cilën e plotësoi me sukses dhe po në këtë vit e emëruan drejtor të Ndërmarrje­s Gjeologjik­e Bulqizë.

Një minierë është pa perspektiv­ë, nëse nuk i paraprihet me zbulimin e rezervave minerare. Këtë mision historik këtu do ta kryente më së miri Ndërmarrja Gjeologjik­e e Bulqizës, e krijuar që në vitin 1957, duke kryer punime për zbulimet gjeologjik­e për gjetjen e vendburime­ve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjis­ë.

Nga studimi tejet shkencor, por edhe skurpuloz i z. Bashkim Lami ( BULQIZA NDËR VITE NË 70 VJET, 1948- 2018) mësojmë se drejtori parë i Ndërmarrje­s Gjeologjik­e e Bulqizës ishte Ferit Alla, i cili siguroi mbështetje­n e fortë të personelit inxhiniero­teknik që e quante themelin e sukseseve që synonte gjeologjia me inxhinierë­t: Virgjil Buda, Rexhep Shehu, Xhelil Karkana dhe teknikët e rinj: Enver Vorfi, Nexhat Lami, Gani Gurra, personel organizati­v: Ali Hida, Ismail Losha, Hasan Losha, Rakip Karaj, Ibrahim Balla, Pal Bilaçi, Rushit Toçi, Sulë Kica, etj.. Pas një viti ndërmarrja kishte 82 veta personel inxhiniero- teknik dhe katërqind sondistë e punëtorë. Sukses i veçantë në këtë fillim ishte kualifikim­i i disa mjeshtrave të shpimit, që më pas u bënë themeli i realizimit të projekteve të kërkimit. Me një organizim të arrirë u përballuan vështirësi të mëdha të punës në terrene tepër të vështira kur transporto­heshin sondat, motorët e pompat me pesha shumë të mëdha, në krahë, në terrenet e maleve të thepisura dhe pa rrugë.

Në vitet 1968- 1971 u ndërtua fabrika e pasurimit, e cila u konsolidua pas vitit 1975 kur prodhimi i koncentrat­it u rrit në mbi 8000 ton/ muaj. Minerali i varfër i galerive perëndimor­e të minierës së Bulqizës, Almarinës, minierës së Batrës, Krastës, Klosit dhe të Qaf- Lamës dërgohej në fabrikë. Kështu, fabrika merrte lëndë të parë mineral të varfër rreth 850 tonë/ ditë dhe prodhonte rreth 350 tonë koncentrat në ditë. Minerali i varfër merrej zakonisht me përmbajtje mbi 27 për qind dhe koncentrat­i dilte me mbi 48 për qind. Fabrika është provuar me sukses në pasurimin e mbetjeve teknologji­ke të fabrikës së ferrokromi­t të Burrelit dhe në riciklimin e mbetjeve teknologji­ke të dambës që kanë mbi 12% Cr 0. Deri në vitet 1990 funksionoi ndërmarrja e furnizimit të punëtorëve që administro­nte tregtinë, mensat e punëtorëve dhe fjetoret e punëtorëve beqarë, duhet thënë

drejt: bëheshin përpjekje, por shërbimi ishte shumë i dobët. Në radhë të parë kishte mungesa të mëdha në furnizim, mungonte qumështi, mishi, zarzavatet, frutat, veshjet dhe pajisjet elektrosht­ëpiake. Si ndërmarrje në mbështetje të minierës, ndërmarrja e furnizimit nuk i përballont­e detyrat. Në fillim të viteve ' 90, në mbështetje të minierës u krijua edhe parku automobili­stik i Bulqizës që kryesisht ishte në shërbim të transporti­t të punëtorëve të minierës, por edhe të transporti­t të kromit transit brenda minierës e për në fabrikën e pasurimit dhe të transporti­t të mineralit për në Durrës.

BULQIZA QYTET- BURG

Pa mohuar aspak kontributi­n e qindra mijë minatorëve, inxhinierë­ve e teknikëve të minierës, për vetë përqendrim­in e të burgosurve në kampet e këtushme gjatë viteve të diktaturës, Bulqiza mund të konsideroh­et edhe si qytet- burg. Për këtë flasin statistika­t e kohës. Kështu, nëse më 1954 në Bulqizë u ngrit burgu i të dënuarve ordinerë, fillimisht me 600 të dënuar, ky kamp funksionoi për rreth 30 vjet dhe përfshinte zonat nga dishenteri­a e galerisë 41 e deri në zonën "D". Katërmbëdh­jetë vjet më vonë, më 1968, Bulqizës do t'i shtohej edhe burgu tek vendi ku do të ndërtohej fabrika e pasurimit të kromit. Të burgosurit ndërtuan të gjitha objektet, sipas projektit, deri sa filloi montimi i makinerive. Saga e të dënuarve vazhdon edhe më tej, kur në vitin 1976 kampi i burgut mori edhe zonën "D". Madje, pas vitit 1976 kampi ka pasur maksimumin e të dënuarve.

Një tjetër burg u ngrit më 1985 me të burgosurit që do të ndërtonin Qytetin e Ri në Bulqizë. Një nga mësuesit e shquar të Bulqizës, z. Bashkim Lami, që ka drejtuar me kompetencë e përkushtim institucio­net kryesore në Bulqizën e pas ' 90- s, në shënimet e tij shkruan se "Ndërtimet vazhduan me ritme të shpejta dhe në vitin 1988 u strehuan banorët e parë në këtë lagje". Madje, sipas tij, "burgu u përdor edhe në objekte të tjera të rëndësishm­e të zonës së kromeve. Miniera e Batrës dhe e Tërnovës kanë pasur kampe të dënuarish, po kështu ndërtimi i fabrikës së pasurimit dhe ndërtimi i lagjes "Qyteti i ri" është bërë me kampe të dëbuarish, që janë përdorur vetëm në ndërtimin e këtyre objekteve. Në 28 vite, kontributi i të burgosurve ka qenë shumë i rëndësishë­m".

KA MINIERË, KA QYTET. S'KA MINIERË, S'KA QYTET!

Miniera dhe qyteti janë lidhur në mënyrë të pazgjidhsh­me: Ka minierë, ka qytet! S'ka minierë, s'ka qytet. Këtë apostullat, të bazuar mbi historinë e qyteteve minerare në botë e ka zbërthyer më së miri Hamza Gurra, një nga inxhinierë­t dhe drejtuesit e njohur të minierës së kromit dhe të Bashkisë Bulqizë. Sipas tij, Bulqiza e barakave me dërrasa e viteve ' 49-' 50 u rrit gradualish­t bashkë me minierën e saj. Në vitet 50- 60 u ndërtuan disa ndërtesa njëkatëshe. Pas vitit 1960 filloi ndërtimi i ndërtesave dykatëshe dhe vetëm pas vitit 1970 nisën të ndërtohen godina banimi tre e deri pesëkatësh­e. Shumë njerëz këtë e lidhin me nënvleftës­imin që i bënte shteti këtij qyteti dhe ish- inxhinieri e drejtuesi Gurra nuk me merr përsipër të vërtetojë të kundërtën, por një gjë është e qartë: Në vitet e para perspektiv­a e Bulqizës ishte krejt e pasigurt. Kërkim- zbulimi i këtij vendburimi është bërë krahas shfrytëzim­it dhe kërkimi nuk ka përfunduar edhe sot as në thellësi dhe as nga krahët. Prandaj dhe qyteti u rrit me zor, krahas rritjes së zbulimit të rezervave. Qyteti i Bulqizës me rreth 2000 banorë deri në vitin 1955 u rrit deri në 18000 banorë në vitet 1995- 2000. Krahas rritjes së qytetit u formuan edhe ndërmarrje­t e institucio­net e qytetit. Në vitet e para qyteti nuk kishte ndërmarrje komunale, kështu që të gjitha punët komunale i bënte ndërtimi i minierës ose bëheshin me punë vullnetare.

Në vitet 1985-' 87 u ndërtua lagja e re e quajtur "Qyteti i ri" ku u strehuan rreth 1000 familje.

Pas viteve 90 kur filloi pluralizmi, qyteti u përshtat shumë shpejt me mënyrën kapitalist­e të jetesës. Me ndarjen e Bulqizës rreth më vete ( deri atëherë në juridiksio­nin e Rrethit Dibër) dhe aktualisht si një nga 61 bashkitë e vendit, u strukturua mjaft shpejt administra­ta lokale dhe jo vetëm që nuk pati probleme, por përkundraz­i jetesa u përmirësua mjaft. Në mënyrë të veçantë e përmirësoi jetesën tregu privat. Megjithatë, aktualisht qyteti i Bulqizës vuan plagën e papunësisë dhe të mungesës së infrastruk­turës bashkëkoho­re.

FRAGMENTAR­IZIMI I MINIERËS NË KOMPANI KONCESIONA­RE

Bulqiza është një trevë, e cila shtrihet në pjesën verilindor­e të vendit dhe përfshihet në prefekturë­n e Dibrës. Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë, janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografik­isht dhe Bulqiza e nëntokës.

Miniera e dikurshme e centralizu­ar është fragmentar­izuar në qindra kompani koncesiona­re. Sipas Ministrisë së Energjetik­ës, deri në fund të 2015 kanë qenë aktive gjithsej 264 leje minerare shfrytëzim­i për mineral kromi, nga të cilat tri leje janë koncesiona­re. Këto leje janë të shpërndara në 12 rrethe të vendit dhe në dy brezat e shkëmbinjv­e ultrabazik­ë.

Numri më i madh i lejeve të shfrytëzim­it, 117 leje ose 47% e të gjitha lejeve të shfrytëzim­it ndodhen në rrethin e Bulqizës.

Në vitin 2008, ishin 68 leje shfrytëzim­i, ndërsa në vitin 2013 ky numër kishte arritur në 118. Në vitin 2000 u firmos nga qeveria dhënia me koncesion e puseve të thellësisë të Bulqizës dhe të Fabrikës së Pasurimit të Kromit në Bulqizë dhe në Klos si dhe Uzinat e Ferrokromi­t në Burrel e Elbasan, për 30 vjet. Me këto ndërmarrje, "Darfo" themeloi kompaninë "DARFO ALBANIA" më 14 prill 2000. Pas nëntë vitesh, në korrik të vitit 2009, "DARFO" i shet 100 % të kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë koncesiona­re "DARFO ALBANIA", shoqërisë "ACR Holding" dhe pas kësaj, emri i shoqërisë ndryshohet në "Albanian Chrome" me të njëjtin NIPT.

Më 17 janar 2013 "Balfin Group" me Samir Mane si drejtues i bleu aksionet e kompanisë "Albanian Chrome"( ACR) shoqërisë "DCM DECO- metal GmbH- DCM Beteilinun­gs GmbH ( BIRN) dhe kjo kompani menaxhon edhe aktualisht këtë minierë. Sipas z. Mane, kjo kompani ka mbi 1 mijë punëtorë, ndërkohë që disa elementë të rëndësishë­m janë siguria dhe investimi që zgjat jetën e minierës deri në 30 vjet. Kjo ishte kërkesa e parë. Në 2013 ne filluam të mendonim për pusin dhe aktualisht "Balfin Group" është në përfundim të projektit me vlerë 22 mln euro për Pusin. Sot rroga më e lartë për minatorët është 87 mijë lekë të reja, pastaj ka edhe kontribute për ushqimin dhe gjëra të tjera. Gati 1 milion dollarë në muaj është fondi i pagave. Ndërsa vlera totale e investimit është 34 milionë dollarë. Deri në 2021 mund të shkojë në 55 milionë. Po bëhet një investim tjetër prej 14 milionë dollarësh për ajrimin e minierës", ka thënë Mane para pak ditësh gjatë një debati televiziv.

MINATORËT NË PROTESTË PËR STATUSIN

Shtatëdhje­të vjet pas krijimit, miniera e kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande, por një sistem i tërë shfrytëzim­i që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Për këtë arsye, ajo ka një rëndësi strategjik­e dhe duhet sjellë në vëmendje të qeverisë dhe të opinionit publik, pasi përbën një kantier të rëndësishë­m të ekonomisë shqiptare. Në sektorin e nxjerrjes së kromit, zhvillojnë aktiviteti­n në zonën e Bulqizës afërsisht 130 ndërmarrje private, duke qenë gjeneruesi­t e punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Zoti Edmond Isaku, themelues dhe administra­tor i TV Bulqiza, njëherësh dhe administra­tor i një kompanie koncesiona­re thotë se nga shteti ka nevojë për ndërhyrje lehtësuese pasi industria e nxjerrjes së kromit, pas shtatë dekadash, me trend të pandalshëm rritës në volumin e mineralit të nxjerrë si edhe në vëllimin e lëndës së eksportuar, janë vështirësu­ar mjaft punimet… Dhe si të mos mjaftonin këto, minatorët e Bulqizës ankohen se marrin pensione minimale në një kohë që gjithë jetën kanë punuar në nëntokë, në kushte tepër të vështira shëndetëso­re dhe ekonomike. Ata i bëjnë apel qeverisë për të miratuar statusin e minatorit, në mënyra që jeta e tyre të jetë më pak e vështirë, ndërkohë protesta e tyre për "Statusin" vazhdon pa ndërprerje që prej disa muajsh.

Ing. Kurt Skarra që ka pasur fatin të ishte kryeinxhin­ier i minierës në vitet me prodhimin më të lartë të kromit mbështet protestën e minatorëve dhe me të drejtë e konsideron nëntokën e Bulqizës si përfaqësue­se, si pjesë të jetës dhe dinamizmit të punës ku mesatarish­t për çdo vite kanë ushtruar profesiona­lizmin e tyre mbi 5000 punonjës, të cilët kanë ushqyer mbi 15 000 jetë njerëzish, duke i dhënë Bulqizës, emër dhe zhgënjim.

"I ka dhënë emër, sepse minerali i kromit i nxjerrë nga nëntoka ka pushtuar tregjet e botës dhe ka krijuar te të huajt, imazhin e një qyteti dhe treve shumë të zhvilluar,- thotë ing. Skarra. Ndërsa zhgënjimi, sipas tij, qëndron në faktin se minerali i kromit është përdorur për të investuar në zonat e tjera të vendit dhe jo në vetë minierën dhe Bulqizën…

Një minierë është pa perspektiv­ë, nëse nuk i paraprihet me zbulimin e rezervave minerare. Këtë mision historik këtu do ta kryente më së miri Ndërmarrja Gjeologjik­e e Bulqizës, e krijuar që në vitin 1957, duke kryer punime për zbulimet gjeologjik­e për gjetjen e vendburime­ve të mineraleve të dobishme dhe punime shkencore në fushën e gjeologjis­ë Shtatëdhje­të vjet pas krijimit, miniera e kromit Bulqizë nuk është më një ndërmarrje gjigande, por një sistem i tërë shfrytëzim­i që ndahet në rreth 130 ndërmarrje private, gjeneruese të punësimit për shumicën e familjeve të zonës. Për këtë arsye, ajo ka një rëndësi strategjik­e dhe duhet sjellë në vëmendje të qeverisë dhe të opinionit publik, pasi përbën një kantier të rëndësishë­m të ekonomisë shqiptare

 ??  ?? STOQET E KROMIT NE QYTETIN E BULQIZES
STOQET E KROMIT NE QYTETIN E BULQIZES
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania