Panorama (Albania)

Klienti plagos me thikë pronarin e lokalit, nuk i lejoi duhanin

-

FIER- Klienti plagos me thikë pronarin e lokalit pasi i kërkoi që të mos pinte duhan në ambientet e biznesit të tij. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14: 10 dhe, sipas Policisë, i plagosuri është shtetasi Petref Xhafaj, pronari i një lokali në lagjen "8 shkurti" në Fier. Sipas të dhënave të Policisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati mes pronarit të lokalit dhe një personi tjetër, i cili me pas e ka qëlluar me thikë në bark duke e lënë të plagosur. Pronari 53- vjeçar ndihmonte edhe vetë në shërbim në lokalin e tij dhe, sipas të dhënave, dyshohet se ai i është afruar një tavoline ku klienti po pinte cigare. Ai i ka kërkuar atij të mos e konsumonte duhanin brenda në ambient, pasi kjo tashmë ishte e ndaluar. Por klienti e ka kundërshtu­ar, duke u treguar edhe i dhunshëm. Për Policinë, dy dëshmitarë kanë thënë se debati erdhi për cigaren. Ata janë shprehur se kishin parë autorin para sherrit të konsumonte cigare. "Ata i bënë ngadalë bisedat. Pronari iu afrua dhe i foli shumë qetë, por klienti duket se u irritua nga ajo çfarë i tha dhe reagoi menjëherë dhunshëm. Në fillim dëgjuam vetëm sharjet e më pas pronari u shtri përtokë, pasi ai e goditi me thikë në bark. U përpoqëm t'i jepnim ndihmën e parë, ndërkaq lajmëruam edhe Policinë", mësohet të jenë shprehur për grupin e hetimit disa klientë, të cilët janë marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitari­t okular.

Të parët që mbërritën në lokal ishin familjarët e të plagosurit, të cilët e kanë shoqëruar atë në spital menjëherë pa pritur të mbërrinte Policia. "Në urgjencën e Spitalit Fier, është sjellë nga familjarët shtetasi me inicialet P. Xh., 53 vjeç, banues në Fier, i plagosur me thikë në bark. I plagosuri ndodhet në sallën e kirurgjisë nën kujdesin e personelit mjekësor. Gjendja është e rëndë dhe do presim orët në vijim, për të dalë në një konkluzion për situatën shëndetëso­re të tij", bënë të ditur burime nga Spitali Rajonal i Fierit. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për identifiki­min dhe arrestimin e autorit, i cili është larguar menjëherë pas plagosjes.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania