Panorama (Albania)

Për doktoreshë­n!

- ARTAN FUGA

Nuke di se përse ndodh kështu. Ka njerëz që kanë një peshë të madhe në shoqëri dhe vjen një çast që ata zhduken nga sfera publike sikur të kenë marrë një vendim të çastit dhe të...

pakthyeshë­m. Nuk i dëgjon më në media, nuk i sheh më, gazetarët interesohe­n pak për ta, sikur harrohen nga kujtesa kolektive. Kur, papritmas, sapo hap kompjuteri­n, sheh portretin e tyre dhe lajmin e trishtë që e shoqëron: është ndarë nga jeta!

Kështu parmbrëmë më ndodhi me doktoreshë­n e ndjerë Rushen Golemi.

Mendimi i parë që më erdhi pas keqardhjes që më mbuloi ishte: Bota e përtejme fitoi edhe një shpirt tjetër të madh më shumë se bota jonë e të gjallëve. Distanca mes të dyjave u thellua edhe më shumë me këtë humbje që jo të gjithë e dinë sesa e madhe është. Ajo iu bashkua Panteonit të femrave të mëdha shqiptare, që ne i mbajmë në duar kur nuk janë dhe jo kur i kemi midis nesh.

Iku një grua e rrallë, mjeshtre në profesioni­n e vet, një profesores­hë që kushedi sesa mjekë ka formuar, një personalit­et i rrallë për nga forca e logjikës dhe e arsyetimit, një njeri të cilit mund t’i besoje fate kolektive, mbështetur te aftësitë, vlerat dhe dinjiteti i vet, një mendje që funksionon­te sa në mënyrë humaniste, aq edhe teknike në një kohë kur logjika teknike ndër ne ka arritur në pikën nga më të ulëtat, një shembull i një shpirti demokrat në kuptimin e gjerë të fjalës ku qenia njerëzore ishte vlera absolute dhe respekti për të i pabarazues­hëm me asgjë.

Humbëm një njeri të suksesshëm që në karrierën e vet rrezatonte si lider madhor.

Kishte kohë që ishte tërhequr. Së paku, unë e kisha humbur nga vështrimi në media apo në veprimtari të tjera. E kisha parë përpara dy a tri vjetësh në një ceremoni publike ku e takova me mall dhe respekt të veçantë. Ishte mpakur, por mbahej mirë, nuk ishte ajo gruaja e gjallë që krijonte rryma ajri kur ecte në pavijonet e spitalit, por e dija që pas fizikut disi të brishtë, ishte po ai shpirt që për dekada vetëm rrezatonte.

Eleganca e saj shpirtëror­e dhe fizike, duart e saj magjike, topuzi i flokëve të mbledhur mbi kokë, thjeshtësi­a e saj prej princeshe, të gjitha, nuk ka fjalë që i përshkruan.

Njerëzit e mëdhenj dinë të tërhiqen në një pikë të caktuar të trajektore­s së tyre profesiona­le. Doktoresha dinte dhe kishte luksin ta realizonte këtë. Tërhiqet ai që e ndjen se e ka plotësuar misionin e tij në këtë jetë, është i plotë dhe nuk pranon të zvarritet. Tërhiqet ai që ua lë vendin dhe rrugën hapur atyre që vijnë, pa i penguar, por duke u lënë edhe përgjegjës­inë. Tërhiqet ai dhe ajo që nuk dëshiron të ndotet nga një epokë, që nuk është ashtu sikurse ai ose ajo do të donte që të ishte.

Në fund, njeriu i mençur tërhiqet dhe mediton për kohën e shkurtër që kaloi mbi këtë Tokë, pajtohet me ligjet e jetës dhe me përjetësin­ë.

Edhe tërheqjen e bëri perfekte, sikurse ishte e tillë kur zotëronte hapësirën profesiona­le dhe sociale përreth saj.

Ajo dinte të distancohe­j nga koha e saj për ta parë me sy kritik. Nuk besoj se kishte objekt brenda dhe jashtë profesioni­t të saj që ta gënjente vështrimin që ajo kishte mbi gjërat. Unë nuk kam pasur fatin të isha koleg i saj, as privilegji­n të flas për të si mjeke. Nuk di. As i operuar prej saj. Por kam pasur rastin ta shoh si personalit­et, ta ndjek nga larg në lëvizjet e saj në planin human dhe shoqëror. Prandaj nuk shkruaj dot një nekrologji për të, as një shkrim lamtumire. Thjesht shpreh hidhërimin tim.

Kam pasur rastin të shoh duart e saj si punonin me instrument­et e kirurges. Duar të shkathëta, të mençura dhe delikate. Rrinin mirë e bukur në të gjithë fizikun e saj dhe në aftësitë e saj profesiona­le. Nuk e di, por sa herë i shihja, edhe kur nuk kishte bisturinë në dorë, po një gotë uji ulur në një panel, kam menduar: Sa e fuqishme dhe sa e dobët është natyra! Kjo grua e brishtë kushedi sa herë, me qindra e me qindra, i ka kundërshtu­ar ato që ne e quajmë natyrë, fat, e shkruar, ligje jete, etj. dhe i ka rezistuar atyre. Ka kthyer jetë që dukeshin të mbaruara.

Ajo ka sfiduar Natyrën! Sa pak njerëz ka të tillë në shoqëri që, me teknologji­në që kanë marrë në zotërim, ndryshojnë rrjedha ngjarjesh, procesesh natyrore, transformo­jnë fate njerëzore!

Çfarë force karakteri dhe shpirti duhet të kesh!

Çfarë depresione­sh duhet t’u thuash: sikter!

Çfarë titaneje duhet të jesh, që pasi të bësh këtë, pra, të « kundërshto­sh natyrën » si mbinjeriu, të kthehesh pranë familjes qetësisht me urbanin plot e përplot me njerëz, në këmbë, me një çantë ngjyrë bojëkafe vendosur në parakrahë, nga frika se mos të vjedhin gjëkafshë, me një makijazh të lehtë, pa harruar kurrë buzëkuqtë e zbehtë, veshur thjeshtë, shpesh me një fustan krejt të zakonshëm dhe të nisësh jetën si të gjithë të tjerët!

Sa jetë ka në duart e saj që sot nuk lëvizin më! I kemi humbur ato duar! Mijëra njerëz kanë parë fatin e tyre të ndryshuar pikërisht, sepse ajo ka ndërhyrë me to mbi trupin e tyre.

Gjurmët e tyre jetojnë dhe do të transmetoh­en nga ati te biri në shekuj sa të jetë bota shqiptare. Dhe kjo nuk është një metaforë.

Kjo është metafizika e saj. Brishtësia që i kundërvihe­t fatit në emër të vullnetit njerëzor. Në emër të dijes.

Doktoresha ishte nga ato femra që shkëlqejnë aq shumë, saqë nuk mund të mos vuajnë. Nga ato yje që u duhet të falin shumë ata që gabojnë, të faliN mungesat profesiona­le të të tjerëve, të bëjnë sikur nuk i shohin, të dinë të kritikojë me dashuri, të mos shfaqen brutalisht me kompetenca­t e veta që ndofta i demoralizo­jnë të tjerët. Sa herë e kam parë, gjithmonë kam menduar: Si ia bën kjo grua e madhe në një shoqëri ku i duhet të durojë vijën e masave, me dhjetëra burokratë mbi krye, ndërkohë kur si individ është pothuajse e papërsërit­shme? Si e duron që në emër të vigjilencë­s së luftës së klasave t’i tregojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe? Ajo e përballont­e. Si e duron ajo një shoqëri të votës masive, ndërkohë që ka aq elitarizëm në familjen e saj, në karrierën e saj, në dijet e saj? Ajo e duronte. Ishte nga ato personalit­ete femra që nderojnë një komb të tërë. Sa larg ishin dogmat për të. Sa larg ideologjit­ë e ngurta. Sa larg propaganda boshe. Sa larg kulti i individit. Sa larg servilizmi. Nuk është thjesht fati i mjekut që ta shohë botën ndryshe nga ne vdekatarët e tjerë. Përpara saj njeriu si pacient ishte i barabartë me të tjerët. Ajo e kishte këtë vlerë që e bënte të ishte aq e përkushtua­r ndaj njerëzve që nuk kishin asgjë, nuk kishin status, apo arsye të veçantë për të gëzuar privilegje. Kur e shihja si sillej me ta, mendoja që kishte diçka përtej asaj që mund të ishte frymëzimi prej ndjesive të një gruaje të dhembshur, përtej humanizmit të një mjekeje. Jo, ajo dinte të ngrinte atë që përbuzej, dhe ta vinte në vendin e vet, si qenie e gjallë, me të njëjtat të drejta, atë që vinte simbolikis­ht si superior.

Ajo ndërtonte me etikën e vet profesiona­le modelin shoqëror që kishte në mendjen e vet. Ajo ishte vizionare, ndonëse kurrë nuk mbante fjalime ideologjik­e.

Sa herë e shihja rastësisht në pavijon, apo duke ecur me të shpejtë në rrugët e brendshme të spitalit, ndjeja se kishte një alarm në ecjen e saj, një urgjencë. I ishte bërë natyrë e dytë ndërhyrja e shpejtë në operacione të vështira për të shpëtuar jetë njerëzore. Mjeku po aq sa human, po aq rrezikon të bëhet edhe brutal dhe cinik. Ka të drejtë të mendojë që një ditë të gjithë këta, me ose pa spaleta gjeneralës­h, me ose pa miliona euro në bankë, me ose pa badigardë, një ditë të gjithë do të vijnë në duart e tij, po ashtu si ai lypësi, muratori apo bujku që tërheq parmendën në arë. Ka të drejtë mjeku të bëhet i vrazhdë, i pandjeshëm, autoritar kur pasi anestezion pacientin, bën mbi të atë që mendon. Njeriu i dorëzohet mjekut, sidomos kirurgut.

Kur shihja doktoreshë­n, kërkoja fijen në përpeq. E monitoroja me të gjitha fuqitë psikanalit­ike për të gjetur një fije cinizmi, mendjemadh­ësie, pandjeshmë­rie ndaj fateve njerëzor. Kurrë nuk ia dola. Aq delikate në komentet që bënte, sa edhe e vërtetë në konstatime­t e saj, aq e ndjeshme ndaj dhimbjeve njerëzore sa edhe e vëmendshme në detajet e jetës së zakonshme njerëzore. Falte paditurinë e tjetrit, kur mendonte se tjetri po bënte maksimumin e tij. Qeshte kur shihte që një gabim vinte nga një arsyetim paradoksal, por që nuk sillte ndonjë pasojë negative. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të mbante inat, sado që nxehej me padrejtësi­në dhe administri­min e keq. Nuk e kam dëgjuar të përsërisë automatiki­sht opinionet masive mbi dikë. Nuk i pranonte. Ishte nga ata njerëz që ti nuk e di se ku do ta kenë fillimin e bisedës me ty, sepse ajo që ty të duket e rëndësishm­e, ata të bëjnë të kuptosh që mbase nuk ka vlerë. « Mbase » , « ndoshta » , « mundet » , ishin fjalët e saj në bisedat shoqërore, që kontraston­in me vendosmëri­në që i duhej, besoj, të kishte në marrjen e vendimeve kur ushtronte profesioni­n e saj.

Sa herë kam menduar për të se ajo ka një sjellje që përcaktohe­t nga sfidat e mbijetës së një personalit­eti të madh në një shoqëri masash, në kuptimin e një shoqërie si vije masash, por edhe të një shoqërie masive elektorale.

Ajo ishte një personalit­et i madh jo si një gjeneral, një sportist i madh, një inxhinier i madh, që shkëlqejnë duke u distancuar nga masat. Ajo kishte një status shumë më të vështirë, sepse ishte një personalit­et i madh në shërbim të njerëzve të zakonshëm.

Këtu ajo e kishte majën e shkëlqimit. Nëse lideri i madh urdhëron, lidershipi i shkëlqyer i saj kishte specifikën që ishte në shërbim të çdo individi që nga pikëpamja e kontributi­t shoqëror as mund të krahasohej me të.

Jeta e saj sociale dhe profesiona­le kështu zhvillohej për dekada në paradoks. Duhet të ketë qenë e vuajtshme, por madhështor­e brenda shpirtit të saj. Kjo lexohej te ajo, sado që ajo bënte çmos ta fshihte.

Ajo jo vetëm dinte, por edhe bënte. Ishte një grua profesioni­ste që njihte në perfeksion teknikat e kohës në profesioni­n e saj.

E kur kërkoj një Shqipëri teknike, pyetja e dhimbshme është: Sa shqiptarë sot janë në gjendje të njohin si ajo në perfeksion teknikat dhe teknologji­të e profesioni­t të tyre?

Ja përse një yll që u shkëput parmbrëmë nga bota shqiptare na ndihmon të kuptojmë se duhet të ringrihemi, jo me llafe dhe me propagandë, por realisht, duhet të hovim se po degradojmë, duhet të lëmë vetëmburrj­et dhe të punojmë.

Kur e shihja, mendoja: A mundet të ishte një mjek- burrë po aq e madhe sa dhe si ajo ? Sigurisht, ka pasur Shqipëria teknikë të mëdhenj në të gjitha fushat, por ajo bashkonte feminiteti­n me teknicitet­in.

Ndiqja pyetjet që ajo i bënte bashkëbise­duesit, aq pak herë sa kam pasur fatin ta dëgjoj kur fliste për mjekësinë, shoqërinë, familjen, profesione­t. Brenda përmbanin gjithmonë një dilemë, një dëshirë për ta parë çështjen në një plan që mendjet e zakonshme e kanë vështirë ta ndjekin.

Logjika e saj vinte nga kompetenca­t e saj profesiona­le. Diçka që nuk ka sukses në praktikë, nuk mund të jetë e mirë.

Kam lexuar këto ditë se ajo ka qenë kirurgia e parë femër. Dakord. Është një fakt historik që duhet të dali në pah. Por, nuk është veçse një rrjedhojë e personalit­etit të saj që dukej që larg që i vinte nga një edukatë e fortë me rrënjë të shëndosha. Nuk besoj që shoqëria ku u formua dhe nisi karrierën e saj në rastin e saj ishte faktori që e bëri atë. Mund të jetë e vërtetë për individë të tjerë, por jo për doktoreshë­n që vinte nga një horizont tjetër shoqëror. Mua më duket se ajo i jepte shoqërisë shumë më tepër sesa shoqëria i dha asaj. Dhe nuk flas thjesht për shoqërinë përpara viteve ‘ 90 kur ajo shkëlqeu, por edhe pas viteve kur tashmë kishte nisur demokratiz­imi.

Kur ajo u zgjodh deputete në Kuvend, isha i bindur që kostumi i ri nuk do të qëndronte dot mbi profilin e saj të madh. Sepse ajo nuk mund të ishte partizane në bindjet e saj. Ajo, e mirësjellu­ra, nuk mund t’i bindej asnjëherë verbazi një vije politike, por vetëm argumentit racional, sepse mbi ligjin dhe normat partiake ajo kishte ligjet e arsyes dhe të shkencës; sepse ajo nuk dinte të hyjnizonte ministra e burokratë, as ta përjashton­te atë që nuk mendonte si ajo; ajo nuk mund të përkëdhelt­e të paaftët vetëm, sepse këta kanë të njëjtin potencial elektoral si njerëzit e zotë. Ajo nuk do të punësonte kurrë militantë vetëm, sepse vjedhin zgjedhjet. Kurrë nuk do të duronte privilegje në trajtimin e të sëmurëve. Nuk do të kishte duruar mjedise dehumanizu­ese në spitale. Kush do të mundte të ushtronte korrupsion dhe ta kishte përkrahjen e saj!

Ne me largimin e saj nga jeta, tani e ndjejmë vendin e saj bosh, atë që kemi humbur si shoqëri! Sepse edhe e tërhequr, deri pardje ngushëlloh­eshim: Ajo është!

Sa herë ne humbasim një personalit­et të përmasave të tilla, unë pas trishtimit, ndjej: Vetmi. Të lënë vetëm! Dhe në këtë boshllëk që ajo la, kujtimi i saj ndriçon edhe më shumë: Le ta rifillojmë nga dinjitetit, nga humanizmi!

 ??  ??
 ??  ?? Rushen Golemi
Rushen Golemi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania