Panorama (Albania)

Përcillet si hero inxhinieri, që u vra në grabitjen e Fierit

Agur Vrenozi doli nga shtëpia të blinte bukë. Ndërhyri për të ndihmuar pronarin e Exchange

- FIER/ MAJLINDA RAMA

Qindra qytetarë të Fierit kanë përcjellë dje në banesën e fundit 54- vjeçarin Agur Vrenozi. Ai ndërroi jetë si pasojë e plumbit që mori në kokë, teksa tentoi t’i vinte në ndihmë pronarit të një Exchange, që po grabitej nga dy persona të armatosur.

Vrenozi, me profesion inxhinier mjedisi, mori një karrige dhe goditi njërin nga autorët, por pas kësaj ai u qëllua me armë zjarri. Akti i 54- vjeçarit është konsiderua­r si heroik nga qindra qytetarë, të cilët morën pjesë dje në ceremoninë mortore si një formë për ta nderuar dhe respektuar atë për të fundit herë. Mësohet se Vrenozi ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm në spitalin e Traumës në Tiranë. Trupi i pajetë i të ndjerit u soll rreth orës 14: 00 te familja e tij, ndërsa vetëm pas një ore u përcoll për në banesën e fundit.

Hëna A., njëra nga fqinjet e tij, u shpreh se ikja kaq e papritur e Agurit kishte shokuar familjarët dhe gjithkënd që e kishte njohur. Sipas saj, deri në orët e para të mëngjesit, familjarët shpresonin që ai do të mund të shpëtonte. Edhe qytetarë të tjerë të Fierit u shprehën të pikëlluar për ngjarjen, teksa theksuan se ndërhyrja pa marrë parasysh vdekjen nga ana e 54- vjeçarit, ishte një akt heroik. “Askush nuk ndërhyri. Burrë e grua thirrën për ndihmë, por qytetarët ikën nga sytë këmbët. U tmerruan nga armët dhe askush nuk pati guximin të afrohej. Disa u larguan. Të tjerë bënin spektatori­n në distancë. Vetëm Aguri pati guximin dhe ndërhyri pa marrë parasysh se kjo do t’i merrte atij jetën”, u shpreh një qytetar, që mori pjesë dje në ceremoninë mortore të 54- vjeçarit që mbeti i plagosur në vendin e ngjarjes dhe për fat të keq, ndërroi jetë disa orë më vonë.

Agur Vrenozi mbante postin e inspektori­t të pyjeve në qytetin e Fierit. Ai u ndodh rastësisht para dyqanit që ia kishte lënë me qira Gëzim Hoxhës, i cili e përdorte për veprimtari të këmbimit valutor. Edhe Hoxha mbeti i plagosur me tytën e armës nga kjo ngjarje dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut. Sipas të dhënave, pak minuta para ngjarjes, 53- vjeçari kishte dalë nga banesa e tij në katin lart pikës së këmbimit valutor për të blerë bukë. Gjatë kthimit në shtëpi, ai kishte parë grabitësit që, duke kërcënuar të plagosurin tjetër, Gëzim Hoxha, po merrnin paratë. Në këtë moment Agur Vrenozi ka marrë një karrige nga shitësja aty pranë dhe ka qëlluar njërin prej tyre. Por njëri prej grabitësve e ka qëlluar 53- vjeçarin dhe më pas kanë ikur me vrap në drejtim të Zogut të Zi në Fier, ku edhe i priste me makinë bashkëpunë­tori i tretë.

Ndërkohë, të marrë në pyetje nga hetuesit, autorët kanë thënë se nuk kanë pasur si qëllim të qëllojnë askënd, por situata u ka ikur nga kontrolli.

“Ne donim paratë, sepse kemi nevojë për lekë. Jemi të varfër, por nuk donim të vrisnim njeri. Ata, burrë e grua filluan të bërtisnin dhe ne nuk u përmbajtëm dot. Nuk di se si ndodhi. U bënë veprime të pamenduara. Edhe tjetrin te dera nuk mbaj mend se si e qëlluam”, është shprehur pas arrestimit Zini Fyraj, 37- vjeçari nga fshati Sevaster i Vlorës. Por Zini Fyraj nuk është një emër i panjohur për Policinë. 37- vjeçari ishte protagonis­t i një tjetër grabitjeje një vit më parë në qytetin e Vlorës, kur 4 persona nën kërcënimin e armës grabitën 29- vjeçarin me iniciale A. B., duke i marrë një sasi parash prej 4 mijë eurosh. Ai u arrestua me akuzën për “Përkrahje të autorit të krimit”, por i shpëtoi shumë shpejt burgut.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania