Panorama (Albania)

Vajza e inxhinieri­t: Babai dha jetën për të tjerët, jam krenare që iku si hero

Denisa Vrenozi bën apel për drejtësi për autorët e vrasjes. “Kështu ishte gjithnjë babai, ndihmonte këdo që kishte nevojë”

- FIER/

Familja e inxhinieri­t të vrarë gjatë tentativës për të shmangur një grabitje me armë në një “Exhange”, kërkon drejtësi për autorët që i morën jetën kryefamilj­arit.

Denisa, vajza e Agur Vrenozit, e cila është me profesion juriste, u shpreh dje se ishte krenare për të atin, i cili dha jetën si hero. Mes lotësh, ajo thotë se tashmë i ka mbetur barra e familjes, pasi fëmijët e tjerë janë më të vegjël se ajo. E diplomuar në juridik, Denisa shprehet se beson në vënien në vend të drejtësisë. Më tej, vajza e Agur Vrenozit, falënderon edhe Presidenti­n për nderimin që i bëri aktit heroik të babait të saj.

Denisa, si u njohët me ngjarjen, në të cilën rastësisht u përfshi edhe babai juaj?

Nuk di tamam si më erdhi lajmi, por nuk e mora vesh nga rrjetet sociale apo mediat. Një shoqja ime ma dha lajmin. Më tha që babai ishte plagosur gjatë një grabitjeje në Fier. U shqetësova, por nuk e mendova kurrë këtë fund të babait tim.

Mjekët a ju dhanë shpresa fillimisht?

Po, fillimisht mjekët na thanë që ka shpresa, por nuk na garantuan. Megjithatë, ne shpresonim se do të bëhej mirë. Vetëm të mira kishte bërë babai im, gjatë të gjithë jetës së tij, prandaj thoshim se e mira do ta shpëtonte nga kjo ikje, por ...

Nga miq, të afërm apo dëshmitarë të vendit të ngjarjes, a keni pyetur sesi ndodhi ngjarja. Dini detaje?

Kemi pyetur. Gjithë këto ditë s’po na besohet ajo që ndodhi dhe vetëm këtë pyesim, si ndodhi. Na kanë thënë që ka qenë moment. Ndoshta instinkti i tij prej njeriu të mirë e çoi atje për t’i ardhur dikujt në ndihmë. Jam e bindur që ai do ta bënte këtë gjë për këdo që ishte në nevojë sepse kështu ka bërë gjithë jetën. Gjithmonë ka ndihmuar e ka bërë mirë.

Sot u dha masa e arrestit për autorët. Cili do të ishte dënimi që do ta qetësonte disi familjen tuaj?

Shpirtin e babait tonë e qetëson fakti që ne fëmijët e tij të bëhemi si ai. Kjo do ta qetësonte më shumë se çdo gjë tjetër. Për sa i përket dënimit të atyre, unë nuk kam çfarë të them sepse unë ia kam lënë në dorë institucio­neve juridike. Ai të dënohet ashtu siç ligji e parashikon. Nuk di ç’të them lidhur me këtë. Ne jemi të lënduar nga ikja e babait, nuk po mendojmë për këtë.

Kanë tentuar të vijnë të afërm të autorëve për falje? Po familjarë të të plagosurit Gëzim Hoxha, a kanë ardhur për të ngushëllua­r këto ditë?

Këtu kanë ardhur shumë njerëz. Të autorëve, jo. Nuk ka sens, për të Gëzimit, nuk kam dijeni. Ndoshta edhe mund të kenë qenë, por ne jemi shumë të papërqendr­uar nga dhimbja e madhe.

Si do ta mbani mend babanë tuaj?

Ai nuk do mbahet mend vetëm nga ne familjarët sepse ne dihet që na dhemb si çdo njeriu për të afërmin e vet, por babai im do mbahet mend në qytet e në të gjithë vendin si një njeri me vlera të veçanta, që sot rrallë njerëz i kanë. Ai ishte një person shumë altruist, që sakrifikon­te gjithçka për të tjerët. Ai i donte njerëzit. Kishte shumë shokë e miq dhe bënte shumë pas tyre. I zgjidhte hallet e iu gjendej kur kishin nevojë. Kishte një shpirt shumë të madh dhe ja, ashtu e dha jetën, për të tjerët.

Presidenti e dekoroi duke ia vlerësuar aktin heroik babait tuaj. Keni një koment për këtë?

Është një vlerësim shumë i denjë për babanë tonë. E falënderoj shumë Presidenti­n. Është një vlerësim për një hero, që bëhet shembull i mirë edhe për njerëzit e tjerë që mbeten pas. Unë e them me shumë krenari që babai im iku si hero dhe kjo na e mban kokën lart, por ne e kemi baba dhe nuk na kthehet më. E dinim që i kishte këto vlera edhe kur ishte gjallë. Ai ishte shembull e model pozitiv.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania