Panorama (Albania)

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

- NGA WILLIAM J. CLINTON

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqish­mi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombët­ar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjelli­mit të botës. Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara.

Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine- s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidarite­tit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish- presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentë­t aktualë të Ukrainës dhe Polonisë. Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashik­uar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidarite­tit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri- tjetrit, në qendër të vëmendjes. Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshm­e në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhëni­en midis tyre.

“Elementi fetar është themeli i demokracis­ë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman- it dhe të shpërfilln­in të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojn­ë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerëzore: ku të gjithë jemi shëmbëllty­ra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsu­eshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra- tjetrës; ato janë njëjtësues­e dhe përfshirës­e. Problemet dalin kur interpreti­min tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman- it, duke argumentua­r se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencë­n e të vërtetës absolute. Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosur­a, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotësisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojm­ë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësish­t tjetër.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjej­e, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrolles­h dhe ekuilibras­h, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrim­i i autoriteti­t politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës.

Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzoh­et nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve. Në Ballkan, Slobodan Milloshevi­çi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëri­a e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpreti­m i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohe­t në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi.

Mos vallë kjo do të thotë se politikëbë­rësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike? Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëv­e. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme. Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë.

Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtë­si tridhjetë e tetë sheikë. Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremist­ët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojn­ë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë.

Kur imamët radikalë orvaten të shkatërroj­në mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëv­e një udhëtim të ashtuquajt­ur të menjëhersh­ëm në parajsë, në këmbim të gatishmëri­së së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshi­m t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshi­m t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë. Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëru­ar, të copëtuar, me thepa.

Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtëror­e, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve. Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerë­si, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësv­e tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremist­ë dhe për t’i hequr mbështetje­n terrorizmi­t. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojn­ë dhe shkatërroj­në njëri- tjetrin. Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishm­e, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright- it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania