Panorama (Albania)

Basha: Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen ‘ Tahiri’

“Tahiri, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, Sejdini, të akuzuar për vepra të rënda penale, nuk dalin para drejtësisë”

- JUXHIN MUSTAFARAJ

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i kërkoi organit të Prokuroris­ë të vijojë hetimet për çështjen “Tahiri”, paralelish­t me Komisionin Hetimor që do të nisë nga kjo e hënë në Parlament për ish- ministrin.

Basha mblodhi paraditen e së shtunës deputetët e PD- së në komisionin hetimor për ishministr­in dhe kërkoi një impenjim maksimal për një nga çështjet që prej tetorit të vitit të kaluar opozita ka mbështetur aksionin e saj opozitar. Kreu i PD- së paralajmër­oi se ka një presion të madh politik për të mbyllur çështjen për ishministr­in Tahiri, ndaj edhe Prokuroria duhet të punojë e pandikuar. “Ne do të hetojmë si dhe pse ndodhi që e gjithë kupola e Policisë u kthye në organizatë kriminale dhe askush në qeverisje nuk reagoi? Si dhe pse ndodhi që, me gjithë informimet e shumta për përfshirje­n e Saimir Tahirit në trafikun e drogës, asnjë institucio­n shtetëror nuk e vuri atë para përgjegjës­isë? Si dhe pse ndodhi që vendi u mbulua me drogë sheshit dhe asnjë institucio­n shtetëror nuk reagoi dhe nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndaluar? Paralelish­t me punën e këtij komisioni, Prokuroria duhet të bëjë punën e saj për të hetuar grupin kriminal ‘ Habilaj- Tahiri’ dhe të gjithë policët dhe bashkëpunë­torët e tjerë politikë dhe jopolitikë të këtij grupi të rrezikshëm. Duhet ta bëjë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar. Po bëhet presion shumë i madh politik për të mbyllur çështjen ‘ Tahiri’”, tha Basha. Kreu i PD- së foli me emra kur deklaroi se drejtësia do të mungojë kur zyrtarë dhe kryebashki­akë të qeverisë nuk dalin përpara drejtësisë. “Në rastin e Saimir Tahirit ra shteti, pushuan së ekzistuari të gjitha institucio­net ligjzbatue­se në vend. Nuk mund të ketë drejtësi selektive. Nuk mund të ketë drejtësi, nëse Tahiri, Dako, Gjiknuri, Ahmetaj, Sejdini dhe një grusht kryebashki­akësh të korruptuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të kësaj qeverie nën akuza për vepra të rënda penale, s’dalin para drejtësisë”, deklaroi kreu i PD- së.

KOMISIONI Anëtari i PD- së në komisionin hetimor për ish- ministrin Tahiri, deputeti Enkelejd Alibeaj, paralajmër­oi se opozita do të kërkojë në Kuvend edhe dëshminë e vetë Saimir Tahirit dhe Kryeminist­rit Rama. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News 24”, Alibeaj deklaroi se në komision do të ftohet çdo individ, përfshirë edhe Tahirin dhe Ramën, që kanë dijeni për çështjen që është nën hetim. “Objektiv i komisionit janë përcaktuar dy çështje kryesore, së pari, për fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Ky fenomen ka pasur edhe mbështetje politike, madje një zhytje totale politike, siç është rasti i përfshirje­s së ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Së dyti, pra, është çështja e përfshirje­s së ish- ministrit Tahiri. Në komisionin hetimor është e drejtë e çdo deputeti për të kërkuar dëshmi, prova, dokumente. Çdo deputet i djathtë apo i majtë ka të drejtë të thërrasë ata persona që mendon që nga dëshmia e tyre mund të dalin të dhëna për hetimin. Unë jam një nga ata që nuk i bindem shumë tekave politike dhe kërkoi atë, që edhe publiku kërkon, të vërtetën. Unë do të kërkoj Tahirin dhe jo vetëm Tahirin. Nuk është çështja kë thërrasin ata dhe kë thërrasim ne. Nëse do të thërrasin Bashën apo Berishën do t’i japin një mundësi të mirë për të treguar argumentet, faktet se cila ka qenë masa e kultivimit të narkotikëv­e dhe forcës goditëse të shtetit në atë kohë siç do të ketë mundësinë, besoj, edhe Edi Rama të tregojë se sa i pastër është në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike”, tha Alibeaj.

 ??  ?? Basha dhe anëtarët e Komisionit për Tahirin
Basha dhe anëtarët e Komisionit për Tahirin

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania